Sapo doli nga shtypi nga Shtëpia botuese “Artini” novela e Stefan Cvajgut akoma e panjohur nga lexuesi shqiptar, „Kastelio kundër Kalvinit ose ndërgjegja kundër dhunës“ e përkthyer prej meje.
Kam qenë i habitur kur konstatova para disa vitesh se kjo novelë çuditërisht nuk kishte intriguar akoma ndonjë përkthyes shqiptar për ta përkthyer. Kur e lexova për herë të parë, novela jo thjesht më çuditi, por më hapi horizonte të reja për kuptimin e historisë dhe shkaqeve që e vënë në lëvizje atë. Unë tashmë isha njohur me teori të tilla, si ajo e Sloterdajkut, mbi mërinë (zemërimin) si një shkak i përplasjeve dhe kthesave të mëdha historike, mirëpo ky argument më parë më dukej poetik, ashtu si vetë frymëzuesi i tij homerik, se sa shkencor. Ndërkaq fanatizmin ideologjik gjithmonë e kisha lidhur me shfaqjen e iluminizmit dhe lindjen e shteteve nacionale në Evropë. Cvajgu në këtë novelë më ofronte një qasje të re dhe origjinale: fanatizmat ideologjikë, kudo dhe kurdo që të shfaqen, kanë ngjashmëri dhe pikëtakime befasuese, si në periudhën e mbretërve bizantinë, të ikonoklastisë dhe të inkursioneve kundër interpretuesve katoliko-romanë të Biblës, si në kohën e kryqëzatave katolike kundër Islamit, si në kohën e inkuizicionit, si në kohën e protestantizmit fillestar, ashtu dhe në kohën e Hitlerit, Musolinit, Stalinit e Homeinit. Të gjithë fanatizmat kanë një veçori të përbashkët: intolerancën. Dhe përkundër bindjes se Evropa moderne me vlerat e saj liberale është ndërtuar mbi themelet e vendosura nga pikëpamjet e Lokut, Hjumit, Spinozës e Volterit, Cvajgu na zbulon themelin e vërtetë të kulturës evropiane të tolerancës, akoma më të hershëm se sa e emrave të përmendur: profesorin universitar të Bazelit, Sebastian Kastelion, dhe luftën e tij vetëmohuese kundër fanatizmit fetar të Kalvinit që kishte vendosur grushtin e tij të hekurt diktatorial në qytetin e Gjenevës, në mesin e shekullit XVI. Mirëpo Cvajgu, në bazë të trajtimit dialektik që i bën historisë, argumenton se ndonjëherë pikërisht nga diktaturat më fanatike mund të lindin lëvizje të tilla progresive që mund t’ia ndryshojnë pamjen botës, ashtu siç ndodhi me protestantizmin, tashmë të transformuar në një lëvizje fetare liberale, dhe nga frenuese, në nxitëse të zhvillimit të përgjithshëm. Në vazhdim po ju ofroj parathënien time të librit:
Parathënie e përkthyesit
Pasi kisha jetuar për një kohë të gjatë (24 vite) afër qytetit të Bazelit, në qytezën Oberwil BL, në Zvicër, vonë e kisha kuptuar, dhe këtë pikërisht nga një vepër e Stefan Cvajgut mbi Erazmin e Roterdamit, (varri i të cilit gjendet brenda kishës më të njohur të Bazelit, Münsterkirche), se në kohën e shtypjes më të madhe të mendimit të lirë në mbarë Evropën e shekujve XV-XVI, ky qytet kishte shërbyer si një strehë dijetarësh më të shquar e më të guximshëm të kontinentit evropian, të përndjekur, qoftë nga Kisha Katolike e Romës, qoftë edhe nga reformatorë dogmatikë, si Gjon Kalvini, që me sjelljet e tyre mizore do të imitonin Inkuizicionin katolik të Romës. Vetë Cvajgu shprehet: „Bazeli … kjo ujdhesë e fundit e paqes fetare. Universiteti i këtushëm akoma e ruan trashëgiminë e Erazmit, dhe për këtë shkak në këtë strehë të fundit të lirë të njerëzimit të dikurshëm paneovropian u strehuan të gjithë të përndjekurit e diktaturave klerikale.” Përpos varrit të Erazmit, në Bazel kisha pasur rastin të vizitoja gjithashtu edhe banesën ku kishte jetuar filozofi i shquar, autori i “Zarathustrës” dhe “Vrasësi i Zotit” – Niçe. Përpos banesës, në po atë lagje të Bazelit, në fund të rrugës ndodhet edhe i ashtuquajturi “Kroni i Niçes”, një çezme prej guri me ujë të pijshëm ku mund të shuajnë etjen kalimtarët. Ndërkaq në pjesë të ndryshme të Bazelit ndodhen gjithashtu edhe vendqëndrimet dhe memorialet e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë gjermane, Herman Hesit. Në njërën prej tyre ai kishte shkruajtur “Ujkun e stepës”.
Libri i Cvajgut për Erazmin (Triumfi dhe tragjizmi i Erazmit të Roterdamit) është i njohur për lexuesin shqiptar që nga viti 2002, në përkthim të Ferdinand Lekës. Mirëpo ekziston edhe një libër tjetër i këtij autori që ndërlidhet me dy nga qytetet më të njohura zvicerane sa i përket trashëgimisë kulturore: me Bazelin dhe me Gjenevën, që këtu përfaqësojnë dy pole të kundërta politike, diktaturën dhe mendimin e lirë, dhunën dhe tolerancën. Bëhet fjalë për librin mbi dijetarin Sebastian Kastelio, i cili çuditërisht ka mbetur i panjohur për një pjesë të madhe të opinionit evropian e botëror, dhe kësisoj edhe për atë shqiptar, ndonëse si pionier i luftës kundër dhunës dhe intolerancës doktrinare e ideologjike nga çdo burim politik apo ideor, vepra dhe aktiviteti politik i Kastelios u paraprin shumë më herët atyre të autorëve tashmë të njohur evropianë të cilëve u jepet një meritë e tillë, si psh. Lokut, Hjumit e Volterit.
***
Novela e Cvajgut për ndeshjen midis Kastelios dhe Kalvinit është një ndërthurje e narracionit klasik me eseistikën filozofike përmes një qasjeje historiko-biografike dhe psiko-politike. Kapitulli i fundit i kësaj novele përshfaq filozofinë e veçantë historike të bazuar në dialektikën hegeliane të unitetit të të kundërtave (Puçja e poleve të kundërta). Novela i bën një radiografi të thellë një sistemi diktatorial të bazuar mbi një doktrinë ideologjike, duke pasur parasysh edhe funksionimin e diktaturave të sotme të majta, të djathta apo fetare, përkatësisht, të çdo diktature të bazuar në një doktrinë ideologjike, qoftë ajo fetare apo laike. Në këtë kuptim, po të donim t’i vinim ndonjë titull alternativ kësaj novele të Cvajgut, do të hamendeshim midis disa mundësive, sepse ky libër është njëkohësisht edhe një “Traktat mbi tolerancën”, edhe një “Traktat mbi heretikët”, edhe një “Traktat mbi ideologjitë” edhe një “Traktat mbi diktaturën … ose totalitarizmin.” Për të gjitha këto koncepte një lexues, qoftë edhe i pakualifikuar sa duhet, do të gjejë në këtë libër përgjigje që mendjes së tij mund t’i hapin horizonte të reja të papritura, ndoshta edhe modele e paradigma të reja interpretimesh. Me të përfunduar leximin, lexuesit i krijohet përshtypja sikur ka lexuar ndonjë vëllim prej qindra faqesh dhe jo thjesht një novelë të shkurtër prej më pak se 200 faqesh. Kaq e ngjeshur është ajo me filozofi sa e detyron lexuesin vazhdimisht ta mbajë lapsin të gatshëm për nënvizime. Kësisoj, sipas mendimit tonë, ky libër do të duhej të ishte një lekturë e pashmangshme për të gjithë lexuesit, dhe sidomos për studiuesit që dëshirojnë të kenë në dorë qoftë një pasqyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme të konfliktit midis katolicizmit dhe protestantizmit, qoftë një vegël të përshtatshme mbi qasjen dhe kuptimin e zhvillimeve politike të djeshme e të sotme që në të ardhmen mund të japin rezultate historike të paparashikueshme e të papërfytyrueshme për bashkëkohësit.
Më duhet të them nja dy fjalë edhe sa i përket përkthimit tim. Si përkthyes, jam përpjekur të ndjek traditën e përkthimeve të deritanishme të veprave të Cvajgut në shqip. Përkthimin e këtij libri e kam ndjerë si një borxh të dyfishtë, ndaj qytetit të Bazelit, ku jam sjellë për 24 vjet, dhe ndaj lexuesit shqiptar. Shpresoj të jetë një dhuratë e përkujtesë edhe për ata miq të mi të shumtë shqiptarë që vazhdojnë të jetojnë në këtë qytet, që t’i kuptojnë më thellë vlerat e vendit ku jetojnë.
Bislim Elshani,
Shtator 2023
add a comment