Shqipëria/Aktualitet

Bislim Elshani: Mëria dhe hajnia

Sipas albanologut të shquar gjerman, Robert Elsit, dëshmia më e hershme mbi ekzistencën e gjuhës së folur shqipe është ajo e vitit 1285 nga rrethi i Raguzës (Dubrovniku i sotëm), ku atëbotë banorët shqiptarë ishin të shumtë. Ai shkruan: “Në hetimet për një vjedhje në shtëpinë e Petro del Volcio nga Belena, njëfarë Matheus-i, dëshmitar i krimit, raportoi kështu: Dëgjova një zë duke thirrur në mal në gjuhën shqipe.”Natyrisht, edhe Robert Elsi nuk e lëshon rastin pa i bërë një interpretim sarkastik këtij zbulimi duke iu referuar shqiptarëve të sotëm. Pra duket qartë se shqiptari i parë që ka hyrë në historinë e gjuhës së folur shqipe paskësh qenë një hajn!Mirëpo një dëshmi tjetër interesante presupozon gjithashtu se ka të bëjë me paraardhësit tanë të lashtë, dhe që lidhet me një koncept tjetër tipik për shqiptarët e sotëm: me inatin ose mërinë. Sipas shumë filologëve shqiptarë, qoftë seriozë, qoftë amatorë, fjala “meni” që figuron pothuajse njësoj si “mënia” e sotme shqipe në vargun e parë të Iliadës së Homerit (Këndo muzë mëninë e Akilit), është padyshim një fjalë e mirëfilltë shqipe, që vazhdon të jetojë edhe sot e kësaj dite midis shqiptarëve. Pra mëria dhe hajnia qenkan dy mallkime që i paskëshin ndjekur shqiptarët me shekuj e mijëvjeçarë, që nga kohët e lashta, po të marrim si të besueshëm burimin iliro-pellazg të fjalës “mëni”. Natyrisht që një interpretim i këtillë mund të merret vetëm si poetik apo fantastik, mirëpo filozofi i shquar gjerman, Peter Sloterdijk, pikërisht nga fjala “mëri” mori frymëzimin për të krijuar një libër studimor filozofik të jashtëzakonshëm me titull “Mëria dhe koha”. Pra mëria, sipas tij, përfaqëson një lloj motori historik që i lëviz dhe i përcakton ngjarjet historike, që nga mëria homerike e Akilit e deri të mëritë e sotme fetare, ideologjike e gjeopolitike, rajonale e globale.Natyrisht, dëshmi për mërinë tek shqiptarët gjatë historisë së tyre ka sa të duash, ndërsa e dokumentuar ajo është që nga koha e Skënderbeut me inatet për shkaqe të ndryshme, sidomos të luftës për pushtet, të princave e kushërinjve rreth e rrotull tij. Ndërsa në kohën e sotme mëritë vazhdojnë të ekzistojnë midis shqiptarëve në dy forma, në formë tragjike dhe në formë komike. Mëria antikomuniste e berishizmit në Shqipëri është një mëri e mirëfilltë tragjike për zhvillimet ekonomike e politike në këtë vend. Pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e fundit ekziston një shans që kjo mëri të kthehet, ashtu siç e meriton, në një farsë komike. A nuk e thoshte edhe Marksi, që historia përsëritet dy herë, njëherë si tragjedi, dhe herën e dytë si farsë?Mëria e Vjosës dhe Albinit, e presidentes dhe kryeministrit tonë, kundrejt kryeministrit aktual shqiptar, por edhe kundër pushtetmbajtësve të deritanishëm në Kosovë, mund të interpretohet në dy forma, edhe si farsë, edhe si tragjedi. Në pikëvështrimin politik e estetik postmodern, kjo mëri është padyshim një farsë. Ndërsa për nga pasojat që mund të ketë në raportet ndërshqiptare dhe në ato shqiptaro-serbe, kjo mëri mund të quhet tragjike.Mirëpo ç’lidhje ka në këtë mes hajnia me mërinë? Natyrisht, qysh nga epi homerik, mëria është gjithmonë e lidhur me hajninë, përkatësisht, me grabitjen. Mëria e Akilit ndërlidhet direkt me padrejtësinë në ndarjen e plaçkës së luftës. Në periudhën e antikitetit pothuajse të gjitha luftërat bëheshin për grabitje e për përfitime direkte materiale. E gjithë “Iliada” e sheh grabitjen si qëllim themelor të luftës. Ndërsa pothuajse të gjitha mëritë lindnin nga padrejtësitë që bëheshin gjatë ndarjes së plaçkës. Edhe tek shqiptarët e sotëm grabitja është shtysë themelore e konflikteve dhe mërive. Vetëm në dukje ato marrin një veshje ideologjike. Nganjëherë kjo veshje merr tipare të pabesueshme qesharake, siç ishin psh. britmat opozitare në Shqipëri gjatë fushatës së fundit elektorale ‘vdekje komunizmit!’, me gjithë faktin që komunizmi ka vdekur 30 vjet më parë!!! Mirëpo tragjedia e Gërdecit pati zbuluar babëzinë e papërshkrueshme të politikanëve të sotëm për të bërë rrush e kumbulla pasurinë e grumbulluar për dekada të tëra nga diktatura komuniste. Dhe në vend se këtë radhë mëria t’i takonte popullit, ajo vazhdon të jetojë akoma tek hajnat dhe grabitësit si një mjet për të siguruar mallin e vjedhur. Mirëpo a nuk ishte edhe vetë Uliksi grabitës? Ndër detyrat që marrin studentët e rinj nëpër universitetet evropiane është edhe ajo se cilat janë tiparet heroike dhe cilat kriminale te personazhi homerik i Uliksit? Rezultatet janë zhgënjyese për shumë dashamirës të Homerit: tek Uliksi dominojnë tiparet negative, ai ishte padyshim një njeri i lig. Natyrisht, vetëm sipas standardeve të sotme morale. Sepse kusaria e dikurshme e ilirëve në Adriatik konsiderohej një degë legjitime ekonomike. Deri sa nisi të funksiononte shteti romak i së drejtës. Ashtu siç shpresojmë të funksionojë sot në Shqipëri SPAK-u dhe drejtësia e reformuar.