Dy këngë
Nga programet e Vitit të Ri, nga të gjitha ofertat e ndryshme televizive zgjodha të përcjell koncertin e violinistit të shquar shqiptar me famë botërore Olen Çezari. Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që koncertin e tij Oleni e përfundoi me një këngë antifashiste, këngën e njohur italiane Bella Ciao, që i jep kuptim dhe përcjell një mesazh kuptimplotë për vitin që sapo lamë pas, të karakterizuar nga një fashizëm euro-aziatik, si ai rus, dhe nga një fashizëm ballkanik që po na troket sa e sa herë te portat e veriut, ai serb.
Kjo këngë më kujtoi dy episode të ndryshme nga vitet 80-90.
Në fund të viteve 80, në pragun e kthesave të mëdha evropiane e evro-lindore, tek po ecja në një rrugicë në një lagje periferike të Ferizajt, dëgjova tingujt e një fyelli që po transmetonte me nota jashtëzakonisht prekëse tragjedinë e luftëtarëve shqiptarë në një luftë të huaj e të pakuptimtë për fatin e kombit tonë, afër një pusi të Çanak Kalasë turke të vitit 1915. Iu ofrova burimit të tingujve, dhe zbulova një plak thinjosh e thatim të ulur në pragun e kapixhikut para oborrit të vet, skaj rrugicës së lagjes. Më dukej se kënga e tij nuk vajtonte vetëm fatin e shqiptarëve të shkretë, po fatin e gjithë një perandorie ku shqiptarët, me gjithë përplasjet e herëpashershme, kishin pasur një pozitë sado-kudo të privilegjuar, sidomos pas konvertimit në myslimanë. Mendoja se kënga e Çanak-Kalasë nuk tregonte vetëm tragjedinë, por shprehte edhe një lloj mallëngjimi për kohëra të perënduara.
Një situatë pothuajse identike më është përsëritur disa vite më pas në një rrugicë italiane të qytetit të Nova Goricës në Slloveni, kur po punoja si punëtor fizik në një ndërmarrje rrugore. Një qytetar i moçëm italian, njësoj si ferizajasi i dikurshëm, ishte ulur në shkallën para derës së tij me pamje nga rruga dhe po i binte gjithë pasion harmonikës, duke ekzekutuar, ose siç është sot e modës, performuar, këngën e njohur partizane italiane Bella Ciao (Lamtumirë e bukura ime!). Nuk ia dija kuptimin e plotë këngës, ama si atëherë, ashtu edhe sot, e dija se është një këngë partizane dhe antifashiste. Dhe duke qenë gjithmonë në kapërcyellin e kthesave të mëdha politike, të shembjes së komunizmit në Evropë, dhe të triumfit të demokracisë liberale perëndimore, ky fakt më shtyri të vras mendjen: Mos vallë antifashizmi i këtij plaku italian do të jetë vetëm një shfaqje nostalgjie apo një vlerë që do të qëndrojë në themelet e bashkimit të ardhshëm evropian!
Bella Ciao
(Lamtumirë bukuroshe)
[…]
Dhe nëse vdes si partizan,
Oh bella, ciao! Bella, ciao! Bella, ciao, ciao, ciao!
(Oh lamtumirë e bukura ime! Lamtumirë)
Dhe nëse vdes si partizan,
Në varr do të më lëshoni.
Dhe më varrosni lart në male,
Oh bella, ciao! Bella, ciao! Bella, ciao, ciao, ciao!
(Oh lamtumirë e bukura ime! Lamtumirë)
Dhe më varrosni lart në male,
Nën hijen e një luleje të bukur.
Kushdo të kalojë andejpari,
Oh bella, ciao! Bella, ciao! Bella, ciao, ciao, ciao!
(Oh lamtumirë e bukura ime! Lamtumirë)
Kushdo të kalojë andejpari,
Do të çuditet “Sa lule e bukur!”
“Por kjo është lulja e partizanit”,
Oh bella, ciao! Bella, ciao! Bella, ciao, ciao, ciao!
(Oh lamtumirë e bukura ime! Lamtumirë)
“Por kjo është lulja e partizanit,
Që dha jetën për liri!”.
(Përkthim i lirë dhe pa pretendime, BE)
add a comment