Lëvizja\UÇK

Besnik Kryeziu: Lajmi për vdekjen e profesorit tim, SHEFKI MUQA, më mërziti shumë

Lajmi për vdekjen e veprimtarit dhe luftëtarit të dalluar të LËVIZJES shkaktoi hidhërim e pikëllim te të gjithë bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e Tij dhe te i gjithë populli shqiptar. Ngushëllime familjes, farefisit, bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve dhe gjithë popullit shqiptar! I qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore! Të rrojë në jetë të jetëve kujtimi dhe nderimi për luftëtarin e lirisë, Shefki Muqa! (Redaksia)

NJË LAJM QË MË MËRZITI SHUMË, QENKA SHUAR PROFESORI IM, SHEFKI MUQA!
Nuk kisha takuar një mësimdhënës idealist e atdhetar, të përpiktë e kaq të pasionuar pas leximit. Ishte tepër i afërt me ne, nxënësit e tij.
Ishin kohë të turbullta atëherë. Pushtuesi serb kishte filluar t’i pushtonte e t’i mbyllte të gjitha shkollat shqipe gjithkund nëpër Kosovë. Kjo ndodhi edhe në gjimnazin tonë në Therandë. Ishim në pushim kur erdhën dhe na nxorën përjashta duke na thënë se po e mbyllin shkollën…
Më kujtohet shikimi i profesor Shefkiut sikur sot. I mërzitur e i inatosur, u mundua te na jap kurajë e guxim, që të mos frikësoheshim. Më vonë mësova që profesori ishte i organizuar në LPRK.
Pasi e riburgosen në vitin 1993 së bashku me Hysen Gegen e Ilaz Kadollin, nuk e takova më deri kur u lirua nga burgu. Dëgjova se do të lirohej dhe e prita në shtëpinë e tij në Therandë. Ishte ditë gëzimi që e ritakova, por ky gëzim sikur m’u venit kur në sytë e tij nuk e vërejta lumturinë e një të liruari nga burgu. Më tha që kjo nuk është liri. – Kam dalë nga burgu i vogël në burgun e madh!
Iu bashkua UÇK-së dhe dha kontributin si gjatë gjithë jetës së tij…
Pusho i qetë Profesori im. Askush nuk e meriton lavdin e nderin më shumë se Ju për atë që bëtë për lirinë e Atdheut!
Lavdi, e u realizoftë ëndrra shekullore e bashkimit të Shqipërisë për të cilën u angazhove deri në frymën e fundit!
Ngushëllime familjes së respektuar Muqa dhe të gjithë shokëve të idealit!