Botë

BERLIN – Kristersson: Zgjerimi i BE-së kyç për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës

BERLIN, 15 mars /ATSH-AA/ – Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) për të përfshirë Ukrainën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës.

Në një fjalim të mbajtur në shkollën “Hertie School of Governance” në Berlin, Kristersson tha se lufta në Ukrainë ka qenë një pikë kthese kritike gjeopolitike për BE-në.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka sjellë në agjendë edhe zgjerimin e BE-së, edhe pse integrimi i vendeve të tjera në BE do të jetë i vështirë”, tha ai.

“Alternativa është t’i jepet liri ndikimit rus dhe kinez. Ky do të ishte rezultati më pak i dëshirueshëm si për BE-në, e që është edhe më e rëndësishme, edhe për të gjitha vendet aspirante në fqinjësinë tonë”, shtoi ai.

Suedia aktualisht mban presidencën e radhës me BE-në, ndërsa Kristersson premtoi mbështetje të fortë për vendet kandidate në përpjekjet e tyre për të zbatuar reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit në BE.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e reformave institucionale brenda BE-së në mënyrë që të mund të integrohen anëtarë të rinj.

“Kur Ukraina dhe vendet e tjera kandidate të jenë gati për t’iu bashkuar BE-së, ne që jemi tashmë pjesë, duhet të jemi të përgatitur për t’i mirëpritur ata”, tha ai.