Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (XCV)ZAJAZI – FSHATI QË MBIJETOI ME PUSHKË E KËNGË

Zajazi është nga fshatrat më të mëdha në komunën e Kërçovës, por edhe në Republikën e Maqedonisë. Shtrihet në fushën e Kërçovës, nën malin Bistra, në lartësi mbidetare 750 m.. E gjejmë pranë rrugës Kërçovë – Gostivar, 10 km nga qyteti i Kërçovës dhe 36 km nga Gostivari. Sipas regjistrimit të vitit 2002 fshati kishte 4700 banorë të përkatësisë etnike shqiptare. Fshati përmendet në defterët osmanë në vitin 1467 / 1468 me 70 familje, kurse në vitin 1900 kishte 2150 banorë shqiptarë. Nga viti 2004 ishte qendër e komunës, por në vitin 2013 iu ribashkua komunës ëmë të Kërçovës. Tradicionalisht popullsia e fshatit është marrë me bujqësi e blegtori, kurse dekadave të fundit mbizotëron emigrimi në shtetet e jashtme. Fshati përfiton të ardhura të mëdha nga mërgimtarët e vet, të lidhur ngushtë me vendlindjen, kur dihet se shumë familje të tij punojnë e jetojnë në kurbet. Dy janë karakteristikat e zajazëve; pushka dhe kënga. Me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të folklorit burimor kërçovar dhe përgjithësisht atij shqiptar, që nga nëntori i vitit 2012 në Zajaz funksionon shoqëria kulturore artistike “Krenaria e Zajazit”, me programin e parë për nderë të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar, e dhënë më 28 Nëntor 2012. Kjo Shoqëri ka shfaqur program edhe për nderë të 5-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2013. Zajazi ka klubin e futbollit, me emrin e fshatit dhe stadionin e tij, me mbi 5000 vende.Ndjenjat kombëtare të popullsisë shqiptare në Maqedoni gjithmonë kanë ekzistuar dhe janë kultivuar brez pas brezi. Këngët epike historike, që këndohen në këto anë, tregojnë më së miri për përpjekjet dhe luftërat që janë bërë për liri. Në këngët karakteristike, që këndohen në Zajaz e Kërçovë, kemi vargje epike e lirike, por dallohen këngët e kaçakëve. Trimëritë e kaçakëve në këto këngë përshkruhen veçanërisht nga këngët epike popullore, nga gojëdhënat etj. Kënga simpatike e Sulltanës përshkruan pjesëmarrjen e një vajze të re 17-vjeçare në një ndeshje të përgjakshme me komitat sllavë që terrorizonin popullsinë shqiptare në vitin e rëndë 1913. Vajzës ia terrorizojnë e ia vrasin babën në sytë e saj e në oborrin e shtëpisë, kurse ajo, në saje të trimërisë e zgjuarësisë së pashoqe, arriti t’i vras dy e ta plagos rëndë njërin prej tyre, duke mbetur edhe vet aty. Kënga tjetër, shumë e njohur, i kushtohet Kalosh Danit, një trimi që i printe çetës së kaçakëve në vitet pas pushtimit serb të Kërçovës, por që ishte vrarë bashkë me vëllain e tij, Llazamin, nga forcat serbe në bashkëpunim me forcat e A. Zogut. Këngët e kaçakëve, që i këndonte doajeni i melosit kërçovar, Rexhep Zajazi, pos motiveve epike, përshkohen edhe me vargje lirike, siç është kënga e Sulçe Begut, Kroni i Kaçakut etj. Rexhep Zajazi këndonte edhe me dy djemtë e tij në grupin e njohur me emrin “Trio Zajazi”. Zona e Kërçovës dhe posaçërisht fshati Zajaz ka qenë cak i kriminelëve sllavë, sidomos gjatë dhe pas pushtimit të tokave shqiptare në vitet 1912 – 1914. Tre bunarë në Zajaz ishin mbushur me shqiptarë të pushkatuar apo të djegur e të masakruar. Njëri bunar i braktisur, me rreth 40 kufoma, është zbuluar në oborrin e shtëpisë së liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit. Gjithashtu, afër kësaj shtëpie dhe përballë saj ishin varrosur 60 burra të masakruar nga pushtuesit sllavë. Mbetjet mortore janë nxjerrë në vitin 2016. Pas këtyre viteve të rënda, si rezistencë ndaj pushtimit dhe për mbrojtjen e trojeve tona në Maqedoninë perëndimore, por edhe në Zajaz, ka lindur Lëvizja Kaçake. Edhe sot, në këto anë, janë të njohura dhe shumë të popullarizuara “Këngët e kaçakëve”, si dhe kanë mbetur toponimet, si Mali i kaçakut, Kroj i kaçakut, shpella e kaçakut etj. Një kompleks madhështor monumental në Zajaz, i quajtur simbolikisht si qendra përkujtimore “Nëna Shqiptare”, është përuruar më 28 Nëntor 2013 në kuadër të shënimit të 101-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe 100-vjetorit të masakrave ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Qendra është ngritur për kujtim të rreth 500 viktimave shqiptare, të vuajtjeve, të flijimit, të martirizimit, por edhe të nderimit e të krenarisë së popullit gjatë historisë, veçanërisht gjatë vërshimit dhe pushtimit të tokave tona pas vitit 1912 dhe në luftërat ballkanike. Përkujtimorja është e përbërë nga flamuri kombëtar në shtizë 30-metërshe, një shtatore bronzi pesëmetërshe, e quajtur “Nëna Shqiptare” dhe 500 gurë varresh të formës cilindrike. Llogaritet të jetë qendra e dytë përkujtimore në trojet shqiptare, pas monumentit “Nënë Shqipëri” në Tiranë. Kjo qendër përkujtimore mund të çaset shumë lehtë për ata udhëtarë që kalojnë rrugës për Kërçovë, Strugë apo Tiranë.