Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (XCIX) – JEZERCI NUK ËSHTË FSHAT I ZVICRËS, ËSHTË I EPOPESË SË UÇK-së
Jezerci është një fshat i thellë malor i komunës së Ferizajt, që zë një hapësirë të madhe gjeografike. Është fshati më i madh, nga sipërfaqja, në komunë, por edhe në R. e Kosovës. Edhe për nga numri i banorëve dikur ishte fshat i madh, por gjatë periudhave kohore popullsia është shpërngulur në Ferizaj, në fshatin Neredime e në vende tjera, madje edhe në emigracion. Nëse shikojmë statistikën për numrin e banorëve, shohim se në vitin 1948 fshati kishte 1434 banorë, në vitin 1971 – 1666, në vitin 2011 – vetëm 454, tash ka edhe më pak. Viteve të fundit, pasi ka filluar të zhvillohet turizmi fshatar dhe malor, numri i banorëve sikur ka filluar të shtohet. Fshati është i shpërndarë në lagje të vogla e të largëta nga njëra tjetra, të shtrira nëpër kodrat e shpatijet e maleve të Jezercit. Edhe pse nuk janë bërë hulumtime shkencore për lashtësinë e tij, nga gjetjet e rastësishme të disa eksponateve vërtetohet se fshati është i banueshëm që nga koha iliro – romake. Gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së Jezerci ka qenë vatër e luftës për liri. Bijtë e bijat e këtij fshati u përfshinë në radhët e UÇK-së, duke dhënë kontribut të çmuar, jo vetëm në luftime, por edhe duke e bërë fshatin e tyre bazë të sigurt të luftës, ku i kishin selitë Shtabi i Zonës Operative të Neredimes dhe Shtabi i Brigadës 161 të UÇK-së. Dëshmori i parë i ZO të Neredimes ishte nga ky fshat, Nazmi Ukëzmajli. Trupat ushtarake e policore serbe, më 25 deri 28 shtator 1998, zhvilluan një mësymje të ashpër kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e fshatit Jezerc e më gjerë. Fillimisht fshati ishte rrethuar në tre rrathë, pastaj kishin filluar granatimet nga disa anë drejt pozitave të ushtrisë sonë dhe, në fund, kishin pasuar sulmet me këmbësori, shoqëruar me makineri të rëndë luftarake. Luftimet e ashpra e të përgjakshme mes një ushtrie të një shteti me armatim të rëndë dhe të një ushtrie vullnetare, me armatim të lehtë, u zhvilluan derisa u shpenzua municioni luftarak i luftëtarëve tanë dhe kur nuk kishte më me çka të luftohej. Forcat armike pësuan humbje të mëdha, dhjetra ushtarë të vrarë dhe teknikë luftarake të shkatërruar, kurse nga ana jonë u vranë nëntë dhe u plagosën dy luftëtarë. Kjo ngjarje, e njohur si “Epopea e Jezercit”, ishte njëra nga betejat më të rëndësishme dhe më e veçanta të UÇK-së. Në përkujtim të saj, në malet e Jezercit ka filluar të ndërtohet Parku Përkujtimor i UÇK-së, që shtrihet në tërë territorin e kësaj zone, me qëllim që brezat e rinj të mësojnë për luftën e lavdishme çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për 10 dëshmorët e rënë me armë në dorë në këtë fshat. Banorët e Jezercit kryesisht janë marrë me blegtori. Pasi fshati ka një pozitë të mrekullueshme dhe pasuri të shumta natyrore, viteve të fundit ka filluar të zhvillohet turizmi malor dhe fshatar. Po të mos ishin dëmtimet e pyjeve, që janë alarmuese, zona malore e Jezercit vërtet do të ishte një parajsë në tokë. Pyjet e larta, kryesisht ahishte, po shkatërrohen gjithnjë e më shumë nga prerjet ilegale. Jezerci është edhe një pikë ujëshpërndarëse, sepse tri krojet e tij më të mëdha marrin rrugë drejt tri detrave; njëri kah Adriatiku, tjetri kah Egjeu e i treti kah Deti i Zi. Dy rrjedha, të quajtura Lumi i Madh dhe Lumi i Vogël, që dalin nga malet e Jezercit, bashkohen në fund të Grykës së Jezercit, përkatësisht në fshatin Neredime, duke formuar lumin Neredime. Ky lumë, në hyrje të qytetit të Ferizajt bigëzohet në dy degë që shkojnë në dy dete, duke formuar Bifurkacionin e Neredimes, një dukuri ujore e vetme në Evropë dhe shumë e rrallë në botë. Njëra degë, si lumi Neredime, e gjatë 41 km, drejtohet nga jugu, bashkohet me Lepencin në Kaçanik, i bashkangjitet Vardarit afër Shkupit dhe derdhet në Detin Egje. Dega tjetër, që drejtohet nga veriu, bëhet bashkë me Sitnicën, Ibrin, Moravën e Danubin e derdhet në Detin e Zi. Deri para pak viteve Jezerci vuante për mungesë rrugësh, kurse sot janë ndërtuar shumë prej tyre. Madje, një rrugë që fillon në Ferizaj e përfundon në Suharekë, përshkon tërë malësinë e Jezercit. Këto rrugë kalojnë nëpër terrene me vlera të pasura natyrore, që kanë rëndësi, jo vetëm turistike, por edhe ekonomike e historike. Komuna e Ferizajt po realizon projektin e ndërtimit të 31 kilometrave rrugë në zonën turistike të Jezercit. Bukuritë mahnitëse natyrore, ndërtimi i rrugëve, i restoranteve, i shtëpive të pushimit e i bujtinave e kanë bërë fshatin Jezerc dhe tërë zonën e tij në një destinim të rëndësishëm dhe interesant turistik, të vizitueshëm gjatë tërë vitit. Një objekt i veçantë i trashëgimisë sonë është mulliri qindravjeçar i Selman Begut, që punoi edhe në ditët më të vështira të luftës. Përgjatë rrjedhës së lumit Neredime kanë qenë 52 mullinjë të ujit, nga të cilët sot punojnë vetëm katër. Malësia e Jezercit ka bukuri të rralla natyrore. Këto bukuri i krijojnë vargmalet madhështore, pyjet e larta me ahishte, livadhet e pjerrta, ajri i freskët në lartësi mbidetare deri afër 1700 metra, uji i ftohtë i burimeve, shtëpitë e rralla shpatijeve të malit, përmendoret e dëshmorëve të lirisë. Relievi i fshatit krijon kushte të mira, veçanërisht për ecje dhe biçiklizëm nëpër shtigje të gjata, ka kushte e mundësi edhe për alpinizëm, kalërim, gjueti, peshkim, skijim etj. Prandaj, Jezerci, me pamje mahnitëse, është një zonë shumë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit. Për këto bukuri, për ruajtjen e vlerave të natyrës dhe të trashëgimisë natyrore dhe për zhvillimin e turizmit kujdeset shoqata për zhvillim, kulturë, traditë e trashëgimi “Jezerci” e fshatit Jezerc.