Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (XCIV) STANTERGU – FSHATI I VOGËL I TREPÇËS SË MADHE
Shtegtime nëpër Atdhe (XCIV)STANTERGU – FSHATI I VOGËL I TREPÇËS SË MADHEKanë thënë se Trepça është dhuratë nga Zoti, se Trepça është Kosova, se pa Trepçë nuk ka Kosovë etj., etj. Në Trepçë deri tash janë nxjerrë dhjetra miliona tonelata të plumbit e zinkut, të arit e argjendit dhe elemente tjera përcjellëse. Megjithë shfrytëzimin gati njëshekullor, Trepça ende ka mbi 60 milionë tonelata të rezervave të këtyre xeheve. Dhe, miniera e Trepçës, nga më të mëdhatë në botë për plumb e zink, ari e argjend, ndodhet në fshatin Stanterg, malësia e bukur e Shalës, 10 km nga Mitrovica. Edhe pse fshat i vogël, dikur në Stanterg kishte gjallëri, e gjallëria vinte sidomos nga minatorët pas punës së lodhshme në horizontet e thella e të gjata të Trepçës. Shumica e minatorëve vinin nga fshatrat malore të Shalës, por kishte edhe nga viset tjera të Kosovës dhe Serbisë. Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar Stantergu ishte edhe qendër kulturore, kur në “Koloninë angleze”, nga të parat në Ilirik, kishte fushë të tenisit, kinema, hotel, qendër të strehimit kolektiv etj. Miniera e Stantergut mendohet se është e vjetër që nga antika, e shfrytëzuar nga ilirët, romakët, bullgarët, bizantinët, sasët, turqit, serbët… Shfrytëzimin e hershëm e vërtetojnë galeritë e vjetra, puset minerare, veglat e punës dhe mbetjet nga shkrirja e metalit. Në dokumentet mesjetare miniera përmendet edhe me emrat “Treipçe”, “Tripçe”, “Tripza”. Hulumtimin e parë gjeologjik shkencor e kanë filluar specialistët anglezë në vitin 1924, kurse në vitin 1932 ka filluar prodhimi i koncentratit të mineralit. Shoqëria aksionare e një grupi të afaristëve anglezë (1500 persona fizikë dhe juridikë), e formuar në vitin 1927 me emrin “Trepça Mines Limited”, e bleu për shfrytëzim 50-vjeçar vendburimin në Stanterg, të cilin e shfrytëzoi nga viti 1926 deri në vitin 1941. Gjatë Luftës së Dytë Botërore minierën e shfrytëzuan gjermanët, kurse nga viti 1945 deri në vitin 1990 ajo u nacionalizua e më vonë u shpall “ndërmarrje shoqërore”, që prodhonte qindra-mijëra tonelata xehe në vit. Kulmi i zhvillimit të Trepçës ishte mes viteve 1972 – 1990, kur janë hapur edhe miniera tjera dhe është ndërtuar shkritorja në Zveçan, si dhe kapacitete prodhuese në tërë Kosovën e në disa vende të Jugosllavisë, duke e shndërruar Trepçën në kombinat xehetar – metalurgjik me rreth 23 mijë punëtorë. Vetëm në vitin 1983 Trepça eksportoi mallra me vlerë mbi 100 milionë dollarë, duke zënë vendin e 5-të të eksportuesve në Jugosllavi. Pas heqjes së autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, futjes së masave të dhunshme në Kombinat dhe të largimit të punëtorëve shqiptarë nga puna, Serbia filloi ta përvetësojë e ta shkatërrojë Trepçën me keqpërdorime, duke e futur edhe në borgje të mëdha. Gjatë viteve 1990 – 1999 udhëheqja e dhunshme serbe e ngarkoi gjigantin “Trepça” në borgje prej 150 milionë euro. Pas luftës, që nga viti 1999 deri në vitin 2005 në minierë nuk është punuar, derisa u krijuan kushtet minimale për rifillimin e nxjerrjes dhe prodhimit të koncentratit të xehes së plumbit e zinkut, por me kapacitete të vogla e me probleme të mëdha. Trepça sot është problem politik, ekonomik, social e mjedisor, që rëndon shumë, jo vetëm Kombinatin e Komunën, por edhe tërë Kosovën.Miniera e “Trepçës” në Stanterg është nga vendburimet më të njohura në Evropë e më gjerë me madhësi, shumëllojshmëri dhe bukuri të kristaleve. Në oborrin e minierës së Trepçës në Stanterg ndodhet një objekt i ri modern, i ndërtuar në vitin 2012, ku është vendosur një institucion i rëndësishëm, unikat dhe i veçantë në Kosovë, mbase edhe në Evropë e më gjerë. Ky është Muzeu i Kristaleve i Kosovës, i themeluar në vitin 1964, i cili deri në vitin 2012 funksionoi në kuadër të Kombinatit “Trepça”, kurse më pastaj ka kaluar në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Muzeu është i pajisur me rreth 2000 eksponate – kristale të nxjerra nga thellësia e nëntokës së minierave të Trepçës. Kristalet minerare, rreth 65 lloje të tyre, paraqesin vlerë të veçantë, janë perla të papara të bukurisë nëntokësore. Është interesant se muzeu vizitohet shumë pak, më shumë nga turistë të huaj e më pak nga vizitorë vendës, kryesisht nga grupe të nxënësve. Kristalet e “Trepçës” janë ekspozuar edhe nëpër shumë muzeume të botës, por gjithnjë si pasuri serbe! Edhe numri i kristaleve dhe i mineraleve të vjedhura e të keqpërdorura, që shiten në tregun e zi, është shumë i madh.Trepça është bërë “mollë sherri” mes Kosovës e Serbisë. Beogradi, përmes Fondit për Zhvillimin e Serbisë, i formuar në kohën e Milosheviqit, pretendon në pronësinë e Kombinatit, gjoja si aksionari më i madh i tij. Në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, Serbia përpiqet ta fus si temë të bisedimeve edhe kombinatin “Trepça”. Minatorët i kanë porositur politikanët të mos bisedohet për Trepçën, ndryshe do të reagojnë me greva dhe me marshim në Prishtinë, duke e ftuar edhe popullsinë për t’iu bashkangjitur. Me qëllim të ruhet kjo pasuri e madhe ekonomike e të vendoset rendi dhe ligji në Kombinat, Qeveria e Republikës së Kosovës ka hartuar ligjin dhe statutin, duke e bërë Trepçën ndërmarrje publike – private, me 80 për qind të aksioneve të Qeverisë dhe 20 për qind të punëtorëve, duke e shpallur ndërmarrje unike si pasuri e Kosovës. Mirëpo, raportet me veriun nuk janë rregulluar, kurse për ringjalljen e prodhimit kërkohen masa tjera investuese nga Qeveria dhe nga partnerët ekonomikë të brendshëm dhe të jashtëm. Vetëm nxjerrja dhe shitja e xehes, si koncentrat, çfarë bëhet sot, nuk mundëson prodhimtari normale dhe fitimprurëse. Marshi i minatorëve, më 17 nëntor 1988 dhe greva historike e Stantergut në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, më 20 shkurt 1989, kur rreth 1300 minatorë të Trepçës në Stanterg u ngujuan në brendi të minierës, duke shprehur edhe revoltën ndaj regjimit serb, është një faqe e ndritur e të kaluarës së Trepçës, që i tronditi themelet e shtetit të Jugosllavisë.Trepça ishte një potencial i rëndësishëm ekonomik, jo vetëm për Stantergun e Mitrovicën, por edhe për Kosovën e Jugosllavinë. Këtë minierë dhe prodhimet e Trepçës i ka shfrytëzuar tërë ish-Jugosllavia, sidomos i ka shfrytëzuar Serbia. Na kujtohet ajo thënia e njohur në ish-Jugosllavi: “Trepca radi, Beograd se gradi”, e cila, e përkthyer në shqip “Trepça punon, Beogradi ndërton”, u bë e njohur si njëra nga parullat kryesore në demonstratat e vitit 1981. Kombinati ishte shtyllë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, ishte krenaria e Kosovës, me rol të rëndësishëm për zhvillimin e tërësishëm të saj. Dhe, zemra e saj ndodhet në Stanterg. Por, gjiganti i madh, të cilin Kushneri e quajti “Dinosauri i të kaluarës” sot vërtet ndodhet në udhëkryq. Dikur Mitrovica, në bazë të Trepçës, ishte komuna më e zhvilluar e Kosovës, kurse sot është nga komunat me paperspektivë të zhvillimit, komunë me varfëri e papunësi të madhe. Heronjtë e nëntokës, minatorët, kryesisht në moshë të shtyer, jetojnë në kushte të rënda ekonomike, të mos themi se ndodhen në gjendje të mjerueshme. Stantergu dhe malet e bukura të Shalës, si dhe fshatrat e vjetra etnografike, të lidhura ngushtë me “Trepçën”, të pasura jo vetëm me xehe, por edhe me trashëgimi kulturore, janë një potencial i madh edhe turistik. Me pak investime fshatrat e Shalës janë dhe mund të kthehen në një zonë turistike të dorës së parë.