Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (LXXXI) – DIMALI – qyteti që kishte pesë emra

Qyteti, që sivjet mbushi plot 100 vjet jetë, është një qytet i vogël në jug të Shqipërisë, si një portë hyrëse e Beratit e Kuçovës, i cili deri në korrik të këtij viti quhej me emrin interesant, Ura Vajgurore, sot me emrin Dimal. Para se të quhej Ura Vajgurore vendbanimi kishte një emër tjetër interesant, emrin Ura e Hasan Beut e para Urës së Hasan Beut quhej Qelbësirë. Megjithë këto emra, banorët edhe sot qytetin e quajnë Ura e Vjetër.
Dimali është një qytet kodrinor – fushor që shtrihet në brigjet e lumit Osum dhe në rrëzë të malit të Shpiragut, nëpër të cilin kalon rruga Lushnjë – Berat, nga ku ndahet rruga për Kuçovë. Qyteti na del si një nyje rrugësh që lidhin Beratin, Kuçovën dhe Lushnjën. Qytetin më të afërm e ka Kuçovën, vetëm 5 km larg, pastaj Beratin 12 km dhe Lushnjën 40 km.
Pse qyteti është quajtur Ura Vajgurore? Në shek. XIX lokaliteti, ku sot gjendet Dimali, ishte lagje e fshatit Kondezbalt dhe quhej Qelbësirë. Është quajtur kështu, sepse anës lumit kishte disa burime me ujë me squfur, që lëshonte aromë të rëndë, të qelbët. Atë kohë mbi lumin Osum janë ndërtuar vazhdimisht ura. Ishte ura e vjetër me harqe, e cila është shkatërruar nga ushtria turke në vitin 1850, rrënojat e saj gjenden edhe sot. Rreth 10 vjet lumi kalohej me barka, derisa është ndërtuar një urë e re, e quajtur me emrin e ndërtuesit, “Ura e Hasan Beut”, emërtim me të cilin u identifikua edhe vendbanimi. Në vitet 1946 – 1948 lokaliteti e ka marrë emrin “Ura Vajgurore” për shkak se në afërsi gjendej një fushë naftëmbajtëse, kurse në Urën e Hasan Beut, afër urës ishin ndërtuar disa rezervuarë të mëdha të vajgurit.
Hulumtimet arkeologjike kanë zbuluar ekzistencën e hershme të një qendre të banuar në antikë. Është kalaja e Krotinës, që shtrihet në një kodër të zhveshur të malit të Shpiragut në sipërfaqe prej 14 – 20 hektarë, e shpallur monument kulture qysh në vitin 1948, por sot i mungon ky cilësim. Kjo kala, e ndërtuar si qytet në shek. IV p.e.r. e që kulmin e zhvillimit e ka pasur në gjysmën e dytë të shek. III p.e.r., në realitet paraqet qytetin e Dimalit (dy male), njërit nga lokalitetet më të lashta e më të fortifikuara të qytetërimit ilir, me rol të rëndësishëm, sidomos, në luftërat iliro – romake (219 – 218). Në vitin 219 p.e.r. Dhimitër Fari, mbret i Ardianëve, ish-komandant i ushtrisë së mbretëreshës Teuta, në Dimal kishte vendosur apo strehuar një garnizon, sepse ky qytet konsiderohej më i sigurt. Një gojëdhënë e fshatit Krotinë, e përcjellur brez pas brezi, thotë: “Dimalin e krijoi Perëndia, nuk mund të merret nga njerëzia”. Megjithatë, ushtritë romake e pushtuan qytetin pas një rrethimi, duke pas ndihmën apo tradhtinë e mbretit Dhimitër Fari. Dimali ra herë në duart e romakëve e herë të maqedonëve të Filipit V. Traktati romako – maqedon është nënshkruar në vitin 205 në Dimal. Në gërmadhat e qytetit janë zbuluar katër vula që përmbajnë emrin e qytetit Dimal, pastaj një statujë e një djaloshi sportist, busti i një gruaje hyjneshë, një fragment i orës diellore, etj.
Mirëpo, lokaliteti antik i Dimalit deri tash nuk ka pas një mbikëqyrje e mbrojtje institucionale. Njerëz të papërgjegjshëm, madje në mënyrë kriminale, kanë groposur e gërmuar në varrezat e vjetra, duke shkatërruar edhe strukturat dhe gjurmët arkeologjike e duke vjedhur artefakte të rëndësisë së posaçme.
Zbulimi i qytetit antik të Dimalit afër Urës Vajgurore para disa vjetëve ka shërbyer si ide dhe propozim i një grupi intelektualësh për ndërrimin e emrit të qytetit, nga Ura Vajgurore në emrin Dimal, që u miratua nga Bashkia në korrik të këtij viti. Vlerësohet se ndryshimi i emrit të Bashkisë lidhet me qytetin antik, duke krijuar një destinim turistik që do të ket ndikim në zhvillimin ekonomik përmes zhvillimit të turizmit.
Shpërngulja e banorëve nga fshatrat e afërta malore para 100 vjetëve e ka formësuar vendbanimin e sotëm të Urës Vajgurore. Në vitin 1920 buzë lumit u ndërtua një han për pushimin e kalimtarëve që shkonin nga fshatrat në pazarin e Beratit e në pazaret e qyteteve tjera. Pastaj u ndërtuan edhe objekte tjera tregtare e hoteliere. Në vitin 1925 ky vendbanim u bë qendër administrative e zonës së Mesit të Urave, e quajtur komuna e Hasan Beut. Pranë ndërtesës së komunës është ndërtuar trekatëshja e xhandarmërisë dhe burgu, në të cilat sot jetojnë njerëzit. Në vitin 1945 Ura e Hasan Beut u shpall lokalitet, kurse në vitin 1992 – bashki.
Bashkia e Urës Vajgurore apo e Dimalit të sotëm, me rreth 40 mijë banorë, është e shtrirë në një zonë shumë të pasur bujqësore, nga më pjelloret në Shqipëri. Zona është e njohur edhe për qindra minierat (mademet) sipërfaqësore të gurit. Nga këto gurore shkatërrohet mjedisi (ngrënja e kodrave) dhe shkaktohet ndotja e lartë e ajrit, e dëmshme për shëndetin e njerëzve dhe gjallesave të ndryshme. Pas vitit 1945 këtu u ndërtuan 25 rezervuarë apo depozita të përmasave të mëdha të vajgurit. Vajguri, që dilte nga përpunimi i naftës në Kuçovë, vendosej në këto rezervoare në Urën e Hasan Beut. Në bazë të këtyre depozitave lokaliteti nisi të quhej me emrin, Ura Vajgurore. Sot degët kryesore ekonomike janë bujqësia, blegtoria, transporti dhe tregtia. Sipërfaqe të mëdha janë të mbjellura me ullinjë dhe me vreshta, me drithëra e perime.
Deri para katër – pesë vjetëve rruga Lushnjë – Berat kalonte përmes Urës Vajgurore. Tash është ndërtuar një rrugë tranzite, e cila e anashkalon Dimalin, duke e liruar qytetin nga rrëmuja, nga zhurma e trafiku i dendur. Gjithashtu, rirregullimi i rrugës kryesore dhe i sheshit i ka dhënë pamje të re qendrës së qytetit. Bashkia e Urës…, në vitin 2018, është vlerësuar në Samitin e Liderëve në Angli me certifikatën e “Ekselencës në menaxhimin e qytetit” nga Unioni i Akademikëve në Oksford dhe Klubi Botëror i Liderëve, duke e radhitur në mesin e 50 bashkive të vlerësuara për inovacion.
Qyteti me shumë emra, që qëndron mes të kaluarës dhe të ardhmes, po shndërrohet ngadalë në një qytet – muze. Në sheshin e qytetit mund ta takoni simbolin e qytetit antik dhe të qytetit modern, i quajtur “Djaloshi i Dimalit”, një statujë e zbuluar në Dimalin antik, që paraqet atletin, kampion i lojërave popullore. Janë krijuar tri piktura murale mjaft interesante, të cilat revista zvicerane “Wild Walls” i cilëson nga 10 muralet më të bukura në botë.

Dimali ka ardhmëri të ndritur të zhvillimit ekonomik, veçanërisht të zhvillimit të turizmit, si një nga destinimet turistike të Shqipërisë.