Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXXV) – Plazhi i Tales – plazhi më i afërm për shqiptarët e Kosovës

Lezha nuk është qytet bregdetar, por territori i bashkisë së saj ka një bregdet të gjatë, me disa plazhe e me laguna mjaft interesante. Tale është njëri nga fshatrat bregdetare të Bashkisë së Lezhës, që shtrihet në një fushë të ultë e të gjerë mes grykëderdhjes së lumit Mat dhe lagunës së Vainit, rreth 15 km larg nga Lezha, 18 km nga Shëngjini dhe 7-8 km nga rruga Tiranë – Lezhë. Rruga e drejtë për në Tale, që nga kryqëzimi në rrugën kryesore “shoqërohet” nga një kanal i madh, që verës shërben për ujitje e dimrit për tërheqjen e ujërave përmes hidroforit. Plazhi i Tales, i gjatë rreth 7 km dhe i gjerë 100 – 150 m., ndodhet në një zonë të ruajtur të Detit Adriatik, mjaft i paprekur nga ndërtimet e egra, i mbetur si një destinim i përshtatshëm për pushime gjatë tërë vitit, sidomos për pushuesit familjarë. Plazhi i Tales është plazhi më i afërm për pushuesit që vijnë nga Kosova – 224 km nga Prishtina.

Zona bregdetare e Tales ka brez të pastër ranor me veti shëruese, plazh të paprekur, rrugë të mira dhe objekte komode hoteliere. Ndërtimet janë të rralla, që nuk e cënojnë hapësirën e plazhit. Është nga plazhet e pakta që kanë ujë të pijshëm 24 orë, por edhe nga plazhet e rralla që nuk kanë shërbim shëndetësor. Pjesa më e madhe e plazhit është publike, kështu që pushuesit nuk janë të detyruar t’i paguajnë çadrat e shezlongjet private me çmime marramendëse.
Dikur fshati ishte një zonë ushtarake dhe plazhi nuk lejohej të shfrytëzohej për pushime. Si plazh i ri dhe i virgjër, shumë pak është i njohur dhe i shfrytëzueshëm nga pushuesit. Tale ka natyrë të këndshme e tërheqëse, ka det të kaltër e të pastër, rërë shëruese me ngjyrë të zezë, hapësira të gjera publike dhe çmimet janë mjaft të lira. Në fakt kemi dy plazhe të Tales; Plazhin Tale dhe Plazhin Tale 2. Karakteristikat e këtij plazhi kanë bërë që numri i pushuesve të rritet nga viti në vit, numër që ka shkuar deri 25 – 30 mijë pushues në ditë.
Para 10 apo 15 viteve pothuaj askush nuk dinte për plazhin e Tales, edhe pse ndodhet në një natyrë të mrekullueshme. Sot gjendja është krejt ndryshe; plazhi është rregulluar, ka objekte bashkëkohore të hotelierisë dhe bujtina të shumta. Dhe, çka është më me rëndësi, këtu pushohet më mirë e më lirë se në cilindo plazh tjetër. Pushuesit këtu kanë qetësi dhe privatësi të plotë.
Bizneset kanë filluar të ndërtojnë dhe të zgjerohen, duke iu përshtatur nevojave të pushuesve të shumtë dhe duke e transformuar plazhin dhe zonën në një destinim të vërtetë turistik. Investimet në infrastrukturë dhe ndërtimi i objekteve hoteliere e tregtare, edhe pse jo të mjaftueshme, po i japin fshatit dhe plazhit pamje të një qyteti që po lindet tash. Zona bregdetare e fshatit Tale, deri tash e pashfrytëzuar sa duhet, pos ujit dhe rërës së pastër ka edhe florë e faunë shumë të zhvilluar.
Tale bën pjesë në zonën e mbrojtur mjedisore, parkun apo rezervatin natyror “Kune – Vain – Tale”, ku gjendet bimësi e lartë dhe gjallesa të shumta. Ka rreth 280 lloje bimësh, 340 lloje gjallesash, nga të cilat 23 lloje gjitarësh, rreth 200 lloje zogjësh, 58 lloje peshqish, 59 lloje insektesh, 10 lloje amfibesh. Ky park, me rreth 4400 hektarë, për herë të parë është shpallur në vitin 1940, si rezervat gjuetie, kurse në vitin 2010 është shpallur rezervat natyror. Parku natyror “Kune – Vain – Tale” përfshinë Ishullin e Kunës, Lagunën Kune – Vain, pyjet dhe disa sisteme të afërta mjedisore. Parku njihet veçanërisht si vendbanim i rëndësishëm i shpendëve. Pyjet, kallamishtet, kënetat, lagunat, dunat ranore bregdetare, ranishtat, tokat bujqësore, zona e banuar, deti, lumi strehojnë një numër të madh të shpendëve dhe gjitarëve. Ky sistem mjedisor lagunor është një vendbanim i rëndësishëm për dimërimin e rosave dhe një zonë për riprodhimin e peshqve. Si i tillë, parku apo rezervati përfaqëson traditë, histori dhe vlera të larta të natyrës. Vizita në këtë park natyror paraqet një befasi të këndshme, që nuk harrohet kurrë.
Banorët e Tales janë, pos bujq të vyeshëm, edhe peshkatarë tradicionalë. Peshkimi në det dhe në lagunë ka qenë burim i rëndësishëm i jetës, duke i furnizuar me peshk qytetet, që nga Shëngjini, Lezha e Tirana. Mirëpo, si një fushë e ultë bregdetare, tërë zona, edhe fshati Tale, është e rrezikuar nga përmbytjet e lumit Mat, si pasojë e dëmtimit të argjinaturës së lumit.
Pastërtia e ujit, rripi i gjerë i rërës së pastër shëruese, qetësia e dëshirueshme, hapësirat e gjera publike, çmimet e lira, pylli me pisha kanë bërë që ky plazh të pëlqehet gjithnjë e më shumë nga pushuesit si një destinim tërheqës për pushim, sidomos i pëlqyer nga shqiptarët që vijnë nga Kosova.