Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXXIV) – Gucia – qyteza e bukur alpine që po zhbëhet
Gucia është njëra nga dy qytezat e Luginës së Plavë – Gucisë dhe njëra nga 23 qendrat komunale të Malit të Zi, e rishpallur komunë në vitin 2014. Shtrihet afër vijës kufitare me R. e Shqipërisë, aty ku bashkohen lumenjtë Vrujë e Gërnçar, në lartësinë mbidetare rreth 920 metra dhe e rrethuar nga malet e larta të Alpeve Shqiptare. Është vazhdimësi e krahinës së Kelmendit, rreth 200 km nga Prishtina, 100 km nga Shkodra dhe 12 km nga Plava. Të theksojmë se Gucia e kishte statusin e komunës deri në vitin 1953, kur komuna ishte djegur në mënyrë misterioze. Pas zjarrit komuna ishte bartur në një shtëpi tjetër, por edhe asaj i ishte vënë zjarri një vit më vonë (në vitin 1954). Sigurisht se ishte zjarrëvënie e qëllimshme, në mënyrë që të kishte një shkak për t’u mbyllur komuna e Gucisë dhe për t’iu bashkuar komunës së Plavës. Bashkë me dy shtëpitë e djegura njëra pas tjetrës, ishte djegur edhe arkivi i komunës, d.m.th. historia e Gucisë. Me kthimin e komunës, në vitin 2014, sikur është korrigjuar një padrejtësi e bërë ndaj Gucisë 60 vjet më parë.