Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXXII) – Mamurrasi – ish qyteti i mimozave dhe i studentëve

Në Rrethin e Kurbinit e në rrëzë të malit të Skënderbeut, mes Fushë-Krujës e Laçit e në rrugën e vjetër dhe hekurudhën Fushë- Krujë – Shkodër gjendet qyteza Mamurras, njësi administrative në kuadër të Bashkisë së Kurbinit (Laçit) dhe Qarkut të Lezhës. Ndodhet rreth 35 km në veri të Tiranës, 14 km nga Fushë-Kruja, 8 km në jug të Laçit dhe 5 km nga Thumana. Të 8000 banorët e Mamurrasist njihen me emrin Mamurrzakë.
Mamurrasi përmendet nga kronikanët osmanë në mesjetë, në vitin 1431, me emrin Mamur. Bënte pjesë në principatat arbërore të Topiajve dhe të Kastriotëve. Mamurrasi është nga qytetet e para që i ka ngritur bust heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Si vendbanim me popullsi të ardhur e të përzier, Mamurrasi u themelua pas çlirimit, kurse nga vitet ’20-ta të shek. të kaluar e këndej në të u vendosën familje të ardhura nga pothuaj të gjitha krahinat shqiptare, duke përfshirë edhe të shpërngulurit nga Kosova. Është shpallur qytet në vitin 1970.
Dikur pjesa më e madhe e zonës së Mamurrasit ka qenë e veshur me pyje e këneta. Si vend fushor, dikur zona e Mamurrasit kishte prodhimtari të lartë, veçanërisht në bujqësi e vreshtari. Kodrat mbi Mamurras ishin të mbuluara me vreshta, kurse fusha ishte e mbjellur me perime. Edhe pse qytet i vogël dhe i varfër, Mamurrasi i kishte të gjitha institucionet lokale publike; shkollë të mesme bujqësore, bankë, kopshte, çerdhe, shtëpi lindjeje, kinema, qendër shëndetësore. Sot Mamurrasi është njëri nga qytetet më të varfëra në vend, një qytet i lodhur, i harruar dhe pa ardhmëri, i mbetur kryesisht me persona të moshuar. Nuk ka punë, nuk ka investime, ka pak biznese të vogla, që shkojnë drejt mbylljes. Të rinjtë kanë ikur e po ikin vazhdimisht jashtë shtetit.
Nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 ka pësuar edhe Mamurrasi, kryesisht me dëmtime të shtëpive të vjetra. Dëme kanë pësuar rreth 80 për qind e shtëpive individuale dhe disa pallate të banimit. Në mesin e objekteve të dëmtuara rëndë ishte edhe godina e gjimnazit të Mamurrasit, në të cilën mësojnë 430 nxënës. Kjo shkollë po ndërtohet nga themelet me standarde më të larta bashkëkohore.
Qyteti i Mamurrasit në periferinë e tij kishte edhe “Qytetin Studenti”, një “qytet” që tash është kthyer në gërmadhë, pa kujdesin e askujt. Ndërtesat, ku dikur studentët e USHT kryenin praktikën, janë shkatërruar gjatë tri dekadave të fundit. Dikur zona ku ndodhej “qyteti” ishte e gjelbëruar dhe e rrethuar me pisha e drunj dekorativë, të cilat i kanë kultivuar vetë studentët. “Qyteti Studenti”, i pagëzuar kështu nga vetë studentët, kishte gjallëri rinore dhe shtrihej në një mjedis të mrekullueshëm.
Për shkak se në qytet kishte shumë lule të mimozës, Mamurrasi njihej si “Qyteti i Mimozave”, por që këto lule sot pothuaj se janë tretur. Tifozët e ekipit të futbollit “Mamurrasi” tashmë e kanë ripagëzuar skuadrën e tyre me emrin simbolik “Mimozat e qytetit”.
Edhe qyteti i Mamurrasit mëton ta zhvillojë agroturizmin përmes investimeve në infrastrukturë, në mjedis, bujqësi… Sipër Mamurrasit, në fshatin Shëmri, ndodhet kisha 600-vjeçare e Shën Mërisë, e cila ruhet e respektohet edhe nga besimtarët myslimanë. Ky fshat, i rrethuar me vreshta e ullishte, është i përshtatshëm për dalje në natyrë – piknik. Vetëm 9 km në perëndim ndodhet fshati Adriatik, që lidhet me zonën turistike bregdetare, me lagunat dhe rezervatin natyror.