Pothuaj të gjithë ne që e kemi vizituar Republikën e Shqipërisë, veçanërisht ata që kanë udhëtuar poshtë Tiranës, kemi kaluar por nuk kemi ndaluar, të paktën për një kafe, në qytetin e vogël të Vorës. Vora gjendet mes dy qyteteve të mëdha të Shqipërisë; Tiranës (16 km,) e Durrësit (18 km), nga kalon autostrada Tiranë – Durrës e ku degëzohet rruga drejt Fushë Krujës. Gjithashtu, nëpër Vorë kalon edhe hekurudha Tiranë – Durrës dhe degëzohet hekurudha nga Vora për në Shkodër. Stacioni i Vorës është i vogël dhe i vjetër, gati në shkatërrim, i ndërtuar kur u ndërtua hekurudha Tiranë – Durrës në vitet 40-ta të shek. të kaluar. Qyteti i Vorës është qendër e bashkisë, e përbërë nga tri njësi administrative dhe 18 fshatra, që i përket Rrethit dhe Qarkut të Tiranës. Vora ka pozitë shumë të mirë gjeografike, duke u shtrirë në kryqëzimin kryesor të rrugëve veri – jug, duke qenë në afërsi të qyteteve të mëdha, Tiranë e Durrës, si dhe afër aeroportit të Tiranës në Rinas (9 km). Ka reliev të ulët, i rrethuar me kodra që nuk lartësohen më shumë se 500 metra. Duke pas këtë pozitë të favorshme, në Vorë e rrethinë janë ndërtuar kapacitete të rëndësishme industriale dhe janë hapur shumë ndërmarrje afariste private. Në Bashkinë e Vorës, me rreth 25 mijë banorë, janë të regjistruara rreth 800 biznese, duke përfshirë edhe ndërmarrjet e industrisë së lehtë dhe të industrisë së materialit ndërtimor, si dhe bizneset me prodhime bujqësore. Theksojmë se nëpër Vorë kalon 43 për qind e tërë prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të shtetit. Si rrjedhim i zhvillimit ekonomik, 30 vitet e fundit Vora ka rritje të shpejtë të numrit të popullsisë. Vendi ku u ngrit fabrika e parë dhe nga fabrikat e pakta në Shqipëri është Vora. Fabrika e tullave e tjegullave e Vorës u ndërtua në vitin 1928 nga një shoqëri italiane. Pas çlirimit u shtetëzua dhe u riparua, duke e shtuar shumëherë kapacitetin prodhues, kurse në vitin 1995 u hodh në ankand dhe u privatizua. Fabrika, me 42 hektarë tokë, që ndodhet pranë autostradës Tiranë – Durrës, në vend se të modernizohet e ta shtojë prodhimtarinë pas privatizimit, mori tatpjetën, duke shkuar drejt mbylljes në vitin 2012 e duke u shndërruar në një greminë, me ç’rast mbetën në rrugë rreth 2000 punëtorë. Emri i Vorës lidhet me kohën e Skënderbeut, që rrjedhë nga emri “vorre”, pasi thuhet se aty varroseshin ushtarët e rënë në luftë. Ndër bashkitë më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 është bashkia dhe qyteti i Vorës. Në Vorë e rrethinë janë dëmtuar rëndë 19 pallate banimi, kurse Qeveria ka filluar ndërtimin dhe rindërtimin e banesave dhe shtëpive private të dëmtuara. Vetëm në Vorë ishin paraqitur si të dëmtuara rreth 2500 banesa, nga të cilat do të rindërtohen rreth 1000 të tilla. Krahas ndërtimit dhe rindërtimit të banesave të reja, qyteti po pëson ndryshime edhe në pikëpamje të rregullimit urban, po përjeton një transformim të mirëfilltë me rrugë e bulevarde të reja, me zona këmbësorie, me risistemim të qarkullimit rrugor, me ndërtimet individuale, me ndërtimin e tregut të ri, me ngritjen e kompleksit sportiv, me godinën e re të bashkisë, me krijimin e hapësirave të gjelbra etj. Në sipërfaqe prej 10 hektarësh do të prishen të gjitha pallatet dhe ndërtesat e dëmtuara, do të krijohet një kantier i madh ndërtimi për të rilindur qendra e re e qytetit.“Një bibliotekë për Vorën”, është projekt i disa OJQ-ve rinore dhe i një agjencie zvicerane. Vora është qyteti i vetëm që nuk ka qendër rinore, qendër kulture, bibliotekë, objekte e hapësira sportive, kinema e teatër. Të rinjtë e Vorës, që përbëjnë rreth 27 për qind të popullsisë, me tri shkolla të mesme, duke ndier mungesën e bibliotekës e të organizuar nga grupimi “Tamam” kanë dorëzuar në Bashki projektin dhe peticionin me 1200 nënshkrime, ku kërkojnë që në planin e rindërtimit të qytetit të përfshihet edhe ndërtimi i një biblioteke dhe një qendre rinore. Që nga viti 1990 qyteti nuk ka bibliotekë!Edhe pse Vora ndodhet në një pozitë dhe në një udhëkryq të rëndësishëm, me shumë biznese, ajo ngjante më shumë në një vend të izoluar e të paperspektivë. Madje, Bashkia e Vorës ka problem për furnizim me ujë, ka rrugë të parregulluara e shkolla të vjetruara etj. Fshati i vjetër i Prezës, njësi administrative në kuadër të Bashkisë së Vorës, është vendi ku zhvillohet turizëm historik dhe piknik familjar. Në Prezë ndodhet njëra ndër kalatë më të rëndësishme mesjetare të Skënderbeut, e cila tërheq vizitues të shumtë gjatë tërë vitit.
HomeShqipëria/AktualitetBerat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXV) – Vora – qyteti që kërkon një bibliotekë
Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXV) – Vora – qyteti që kërkon një bibliotekë
add a comment