Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXIII) – Shasi – qyteti (i fshehur) mesjetar

Qyteti antik i Shasit, Qendra Arkeologjike e Shasit, fshati i Shasit, Mali i Shasit, Kodra e Shasit, Liqeni i Shasit…! Shasi, i njohur në histori me emra të ndryshëm, si: Svaç, Suatio, Suaço, Svacio, Sovacci, Scaç, Fshas, Saffazi, Rizana, është ende një enigmë e pashpjegueshme; kush e çka ishte, kush e kur e kishte ndërtuar, kush jetonte në të?! Shasi sot është një fshat i vogël në Anën e Malit, komuna e Ulqinit. Fshati i Shasit gjendet jo larg rrugës Ulqin – Shkodër, 22 km nga Ulqini, një kilometër larg qytetit të vjetër të Shasit, dy – tre km nga Katërkolla ose nga rruga Ulqin – Shkodër. Sipas regjistrimit të vitit 2003 ky fshat kishte rreth 400 banorë, të gjithë të përkatësisë etnike shqiptare. Banorët e Shasit merren kryesisht me bujqësi, blegtori e peshkim, kurse një pjesë e madhe e tyre kanë emigruar jashtë shtetit. Fshati ka peisazh natyror shumë të bukur, i pasur me botën bimore e shtazore, në veçanti me Pelikanin Dalmat. Shtëpitë, të ndërtuara me gurë, janë të një stili të veçantë bregdetar. Pos fshatit të tashëm, Shasi është “qytet i vdekur” mesjetar, qytet gërmadhë, i quajtur nga banorët vendës me emrin “Kishat”. Qendra arkeologjike e Shasit sot është një vend me rrënoja të kishave mesjetare dhe të ndërtesave, të mbuluara nga shkurret. Ndodhej pranë rrugës antike mes Shkodrës e Ulqinit, në një kodër mbi Liqenin e Shasit dhe mbi një fushë të gjerë pjellore. Në kohën antike në afërsi të Shasit të sotëm gjendej një vendbanim ilir. Për herë të parë përmendet si qytet peshkopal (Svacia Civitas) në shek. IX nga Papa Aleksandri II. Megjithatë, është vërtetuar se jeta në Shas ka vazhdimësi që nga neoliti e këtej. Nemanjiqët e Rashkës e kanë pushtuar rreth vitit 1183, duke e shkatërruar qytetin pothuaj tërësisht, duke i shkatërruar kishat arbërore dhe duke i konvertuar banorët me dhunë në fenë ortodokse. Gjatë tërheqjes së mongolëve nga Dalmacia në vitet 1241 – 1242, Shasi u sulmua dhe u rrënua përsëri, por e rindërtoi mbretëresha Helena e Anzhuinëve. Në gjysmën e dytë të shek. XIV Shasi bie në duart e Balshajve, pastaj nën Venedikun. Pas rënies së Shkodrës e rrethinës nën pushtimin osman, nga fundi i shek. XV, Shasi u braktis dhe u kthye në rrënoja. Plotësisht u rrënua në vitin 1571, prej kur njihet vetëm si “qytet i vdekur”. Arqipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, në vitin 1610, ka shkruar: “Shasi, dikur qytet shumë i madh dhe i fortifikuar më së miri, sikurse edhe sot, e tregojnë rrënimet e tija”. Sipas Bicit Shasi kishte 80 shtëpi. Legjenda, e përshkruar në vitin 1533 nga Justiniani nga Gjenova thotë se Shasi kishte 365 kisha, d.m.th. aq kisha sa ditë ka viti… Mirëpo, sot dallohen vetëm tetë kisha, nga të cilat dy janë më të mëdha, të ndërtuara rreth vitit 1300; katedralja françeskane e Shën Mërisë, e cila ishte e ruajtur deri në tërmetin e vitit 1979, kur një pjesë e saj u rrënua dhe katedralja e Shën Gjon Pagëzorit, e ndërtuar në stilin gotik. Qyteti antik dhe mesjetar i Shasit është shumë pak i hulumtuar. Së pari është studiuar nga ballkanistja angleze, Edit Durham, kurse hulumtimet e para janë bërë në vitin 1985 nga Akademia e Shkencave e Serbisë. Mirëpo, Akademia serbe i kishte ndërprerë kërkimet kur e kishte parë se po paraqitej një qytet ilir – arbëror. Shumë kohë autoritetet jugosllave dhe malazeze, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, e kanë fshehur të vërtetën për këtë qytet arkeologjik, kurse kisha serbe disa herë ka provokuar dhe ka shkaktuar incidente me shqiptarët, me pretendimin se ky lokalitet u përket atyre. Nga hulumtimet e deritashme në këtë qytet janë gjetur monedha metalike që nga periudha bizantime në shekujt XII e XIII. Janë zbuluar edhe enë e pajime shtëpiake, stoli etj. Qyteti i Shasit në shek. XIV prente monedhat e veta dhe kishte statutin e vet. Në vitin 1443 Shasi ishte fshat i thjeshtë, kurse në vitin 1476 përmendet si “Villa de Suazzo” – fshati i Shasit. Në Shas ka shërbyer si prift Gjon Buzuku, autor i librit të parë shqip, kurse në vitin 1443 ipeshkëv ka qenë Pal Dushmani. Poshtë kodrës së Shasit, ku gjendet “qyteti i vdekur”, shtrihet liqeni i vogël i Shasit me sipërfaqe që varion nga 3.6 km2 deri 5.3 km2. Gjatë verës gjatësia e liqenit shkon deri 3.2 km dhe gjerësia 1.5 km. Ka lartësi mbidetare vetëm një metër, kurse thellësia e tij shkon deri në 8 metra. Edhe sasia e ujit varion si rrjedhim i ndryshimeve stinore të ujërave, sepse liqeni i Shasit lidhet me lumin Buna përmes kanalit të Shëngjergjit. Ky kanal ka dy kahje të lëvizjes së ujit, për furnizimin me ujë dhe për zbrazjen e liqenit. Niveli i liqenit rritet varësisht nga rritja e nivelit të Bunës. Pos nga Buna liqeni mbushet edhe nga përrenjtë, që derdhen në të. Niveli mesatar më i lartë është në muajin shkurt e niveli më i ulët, në muajin gusht. Për shkak të cektësisë, liqeni në pjesë të madhe mbulohet nga bimët kënetore, kallamishtet, kurse aty banojnë shumë lloje shpendësh dhe peshqësh. Ndryshe, liqeni është quajtur si “Eldorado e shpendëve”. Rreth bregut të liqenit shtrihen fshatrat Shasi, Amulli, Fraskanjeli, Shëngjergji e Kllezna. Arkeologu i njohur, Moikom Zeqo, ka paraqitur hipotezën se Shasi i lashtë ka qenë në fushë, që sot është e mbuluar nga liqeni e ku lypset të bëhen hulumtime arkeologjike nënujore. Këtë hipotezë e mbështesin edhe gojëdhënat, por edhe pjesët e mureve dhe kalldrëmet e rrugëve që shihen kur ulet niveli i liqenit. Qyteti dhe liqeni i Shasit është vend ideal për ekskursion. Restoranti dhe moteli “Shasi”, i ndërtuar në bregun e liqenit, që shërben edhe si një muze etnografik, përgatit ushqime të pasura të peshkut dhe të traditës, si dhe krijon mundësi për vizitë më të kompletuar qytetit mesjetar dhe bukurive të këtij mjedisi panoramik. Turistëve u mundësohet edhe lundrimi nëpër liqen, të bërit not, të bërit piknik, ecje në natyrë, lojëra sportive, etj. Shasi është një qytet unik në botë, një monument i trashëgimisë së pasur arbërore, një qytet i lulëzuar kishtar, një qytet “kalendar”, që ka zgjuar interesimin, vëmendjen dhe kurreshtjen e studiuesve, historianëve, albanologëve, etj. Shasi ende gjendet nën dhe e nën ujin e liqenit, i pahulumtuar, madje edhe i fshehur nga ata që duan ta përvetësojnë.