Shtegtime nëpër Atdhe (CXVI)DRAGOBIA – FSHATI, TË CILIT I DHA NAM BAJRAM CURRIEmrin e fshatit Dragobi e kemi mësuar shumë herët nga elegjia e Nolit për tribunin popullor, Bajram Currin, me titull “Shpellë e Dragobisë”. Thuhet se emrin Dragobi fshati e ka marrë nga krijesa mitike shqiptare, Dragua, Dragoni, porse dragua ishte edhe vet Bajram Curri. Dragobia, fshat rreth 400-vjeçar, me rreth 80 shtëpi, gjendet në një natyrë epike, në një luginë të thellë skaj lumit Valbona dhe mes majave të larta të Alpeve Shqiptare, 14 km nga qendra e bashkisë dhe e rrethit Tropojë, qytetit Bajram Curri dhe 11 km nga fshati turistik i Valbonës. Nga 50 shtëpi që kishte dikur, 33 prej tyre ishin kulla trikatëshe prej guri, të cilat shpeshherë ishin bërë fortesa lufte. Rreth 20 kulla karakteristike shekullore ruhen edhe sot. Edhe shtëpitë janë të stilit tradicional alpin, me çati të pjerrëta. Fshati malor i Dragobisë është i njohur për trimëri; ka një hero të popullit, tetë dëshmorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe tre dëshmorë të LNÇ-së. Zeqir Elezi, i njohur si Shpend Dragobia, ka qenë përfaqësues i vetëm i Kosovës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912. Shpella e Dragobisë apo Shpella e Bajram Currit, një monument natyror me vlera shkencore, mësimore dhe historike, me gjatësi 8 metra, gjerësi 3 – 4 metra dhe lartësi 2 – 4 m., ndodhet sipër fshatit, mes një pylli të dendur me ahe e pisha, në lartësi mbidetare 1200 m. Shpella, e vendosur në një shkrep malor, paraqet bukuri natyrore dhe trashëgimi historike. Aty është strehuar dhe, pasi është rrethuar nga forcat qeveritare, është vetëvrarë, më 29 mars 1925, tribuni popullor, Heroi i Popullit, Bajram Curri. Noli e përjetësoi Bajram Currin, përmes elegjisë: Atje nisi, atje mbarojAtje krisi, atje pushoj, Rrufe-shkab’ e Malësisë,Në një shkëmb të Dragobisë.Për fat të keq, kjo shpellë ende nuk ka hyrë në guidat turistike dhe pak kush ka mundur ta vizitojë, sepse ndodhet në një terren të thyer, ku mungon rruga. Po të kishte kushte elementare për ta vizituar, shpella mund të shndërrohet në një vend të vërtetë pelegrinazhi. Edhe pse fshat i vogël, Dragobia ka nxjerrë këngëtarë, lahutarë, valltarë, skulptorë, të njohur në të gjitha trojet tona. Nga ky fshat ishte edhe “çika e Dragobisë”, këngëtarja e njohur, e popullarizuar në të gjitha trojet shqiptare, Fatime Sokoli, e cila këndonte aq bukur me çifteli nëpër oda e në RTV:
Jam nji çikë nga Dragobia
Hije m’ka n’dorë çiftelia,
Vet e gdhenda me dru të manit
N’derë të shpellës s’bac Bajramit.
Lugina e Valbonës është Park Kombëtar, kurse fshati Dragobi, në brendësi të saj, është i njohur për bukuritë natyrore, për pamjet e rralla e të mrekullueshme, me maja të rrëpinjta, me shkëmbinj të mëdhenj e me lumin më të kthjellët në Shqipëri. Aty malet ngriten thik përpjetë, sikur duan ta mbërrijnë qiellin e lartë. Si fqinje e parë e fshatit turistik, Valbonës, edhe në Dragobi ka filluar të zhvillohet turizmi malor. Fshati ka pamje mahnitëse, me shumë monumente natyrore, si drurë shekullorë, shpella interesante, kanione të thella, liqene akullnajore, ujëvarja e mrekullueshme, që lëshohet pingul nga mali. Të gjitha këto mrekulli paraqesin interes gjithnjë e më të madh për t’u vizituar nga turistët vendorë e të huaj. Në Dragobi, si dhe në Valbonë dhe në tërë Luginën e Valbonës zhvillohet, pos turizmit, edhe peshkimi, alpinizmi, hajkingu etj. Përshtypje të veçantë bëjnë banorët e Dragobisë, ata janë malësorë trima e bujarë, mikpritës të traditës shqiptare.