Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXLVII) – Vermoshi – fshati në çatinë e Shqipërisë Londineze

Shtegtime nëpër Atdhe (CXLVII)
VERMOSHI – FSHATI NË KULMIN E SHQIPËRISË LONDINEZE
Në skajin më verior, në kulmin e Republikës së Shqipërisë, në Malësinë e Madhe dhe në zonën e Kelmendit ndodhet fshati malor turistik i Vermoshit. Vermoshi shtrihet në Alpet Shqiptare, i rrethuar në të dy anët me vijën kufitare me Malin e Zi. Gjendet rreth 4 km nga rruga panoramike Hani i Hotit – Plavë, i ngritur në një fushë apo luginë, me lartësi mbidetare 1100 m, e rrethuar në të gjitha anët nga malet e larta shkëmbore. Nga Shkodra është rreth 100 km, nga Kopliku 80 km, nga Gucia 14 km. Vendbanimin më të afërm e ka fshatin turistik të Lëpushës, 12 km larg.
Vermoshi është fshati më i madh i Alpeve Shqiptare. Në vitin 1895 kishte 12 shtëpi, në vitet 30-ta të shek. të kaluar, 35 shtëpi, kurse sot ka rreth 350 shtëpi, por në 200 prej tyre nuk jetohet më, ato qëndrojnë të mbyllura. Deri në vitin 1990 fshati kishte rreth 1300 banorë, por ky numër, për shkak të emigrimit, sot është i përgjysmuar. Kelmendasit e Vermoshit me shumicë kanë emigruar dhe janë vendosur në qytete të vendit apo nëpër botë, kryesisht në SHBA, Kanada e Angli.
Fshati dhe tërë zona e Vermoshit ka klimë malore me dimra të ftohtë e verëra të freskëta. Është i pasur me pyje e kullota, me burime e rrjedha lumore, me tri ujëvara, me kanione të thella, me shpella interesante, me florë e faunë të pasur, me shumëllojshmëri bimësh. Përmes fshatit përshkon Lumi i Vermoshit apo Lumi Lim, lumi që bën pjesë në Pellgun e madh të Danubit dhe lumi i vetëm në R. e Shqipërisë që nuk derdhet në Detin Adriatik por merr drejtimin nga Deti i Zi. Livadhet dhe kullotat alpine janë të pasura, pos tjerash, edhe me 30 lloje të bimëve mjekësore. Zona e Vermoshit njihet për bulmetin e cilësisë së lartë, si dhe për kultivimin e patates me rendiment të lartë.
Nga problemet më të mëdha të fshatit janë ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike. Ngase mungon mjeku në fshat, banorët duhet të udhëtojnë 30 km deri në Tamarë për një vizitë mjekësore apo, në rastet më të shpeshta, ta kalojnë vijën kufitare dhe të mjekohen në Guci apo Plavë. Edhe furnizimi i popullsisë me artikuj ushqimorë bëhet kryesisht në Plavë e Guci. Gjatë dimrit shpesh ndodhë që fshati të izolohet nga bora, që zgjatë më shumë se 100 ditë në vit.
Të përkujtojmë se zona e Vermoshit, si pikë strategjike, që nga shek. XIX ka qenë një territor të cilin kanë synuar ta përvetësojnë fqinjët grabitçarë serbo – malazias. Ishte Mem Smajli (1790-1860) i pari që, rreth vitit 1860, mbrojti fshatin e tij nga fqinjët sllavë. Përpjekjet sllave për marrjen e Vermoshit kanë vazhduar edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Pas katër vjet të diskutimeve “për” dhe “kundër”, me firmosjen e një protokoli në Konferencën e Ambasadorëve në Paris në vitin 1926, fshati i Vermoshit ka mbetur përfundimisht territor i Shqipërisë, por jo edhe një pjesë e malit të Vermoshit. Dihet Marrëveshja Zogu – Pashiq e vitit 1924, ku Jugosllavisë i bëhen lëshime, pos tjerash, edhe për Shën Naumin e Vermoshin.
Një veprimtari kulturore tradicionale që zhvillohet në prani të mijëra bashkatdhetarëve të ardhur nga tërë bota, është “Logu i Bjeshkëve”. Qafa e Bordolecit mes Vermoshit e Lëpushës dikur ishte log kuvendimesh, sot për çdo gusht është një log ku defilojnë vajzat, të cilat i paraqesin veshjet tradicionale kombëtare të zonës së Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe, sidomos xhubletën karakteristike të vendit. Me këtë rast zhvillohet një program artistik dhe, në fund, zgjedhet vajza më e bukur “Miss Bjeshka”. Kjo veprimtari kulturore artistike e përuron më së miri turizmin dhe trashëgiminë kulturore të Malësisë së Madhe.
Zona gjeografike e Vermoshit është e pasur, pos bukurive natyrore, edhe me histori të bujshme, me legjenda të vjetra. Shtëpitë janë tipike alpine prej guri, disa nga të cilat tashmë janë kthyer në bujtina për turistë.
Vermoshi është një park i bukur natyror, ku mund të zhvillohen veprimtari të ndryshme, si ngjitjet malore, shëtitjet në natyrën e paprekur, skijimi në borë, peshkimi sportiv i troftës, biçiklizmi nëpër male, gjuetia e kafshëve të egra etj.
Sot Vermoshi është një realitet i ri turistik, është njëri nga fshatrat malore më turistike në Shqipëri, është fshat që krijon mundësi të mëdha për pushime dhe qëndrim të turistëve e vizitorëve. Zona e Vermoshit paraqet një vend të mrekullueshëm me peisazhe mahnitëse që vizitohet gjatë tërë vitit, veçanërisht gjatë muajve të verës. Turizmi malor po zhvillohet shpejt viteve të fundit edhe falë ndërtimit të rrugës para pesë – gjashtë vjetëve, që lidhë Vermoshin në dy kahje; me Plavën e Gucinë dhe me Koplikun e Shkodrën. Shumë bashkatdhetarë të këtij fshati janë kthyer nga mërgimi dhe kanë investuar në fshatin e tyre. Pse jo, kur natyra e Alpeve Shqiptare nuk mbetet prapa natyrës së Alpeve Zvicerane!