Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXLVI) – Zogaj – fshati turistik i peshkatarëve

Zogaj është një fshat i vogël në perëndim të qytetit të Shkodrës, në bregun e liqenit të Shkodrës dhe në këmbët e malit të Taraboshit, shumë afër vijës kufitare me Malin e Zi. Është fshat turistik dhe fshat i peshkatarëve, që ka reliev mbizotërues malor, kodrinor dhe pak sipërfaqe fushore bregut të liqenit. Fshatin më të afërt e ka Shirokën, nga ana shqiptare dhe fshatin Skje, në anën tjetër të kufirit.
Në vitin 1996 Zogaj me Shirokën, me një vendim të qeverisë, iu bashkuan qytetit të Shkodrës, duke marrë statusin e lagjeve të qytetit. Mirëpo, lagjja Zogaj, me mbi 100 shtëpi dhe rreth 500 banorë, ndihet e diskriminuar nga qyteti i Shkodrës. Rruga përshkuese buzë liqenit e rrëzës së Taraboshit, që lidhë Shkodrën me Shirokën e Zogajn, e gjatë rreth 11 km, është rrugë panoramike, por pjesa nga Shiroka deri në Zogaj, rreth 6 – 7 km e gjatë, është shumë e ngushtë, e dëmtuar dhe aspak e mirëmbajtur. Shumë turistë ndalen në Shirokë e nuk e vazhdojnë për Zogaj m’u për shkak të rrugës së keqe, që është bërë burim aksidentesh. Pos rrugës, fshati ballafaqohet edhe me shumë probleme tjera jetësore. Problemi më i madh është ikja e popullsisë në Shkodër dhe veçanërisht në emigrim. Nga rreth 300 familje që fshati kishte deri në vitin 1990, sot kanë mbetur rreth 100.
Kahmot është kërkuar, kurse më 3 korrik 2018, para më shumë se tri vjet, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e mbajtur në Shkodër, është nënshkruar marrëveshja për hapjen e pikës kufitare mes fshatit Zogaj, në njërën anë dhe fshatit Skje, në anën tjetër. Prej atëherë, sa dihet, nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Janë vetëm tri kilometra rrugë që duhet të ndërtohet për t’u lidhur dy shtetet dhe një popull i ndarë. Nga ana tjetër kjo pikë do të kishte ndikim të madh për zhvillimin ekonomik, veçanërisht për zhvillimin e turizmit në tërë bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës dhe për lidhjen e zonës së Krajës e më tej me Shkodrën.
Fshati Zogaj njihet për peshkimin, blegtorinë e imtë, për bimët mjekësore, për ullishtat, si dhe për natyrën e paprekur dhe për klimën shëruese që ka. Tokë buke fshati nuk ka. Thuhet se gratë rrinë në tezgjah, duke thurrë qilima dhe burrat ndodhen në liqen, duke peshkuar. Tradita e punimit të qilimave tradicional, tava e famshme tradicionale e krapit, plazhet publike, moli me barkat, shtëpitë e vjetra të kthyera në bujtina krijojnë mundësi ideale për pushime të mira e të lira.
Është interesant dhe origjinal mënyra e punës së përbashkët të peshkatarëve zoganjarë. Peshkatarët ngrihen pa zbardhur dita, i lëshojnë rrjetat në liqen e kur kthehen në mbrëmje në breg, tërë preja grumbullohet në një vend dhe pastaj ndahet në pjesë të barabarta familjeve të peshkatarëve, madje i furnizojnë me peshk edhe familjet që nuk kanë djem për t’i dërguar për peshkim.
Zogajt, i ndërtuar nga guri në bregun e liqenit më të madh të Ilirikut, është një fshat i mrekullueshëm, që bashkë me Shirokën, i tërheq shkodranët dhe turistët nga tërë vendi për t’i shijuar bukuritë, por edhe gatimet, mjaltin e sherbelës, pamjet piktoreske dhe drekat e darkat e begatshme. Sepse, aty nuk ka pluhur e tym makinash, nuk ka zhurmë e kolona automjetesh, nuk ka ndërtime që krijojnë pengesa në rrugë. Aty ka natyrë të qetë me shumë zogj të butë dhe të egër, ka klimë shëruese, sepse nëpër fshat, siç thonë, kalon një rrymë ajrore që vjen nga Alpet. Nga aktivitetet në Zogaj mundësohet shëtitja me barka në liqen dhe shëtitja apo ecja në mal. Buzë liqenit ndodhen disa restorante peshku të pasura edhe me ushqime tradicionale. Është ngritur edhe një pikë për vrojtimin e zogjve.

Postimet e fundit !