Të gjithë ata që kanë dëgjuar për Thethin, dëshira e parë e tyre do të ishte ta vizitojnë sa më parë që të munden. Një pjesë e madhe e kanë vizituar, edhe pse rruga ka qenë tepër e vështirë, një aventurë e vërtetë. Janë bukuritë mahnitëse natyrore, të papërshkrueshme, si dhe janë njerëzit bujarë mikpritës që këtë vend e bëjnë të famshëm, duke tërhequr turistë të shumtë, vendës e të huaj, shumica të huaj.
Thethi, me rreth 50 familje (200 të shpërngulura), ndodhet në Malësinë e Madhe, në krahinën e Shalës dhe në zemër të Alpeve shqiptare. Shtrihet në një luginë të thellë mes maleve të larta, në lartësinë mbidetare rreth 700 – 800 m., 75 km nga Shkodra e 60 km nga rruga Tiranë – Shkodër. Pra, Thethi është një pellg i thellë apo një gropë tektonike në formën e një govate në gjatësi 6 km dhe gjerësi 1 km, i rrethuar nga malet e larta të thepisura, me mbi 2500 m. lartësi. Është interesant që një vend me lartësi mbidetare rreth 700 metra të rrethohet me 12 majat nga më të lartat të Shqipërisë, deri në 2679 metra (Maja e Jezercës). Përmes fshatit, si një gjerdan, rrjedhë rrëmbyeshëm Lumi i Thethit (i Shalës). Fshati ka reliev interesant, ku ndodhen burime, ujëvara, pyje të dendura, lumi, qafa malesh, maja malesh, livadhe, kanione, gryka malesh, shpella, shtigje malore.
Për vlerat e tij natyrore, në sipërfaqen prej 2630 hektarësh, Thethi është shpallur Park Kombëtar (1976) dhe Qendër e Mbrojtur Historike. Parku Kombëtar i Thethit, që gjendet në zemër të Alpeve Shqiptare, ka florë e faunë shumë të zhvilluar; bimësi të dendur, shpendë, reptilë, amfibe, shqiponja, flutura, trofta pikaloshe…
Thethi është një vendbanim i hershëm, kurse paraardhësit e thethjanëve janë Labeatët. Me emrin Fusha paraqitet për herë të parë në defterin osman të Sanxhakut të Shkodrës në vitin 1485, kur kishte shtatë shtëpi. Kornelli e përmend fshatin në një hartë në vitin 1668. Në shek. XVI Thethi ishte bërë pjesë e Sanxhakut të Dukagjinit, me qendër në Pejë, kurse në shek. XIX e gjejmë nën Bushatlinjtë e Shkodrës. Në vitin 1905 në Theth ka kaluar Edit Durham, e cilësuar si “mbretëresha e malësorëve”, e cila ka thënë se Thethi është fshati më i bukur që kishte parë. Edhe Shtjefën Gjeçovi, në vitet 1916 – 1917, ka shërbyer në kishën e Thethit.
Për herë të parë është hapur rrugë për Theth në vitin 1936, e cila deri tash vonë ka qenë e paasfaltuar, e ngushtë dhe vështirë e kalueshme. Sot, për të shkuar në Theth rruga nuk paraqet problem. Këto ditë është asfaltuar edhe pjesa e fundit e rrugës, duke e bërë shumë më të lehtë shkuarjen dhe vizitën Thethit, edhe pse mbetet e ngushtë dhe me kthesa të shumta e të forta. Gjatë dimrave rruga bllokohet pothuaj çdo vit nga bora dhe fshati izolohet me muaj të tërë. Për të shkuar në Theth duhet marrë rrugën në rrethrrotullimin e Koplikut, kalohet nëpër fshatin turistik të Bogës, kalohet edhe Qafa eThorës (1700m), një vend pushimi, një ballkon natyror ku gjendet monumenti i albanologut hungarez, Baronit Ferenc Nopça (1877 – 1933). Megjithëse rrugë e vështirë, ia vlenë të kalohet.
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, në vitin 1921, në Theth e kishte hapur shkollën e parë. Thethi sot ka shkollë tetëvjeçare, por ka shumë pak nxënës. Shkolla dykatëshe me shtatë klasë, e ndërtuar në vitet e 80-ta në qendër të fshatit, ishte shkatërruar pothuaj e tëra. Të 20 – 30 nxënësit e fshatit mbanin mësim në një klasë të vetme nga klasa e parë deri në klasën e tetë. Prandaj, nxënësit detyroheshin të mësonin nëpër qytete e fshatra tjerë. Shkolla u meremetua në vitin 2016, kur u pajis me inventar, sistem ngrohjeje, sistem ujësjellësi, materiale mësimore etj. Pos kësaj, kati i dytë i shkollës u shfrytëzua për bashkësi, duke u furnizuar me bibliotekë, laboratorë të kompjuterave, sallë dhe muze.
Si zonë e thellë malore, pos me bukuri magjepsëse natyrore, Thethi njihet edhe për trashëgiminë kulturore dhe historike, siç janë kullat shekullore, mullinjtë etj. Nga objektet e shpallura “monument kulture”, janë edhe Kisha e Thethit dhe “Kulla e ngujimit”. Kisha 300-vjeçare e Thethit, pos si objekt i kultit, ndonjëherë ka shërbyer edhe si shkollë, kurse në sistemin monist ishte maternitet. “Kulla e Ngujimit”, objekt 400-vjeçar, paraqet një objekt unik e të veçantë, paraqet elementin epik të jetesës së malësorëve, duke qenë në funksion të pajtimit të gjaqeve. Për çdo vit, më 2 korrik, mbahet festa tradicionale “Dita e Bjeshkës”. Nga veshjet tradicionale veçohet xhubleta, për gratë dhe tirqit e xhamadani, për burrat. Në Theth, me amanetin e tij, pushon përjetësisht albanologu, Robert Elsie (1950 – 2017), i cili ishte i lidhur shpirtërisht me këto male, kur kishte thënë: “Po të marrësh besën e tyre, askund në botë nuk do të jeni më të sigurt”. Thethi ka dhe Muzeun Etnografik të Dukagjinit, e vendosur në një kullë 300-vjeçare, e shpallur edhe ajo “monument kulture” qysh në vitin 1972. Institucionet e shtetit në 30 vjetët e fundit e kanë harruar këtë muze me eksponate të trashëgimisë kulturore të Thethit e të rrethinës.
Zona e Thethit është vendi ku kanë lindur përrallat e legjendat, ku kanë lindur këngët epike të shoqëruara me lahutë, këngët legjendare të “Eposit të Kreshnikëve”, që u thurrin lavde luftëtarëve për të drejta e liri. Është vendi ku ka lindur “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, si vepër e veçantë e kulturës trashëgimtare shqiptare. Dhe, është vendi ku lindën legjendat për zanat e orët, si krijesa mitike e krenare.
Thethi është vend i përshtatshëm edhe për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme; ecje dhe ngjitje nëpër male, vizitë shpellave, sport të kajakut, peshkim malor, biçiklizëm, sporte në borë, notim etj. Njëra nga guidat kryesore për ecje është shtegu i kalimit nga Thethi në Valbonë dhe anasjelltas. Nga bukuritë e veçanta natyrore është Ujëvara e Grunasit (monument natyre), me 30 metra lartësi, bashkë me Mullirin e Blojës. Aty ndodhet Kanioni i Grunasit (mon. natyre), që është një ngushticë rreth 2 km e gjatë dhe 60 metra e thellë, pastaj Syri i Kaltër (mon. natyre), Shpella e Arapit e shumë të tjera. Tjetër vend tërheqës është burimi i lumit të Thethit, i quajtur Okol, nga uji i të cilit punojnë një HEC i vogël dhe 12 mullinj. Përmes fshatit dhe Parkut rrjedhë Lumi i Thethit, i quajtur ndryshe edhe si Lumi i Shalës, që krijon pamje spektakulare. Janë edhe vaskat e gurit në Ndërlysë, si pishina në shkëmbinj të gërryer nga uji mijëra shekuj, ku sot mund të bëhet plazh në natyrë.
Nga viti 1968 Thethi kishte marrë epitetin e një qendre turistike, kur është ndërtuar shtëpi pushimi për punëtorë, e cila u mbyllë në vitin 1990. Tashmë Thethi është destinimi kryesor i turizmit malor në Shqipëri me shumë lokale e bujtina. Pothuaj të gjitha familjet, që jetojnë në Theth janë të lidhura me turizmin, të cilat për turistët krijojnë kushte banimi dhe ushqimi nëpër shtëpitë e veta prej guri. Çdo ditë rreth 300 deri 500 turistë e vizitojnë këtë perlë të maleve tona për të shijuar natyrën e mahnitshme dhe pamjet madhështore të saj. Zhvillimin e turizmit në Theth e ka mbështetur GIZ-i gjerman (Shoqëria për Bashkëpunim Ndërkombëtar). Pos si Park Kombëtar, Thethi është përfshirë edhe në “Parkun e Paqes”, që përfshinë territoret alpine të shteteve Shqipëri, Kosovë dhe Mal i Zi.
Thethi është vend i magjishëm, një vend që duhet të vizitohet në çdo stinë të vitit. Me bukuritë e papërshkrueshme, me malet që ngriten deri në qiell, me monumentet natyrore e kulturore Thethi mund të krahasohet me fshatrat alpine të Zvicrës. Të hysh në Theth duket sikur ke hyrë në përralla, madje, sikur ke hyrë në parajsë.