Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXL) – Katërkolla – qendër e Anamalit mes Shkodrës e Ulqinit

Anamali është zonë fshatare, fushore dhe malore, me 20 fshatra. Kufizohet me lumin Buna, Malin Tarabosh dhe Liqenin e Shasit. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2003, Anamali kishte rreth 5500 banorë ose mbi 600 banorë më pak se në regjistrimin paraprak, atë të vitit 1991. Popullsia e kësaj treve përballet me kushte të vështira të jetesës, me papunësi dhe varfëri për shkak të mungesës së investimeve në ekonomi. Si të gjitha viset shqiptare, edhe Anamalin e ka përfshirë migrimi i madh i popullsisë në shtetet e jashtme.
Katërkolla është qendër administrative, ekonomike, kulturore e fshatrave të krahinës së Anamalit në Malin e Zi. Ajo është bashkësi lokale në kuadër të komunës së Ulqinit, e gjendur në mes të krahinës së Anamalit, në rrugën Ulqin – Shkodër, aty ku ndahet rruga për Krajë (Ostros), në njërën anë dhe rruga për fshatin mesjetar të Shasit, në anën tjetër. Ndodhet vetëm 8 km larg nga pika kufitare e Sukubinës, 18 km nga Ulqini, 22 km nga Shkodra, 2 – 3 km nga Shasi dhe 18 km nga Ostrosi.
Fshati apo qyteza Katërkollë, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, ka rreth 750 banorë, të gjithë të etnisë shqiptare. Nga viti 1948, kur kishte 460 banorë e deri në vitin 1981, kur fshati kishte 970 banorë, numri i popullsisë është rritur, është dyfishuar, kurse nga viti 1981 e deri në vitin 2011 numri i popullsisë ka pas rënie të vazhdueshme.
Emri i fshatit Katërkollë vjen nga ndërlidhja e fjalëve “katër” dhe “kollë”, nënkupton katër kishat e Shënkollës (Shën Nikollës), që gjenden në afërsi të fshatit. Pas vitit 1912 këtë fshat sllavët e emërtuan Vladimir, sipas një mbreti serb të shek XI, kurse pas LDB janë përdorur të dy emërtimet, më pastaj emërtimi shqip është hequr, për t’u kthyer sërish për përdorim në gjuhën shqipe. Për herë të parë Katërkolla përmendet në vitin 1614 në variantin Cadorcho, në vitin 1878 e gjejmë si Katrokolu dhe në vitin 1881, në një hartë angleze, shënohet si Katrokol.
Pozita gjeografike, si fshat fushor me tokë të begatshme, ka bërë që popullsia të mirret kryesisht me bujqësi e blegtori. Katërkolla njihet për kultivimin e agrumeve; limonit, mandarinës, fikut, ullirit, pjeshkës dhe veçanërisht për kultivimin e shegës. Karakteristikë e zonës është kultivimi i domates dhe i shalqinit. Këtu gjenden prodhimet shtëpiake bio, si ullinjtë, vajin e ullirit, mjaltin, verën, fikun e thatë, djathin… Fshati ka tregun e ri të gjelbër, shumë objekte hoteliere e tregtare. Në Katërkollë është i zhvilluar artizanati, punimi i suvenireve për tregjet e qyteteve turistike, kryesisht për tregun e Ulqinit.
Dita e Shegës është një festë që organizohet çdo tetor, atëherë kur pjeken shegat. Në këtë rast ekspozohen edhe pemët tjera; mandarina, limoni, fiku, gështenja, vaji i ullirit etj. Në këtë festë nuk mungojnë as këngët e vallet, poastaj mbahet panairi i zejtarisë e i fotografisë, paraqiten gatimet tradicionale, organizohet shëtitje deri në fshatin mesjetar dhe në liqenin e Shasit.
Katërkollasit, si tërë anamalasit, i kanë zakonet e traditat e tyre, i ruajnë legjendat e vjetra, dallohen për veshjen e tyre karakteristike popullore, veshjen anamalase. Kjo veshje është e pasur me detajet, ngjyrat, materialin e stolitë e shumta.
Katërkolla ka një kopësht parashkollor dhe shkollën fillore me tetë paralele të ndara fizike nëpër fshatrat e zonës. Ndërtimin e shkollës e ka financuar Republika e Kroacisë, si formë donacioni solidar pas tërmetit të vitit 1978. Për herë të parë mësimi në gjuhën amtare në këtë fshat është mbajtë nga mësues të ardhur nga Shkodra në dy vite shkollore gjatë okupimit italian në LDB, në vitet 1941/42 dhe 1942/43. Pas një ndërprerje dyvjeçare, mësimi shqip ka vazhduar pas LDB. Katërkollë ka edhe shtëpi të kulturës me kino-sallë e bibliotekë, shtëpi të pensionistëve, qendër shëndetësore, zyrë postale, zyrë të elektroshpërndarjes, zyrë e bashkësisë lokale, ofiçari, zyra të policisë së zonës dhe asaj kufitare, zyra të partive politike, zyra të ujësjellës – kanalizimit, qendër të fëmijëve psiko – edukativ, fusha sportive, servise të ndryshme etj. Dikur kishte edhe punishte farkatarie, mullinjë të ujit, që nuk i ka më.
Në Katërkollë ndodhet edhe një monument 200-vjeçar i trashëgimisë kulturore, Pusi i Dervishit. Sipas legjendës, një dervish, për të gjetur ujë për fshatin, ka gërmuar në një vend ku kishte shenja uji. Një ditë të punës vala e ujit ka dalë nga pusi furishëm, sa njerëzit janë detyruar ta mbyllin me lesh, për të mos u përmbytur tokat. Pusi sot është një simbol i bëmirësisë dhe mirëqenies për vendësit dhe udhëtarët.
Sikur tërë Anamali, edhe Katërkolla ka terren shumë të përshtatshëm natyror dhe është një nyje e rëndësishme rrugore. Rëndësia e fshatit është rritur sidomos pas hapjes së pikës kufitare të Sukubinës dhe pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, me ç’rast atypari kalojnë mërgimtarët nga trojet shqiptare për në shtetet e Perëndimit. Të rëndësishëm e bëjnë edhe afërsia me fshatin mesjetar të Shasit dhe me liqenin e bukur të Shasit, një vend historik dhe destinim i rëndësishëm turistik. Gjithashtu, afër Katërkollës gjenden edhe destinime tjera turistike, si Plazhi i Madh, Kriporja e Ulqinit, Liqeni i Shkodrës, Mali Tarabosh, Mali Rumia etj. Qyteza gjendet mes dy qyteteve të mëdha, që kanë histori të pasur dhe turizëm të zhvilluar, Ulqinit dhe Shkodrës. Me bukuritë natyrore dhe monumentet kulturore e historike të fshatit e të zonës vizitori mund të njihet nga Qendra Informative Turistike.
Ata që janë adhurues të ecjeve në natyrë, në Katërkollë do të gjenin terrene shumë të bukura e të përshtatshme, para së gjithash për ta vizituar këmbë Shasin mesjetar dhe liqenin e tij. Në Shas mund të shkohet edhe për gjueti e për peshkim, për shëti e në ekskursion, për piknik e pushim.
Udhëtarët e shumtë, që përshkojnë Katërkollën në udhëtim e sipër, do të duhej të ndaleshin, në mos për asgjë tjetër, për një kafe e për pak pushim në këtë qytezë tonë të bukur!