Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXI) – BUJANI – FSHATI I KULLAVE, I NGJARJEVE DHE I PERSONALITETEVE HISTORIKE
“Kosova e Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”.
Të shkojmë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe të mos ndalemi në Bujan, pothuaj është e pamundur. Aty do ta kërkojmë dhe do ta gjejmë, para së gjithash, kullën – muze të Mic Sokolit, por edhe kullën e Sali Manit e Binak Alisë. Bujani është njëri nga fshatrat më të njohur të Malësisë së Gjakovës – Tropojës, rreth 5 km larg Bajram Currit (Kolgecaj). Shtrihet në anën e majtë të lumit Valbona dhe nën hijen e Malit të lartë të Hekurave (2561 m). Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, Bujani kishte 2550 banorë, por braktisja e fshatit edhe këtu është shumë e lartë. Si vendbanim, fshati Bujan njihet që para epokës së re. Në afërsi të tij ndodhet qyteti i fortifikuar ilir i Rosujës. Gjatë gërmimeve arkeologjike të viteve 1964 – 1965, aty janë gjetur materiale të shumta antike, si vegla pune, enë balte, armë hekuri, monedha ari e argjendi, zbukurime të ndryshme, etj. Kjo qendër ishte e banuar në fundin e mijëvjeçarit të dytë p.e.r. deri në shek. V e.r. Atëherë Rosuja ishte qendra më e rëndësishme e Luginës së Valbonës, e pozicionuar në rrugën natyrore mes viseve bregdetare dhe Dardanisë dhe mes fiseve ilire të Labeatëve dhe Dardanëve. Edhe sot aty ruhet fragmenti i një kulle. Por, qyteti antik i Rosujës tash është i heshtur dhe i harruar nën gështenjat e vjetra. Po në Bujan, në vitin 1982 janë zbuluar disa tuma me varre nga antika e hershme, rreth 3000 vjet të vjetra, ku janë gjetur enë balte, stoli bakri, bronzi e qelqi. Qysh në vitin 1916, nga administrata austrohungareze Bujani ishte shpallë qendër e nënprefekturës, që përfshinte tërë Tropojën, Bytyçin e Nikaj-Merturin. Nga Bujani, në vitin 1925, qendra ishte bartur në Tropojë të Vjetër e në vitin 1952, në Kolgecaj (Bajram Curr). Në vitin shkollor 1923 – 1924 u hap shkolla fillore me konvikt, por që shumë shpejt, po atë vit, ishte transferuar në Kolgecaj. Në Bujan, në kullën e Sali Manit, nga 31 dhjetori 1943 deri më 2 janar 1944 është mbajtë Konferenca historike e Bujanit. Konferenca, ku morën pjesë 49 delegatë shqiptarë e serbë nga të gjitha viset e Kosovës, zgjodhi kryesinë prej nëntë delegatëve dhe nxori dokumentin e rëndësishëm historik, Rezolutën e Konferencës. Në Rezolutë, pos tjerash, thuhet: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”. Edhe pse Rezoluta dhe vendimet e Bujanit ishin në përputhje me qëndrimet e PKJ-së për vetëvendosjen e kombeve, ato u injoruan në Kuvendin e Prizrenit të 27 korrikut 1945, kur nën presion dhe gjendje shtetrrethimi “u vendos” që Kosova t’i aneksohet Serbisë! Vendimet historike të Konferencës së Bujanit politika jonë nuk ka ditur t’i artikulojë gjatë procesit të shtetformimit të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës. Kulla trekatëshe e Sali Manit, e vjetër mbi 200-vjeçare, sot është kullë – muze dhe monument kulture, që ka vlera arkitektonike e historike. Kulla trekatëshe prej guri e Mic Sokolit në fshatin Bujan, malësi e Gjakovës, është një shtëpi tradicionale shqiptare e tipit të ngujimit dhe luftimit. Kjo kullë, me vlera të rëndësishme historike dhe etnografike, është ndërtuar në shek. XVIII. Në të ka lindur Mic Sokoli (1839 – 1881), njëri ndër udhëheqësit e luftës gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i rënë në fshatin Slivovë, afër Ferizajt, më 22 prill 1881, në mbrojtje të Atdheut dhe në përballje me forcat turke. Mic Sokoli është shpallur Hero i Popullit, kurse kulla e tij në Bujan është shtëpi – muze dhe monument kulture e kategorisë së parë.
Në mesin e kullave historike të Bujanit është edhe ajo e Binak Alisë. Binak Alia (1805 – 1895) ka qenë prijës i krahinës, luftëtar dhe pleqnar i njohur i kohës së tij. “Kur n’Kuvend u mlodh Malësia / Prinë Kuvendin Binak Alia”, – thotë kënga popullore. Kulla e tij në Bujan u kishte qëndruar shekujve, duke qenë e djegur dhe e shkatërruar disa herë nga pushtuesit e ndryshëm. Edhe sot kulla dhe oda e saj janë në gjendje të mirë, duke qenë dëshmitare të shumë ngjarjeve dhe personaliteteve historike. Bujani i bregut të Valbonës është vend i pasur me bukuri natyrore dhe trashëgimi kulturore. Është vendi i kullave historike, i këngëve kreshnike, i masivit të gështenjave, i pyjeve e livadheve të buta, i bletarisë e blegtorisë, i turizmit malor. Për këtë fshat kanë shkruar Pashko Vasa, Edit Durham, Kadare, Sulejman Krasniqi e shumë të tjerë. Gjatë historisë Bujani ka qenë vend i punës dhe i pushkës, i arsimit dhe i kulturës. Edhe sot në Bujan gjejmë historinë tonë, por edhe të tashmen, gjejmë banorët e traditës sonë kombëtare, kurdoherë mikpritës e bujarë.