Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CVII) – MALI I DAJTIT – PARKU KOMBËTAR ME TELEFERIK DHE MUZE TË VEÇANTË

Vetëm 25 km në verilindje të kryeqytetit, Tiranës, ndodhet Mali i Dajtit, me lartësi deri 1613 m. i shpallur Park Kombëtar që nga viti 1963. Kur u shpall park kishte 2100 hektarë, në vitin 1966 u zgjerua në 3300 hektarë dhe në vitin 2006, në 29.400 hektarë, duke u bërë parku më i madh kombëtar në Shqipëri. Parku shtrihet edhe pas malit të Dajtit, në pellgun ujor të Bovillës, në rrethin e Krujës, në Malin me Gropa deri në lumin Erzen. Malet që përfshihen në territorin e Parkut janë Mali i Dajtit, Mali i Bastarit (1740 m.), Mali i Tujanit (1513 m.), Mali i Piskës së Madhe (1365 m.), Mali i Piskës së Vogël (1212 m.), Mali me Gropa (1848 m.) dhe Mali i Brarit. Këto male ndahen me qafa dhe gryka e kanione impozante. Në këtë shkrim do të përqendrohemi vetëm për pjesën e parkut të Malit Dajt. Mali i Dajtit, pjesë e Parkut Kombëtar dhe pjesë e peisazhit të Tiranës, është zonë e bukur natyrore. Me ajër të pastër e larg zhurmës së kryeqytetit, është vend i shkëlqyeshëm për pushim, i quajur edhe si mushkëria e Tiranës apo si Ballkoni i Tiranës. Në lartësinë 1050 metra e në gjatësi rreth tre kilometra ndodhet terraca natyrore, që shërben si hapësirë për pushim, sport e argëtim. Ky mal u shërben tiranësve dhe të gjithë turistëve e vizitorëve të vendit dhe të jashtëm gjatë tërë vitit për piknik familjar, për vizitorë të shumtë e për grupe turistësh të vendit e të huaj. Fluksi më i madh i vizitorëve bëhet fundjavëve, kur duket se tërë Tirana ia mësynë malit të Dajtit. Parku pëlqehet edhe për ekskursione nxënësish të shkollave nga tërë vendi, viteve të fundit edhe nga Kosova. Tashmë parku është pjesë e guidave turistike të kryeqytetit dhe të vendit. Mali i Dajtit është i pasur me florë e faunë; drurë e shkurre, bimë barishtore, shtazë e shpendë të egra. Parku ka rreth 26 lloje drurësh e shkurresh pyjore, tetë lloje gjitarësh, 11 lloje shpendësh, duke përfshirë edhe shqiponjën e maleve, shtatë lloje zvarranikësh, katër lloje amfibesh. Është aty pylli i ahut, me drunj 200-vjeçar, pastaj pylli i pishës, pylli i rrapit, pylli me drunj mesdhetar, që e përbëjnë zonën pyjore të Malit të Dajtit. Pyjet e Dajtit janë të paprekura nga dora e njeriut dhe kanë vlera të mëdha shkencore, mjedisore, sportive, turistike. Këto vlera lidhen me klimën e përshtatshme, ajrin e pastër e të freskët, pyllin e dendur, peisazhet e mrekullueshme, relievin e thyer. Zona e Dajtit është e pasur edhe me ujëra natyrore minerale me veti shëruese. Nga kjo zonë, përmes një tuneli nëntokësor, furnizohet Tirana me ujë të pijes dhe punon një hidrocentral i vogël në rrëzë të Dajtit. Dhe, nga ky mal burojnë dy lumenj që e përshkojnë Tiranën, lumi Lana dhe Lumi i Tiranës. Terreni është kryesisht i thepisur e shkëmbor, por edhe me lëndina e livadhe, me burime të kristalta, me shpella e guva, me rrënoja vendbanimesh antike ende të pahulumtuara. Përgjatë rrugës për Dajt dhe në zonën turistike janë ndërtuar objekte të shumta hoteliere. Përkundër bukurive të shumta që jep mali dhe të rëndësisë së madhe që ka, Parku Kombëtar i Dajtit, edhe pse i mbrojtur me ligj, është dëmtuar nga veprimi i disa guroreve të licencuara jashtëligjshëm. Këto subjekte ekonomike private po i zhveshin shpatijet e malit dhe po e shkatërrojnë gjelbërimin, duke krijuar masakër mjedisore. Makina të rënda punojnë pa ndërprerje gjatë nxjerrjes e përpunimit të gurit gëlqeror, të përcjellura edhe me zhurmë e pluhur, pa pasur mbikëqyrje nga askush. Gjithashtu, problem paraqesin zjarret e herëpashershme dhe mbeturinat joorganike, të hedhura pa kriter në zonat turistike. Në shpatin perëndimor të malit të Dajtit, në lartësi prej 1200 m. dhe në sipërfaqe prej 1,12 hektarësh, ndodhet kështjella antike e Dajtit, e zbuluar nga arkeologu i njohur, Neritan Ceka në vitin 1963 dhe e shpallur monument kulture po atë vit. Kështjella ilire e Dajtit i përket antikitetit të vonë, rreth vitit 600 e.r. Prej saj mund të vrojtohet Tirana dhe Fusha e Tiranës, si dhe vargu i kodrave deri në bregdet. Nga Tirana në Dajt mund të shkohet shpejt e lehtë me makinë, po edhe me teleferik. Teleferiku i Dajtit është një atraksion i veçantë gjatë vizitës Tiranës dhe Malit të Dajtit. Udhëtimi 15 minutësh me teleferik kthehet në një aventurë të mrekullueshme, në një përjetim të këndshëm dhe shumë mbresëlënës. Teleferiku, i quajtur “Dajti Ekspres”, në gjatësi prej 5 km, që lidhë me një rrugë të shkurtër kryeqytetin me Parkun e Dajtit, është vepër unikale në fushën e turizmit e rekreacionit, por edhe për mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri e rajon. Vendndodhja e stacionit të poshtëm është e rrethuar nga një natyrë e bukur në periferi të kryeqytetit, ku ka një park, restorant, hotel etj. “Dajti Ekspres” ka kapacitet për bartjen e 360 personave në orë në dhjetra kabina panoramike tetëpersonshe. Një tjetër objekt me interes të veçantë, që nuk duhet lënë pa e vizituar, është bunkeri apo korridori nëntokësor pesëkatësh për mbrojtje nga shpërthimi bërthamor. Bunkeri gjigant është ndërtuar mes viteve 1972 – 1978 me 108 dhoma, me sallë konferencash e mjedise tjera të veçanta, i kthyer në vitin 2014 në muze, me emrin “Bunk’Art”. Bunkeri, që sot është muzeu më interesant në Shqipëri, ndodhet në afërsi të stacionit të poshtëm të teleferikut dhe mund të vizitohet në shkuarje apo në kthim nga Mali i Dajtit. Dajti qëndron madhështor mbi Tiranën, me pamje të mahnitshme mbi një territor të gjerë, i rëndësishëm për turizmin natyror dhe turizmin e aventurës. Nga lartësitë e Dajtit na shfaqen pamjet panoramike të malit e të pyjeve, të fushës e të arave, të fshatrave e të Tiranës. Faktikisht, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana dhe Parku Kombëtar i Malit të Dajtit janë të lidhura ngushtë njëri me tjetrin. Thuhet se Tirana nuk mundet pa Dajtin. Madje, Parku Kombëtar “Mali i Dajtit” konsiderohet si pjesë e Tiranës, si kurorë e gjelbër e tij, si pjesë jetike e tij.