Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXVI) – Korça – qyteti 500 – vjeçar i jeniçerit shqiptar

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXVI)
KORÇA – QYTETI 500-VJEÇAR I JENIÇERIT SHQIPTAR
Korça, me rreth 50 mijë banorë, e ndërtuar në lartësi mbidetare 870 m. rrëzë malit Morava, është njëri nga qytetet më të mëdha e më të bukura të Shqipërisë. Ajo është qendër e bashkisë, e rrethit dhe e prefekturës, si dhe qendër e rëndësishme ekonomike, kulturore, artistike, arsimore… Qyteti paraqitet si një nyje komunikacioni, që lidhet me Tiranën, Elbasanin e Poradecin, nga njëra anë, me Bilishtin e kufirin grekë, nga ana tjetër, pastaj në veri edhe me kufirin maqedonas, me Resnën e Manastirin e në jug me Ersekën e Tepelenëln. Është larg nga Tirana 163 km, nga Manastiri rreth 100 km, nga Kapshtica 34 km, nga Tepelena 174 km.
Historia e qytetit të Korçës ka filluar në shek. XV dhe lidhet me emrin e Ilaz Bej Mirahorit, i kthyer nga Stambolli në vitin 1484. Ilaz Beu ose Ilia Panariti ishte i biri i priftit të fshatit Panarit dhe dhëndër i sulltan Pajazitit II. Ai ishte marrë peng nga sulltan Murati II kur ishte i vogël, ishte rritur dhe shkolluar në Stamboll, ishte dalluar si ushtarak i shkathtë, veçanërisht gjatë rrethimit të Kostandinopojës në vitin 1453. Për meritat e tij luftarake Sulltani i dha Ilaz Beut motrën e vet për grua, e gradoi në mirahor (titull si i gjeneralit) dhe e shpërbleu me prona të shumta. Në fund të karrierës ushtarake Ilaz beu kërkoi të kthehej në vendlindje dhe ta ndërtonte një qytet në vendlindjen e tij. Me leje të Sulltanit u kthye në vitin 1484 dhe në vitin 1496 përfundoi ndërtimin e një xhamie në afërsi të fshatit Peskopje (Peskëpi, Peshkëpi – pesë shtëpi). Xhamia e Madhe ose Xhamia e Ilaz bej Mirahorit, e shpallur monument e trashëgimisë kulturore që nga viti 1948, edhe sot është objekti më i vjetër i Korçës dhe xhamia e dytë më e vjetër në trojet shqiptare. Në një kryqëzim të rrugëve të karvaneve dhe rreth xhamisë shpejt ishte krijuar pazari me 16 hane, katër prej të cilave janë edhe sot, si dhe lagjet me banorë të përhershëm.
Gjatë pushtimit osman Korça, që njihej me emrin Gorica, të cilën osmanët e quanin Gjorixhe (Gierixhe, Gjorçë – turq. shiko e shko), ishte sanxhak dhe bënte pjesë në Vilajetin e Manastirit. Për herë të parë, si qytet, e përmend Gjon Muzaka në vitin 1510. Qyteti në vitin 1783 u bë pjesë e Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës në Janinë dhe u zhvillua veçanërisht pas shkretërimit të Voskopojës nga osmanët në vitin 1788.
Në shek. XIX Korça u bë qendër e Rilindjes Kombëtare. Naum Veçilharxhi e botoi abetaren e parë shqipe, Thimi Mitko – “Bletën Shqiptare”, Spiro Dine – “Valët e detit” etj. Naim Frashëri, Sami Frashëri e rilindës tjerë kishin ndikuar të marrin leje nga Porta e Lartë, në emër të Pandeli Sotirit, për ta hapur një shkollë shqipe. Më 7 mars 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë shqipe me 35 nxënës, kurse në vitin 1891 Gjerasim Qiriazi, me motrën Sevasti, hapën edhe mësonjëtoren tjetër për vajza. Aleanca Ortodokse e Korçës, e udhëhequr nga Mihal Grameno, në vitin 1910 e themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare, të cilën autoritetet osmane dhe greke nuk e njohën.
Traktati i Shën Stefanit, i vitit 1878, ia njohu Korçën e Poradecin Principatës Bullgare, kurse Traktati i Berlinit, të njëjtin vit, ia riktheu Perandorisë Osmane. Pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1912, pretendimet greke ishin shumë të mëdha, sa që më 6 dhjetor 1912 Korça pushtohet nga Greqia. Forcat greke janë tërhequr pas vendimeve të Komisionit të Kufinjve, por qyteti pushtohet përsëri nga grekët, më 10 korrik 1914. Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore qyteti ra, herë nën njërin e herë nën tjetrin pushtues. Erdhën austro-hungarezët, përsëri grekët e, në fund, në vitet 1916 – 1920 qyteti ra nën kontrollin e ushtrisë franceze. Në këtë periudhë, më 10 dhjetor 1916 ishin përfaqësuesit e Korçës, në krye me Themistokli Gërmenjin, që shpallën Republikën e Korçës, një lloj autonomie që mbrohej nga ushtria franceze. Korça u bashkua me Shqipërinë përfundimisht në vitin 1921, kur Komisioni Ndërkombëtar i Kufinjve i rikonfirmoi edhe njëherë kufinjtë e vitit 1913. Edhe gjatë luftës italo – greke, në vitet 1940 – 1941, Korça kishte rënë nën pushtimin grek.
Niveli i zhvillimit ekonomik të Korçës është dalluar nga qytetet tjera të Shqipërisë qysh nga periudha midis dy luftërave botërore. Pos bujqësisë në fushën e Korçës, është i zhvilluar edhe sektori i ndërtimit dhe i prodhimit të materialit ndërtimor, sektori ushqimor dhe sektori i shërbimeve. Korça është qyteti i parë shqiptar që kishte një fabrikë të birrës. “Birra Korça” ka filluar ndërtohet nga një ndërmarrës italian dhe një shqiptar në vitin 1929 dhe ka përfunduar në vitin 1943.
Korça bartë vlera të larta dhe të veçanta kulturore. Me serenatat korçare, si këngë lirike karakteristike të kënduara me kitarë, e bëjnë të famshme në Shqipëri e në botë. Trashëgimia e pasur në arkitekturë e në monumente të kulturës, siç është Pazari i Vjetër, dyqanet e shtëpitë karakteristike, rrugët e kalldrëmta, sheshet e parqet e bukura e bëjnë qytetin me vlera të larta e të veçanta. Në Korçë ka rreth 110 monumente të mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, qyteti është i pasur me ndërtesa të vjetra historike, me një mori muzesh, siç janë: Muzeu Kombëtar i Arsimit, i themeluar në vitin 1968, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar (i vetmi i këtij lloji në trevat shqiptare, i themeluar në vitin 1980), Muzeu Arkeologjik, i krijuar në vitin 1985, shtëpia – muze e piktorit të parë impresionist në Shqipëri, Vangjush Mio (e krijuar në vitin 1945), shtëpia – muze e Themistokli Gërmenjit, muzeu oriental “Bratko”, muzeu “Gjon Mili”, pastaj biblioteka “Thimi Mitko”, fabrika e parë e birrës shqiptare, etj. Është për t’u vizituar edhe Kisha e Shën Gjergjit, e ndërtuar në vitin 1905 e shumë kisha tjera të vjetra. Në kishën e Shën Gjergjit për herë të parë, në vitin 1909, është mbajtur mesha në gjuhën shqipe, kurse në vitin 1922 në të është dorëzuar peshkop Fan Noli.
Gatimet tradicionale në Korçë janë krejt të veçanta. Është i veçantë lakrori me dy petë, i pjekur në saç, lakrori me qumësht, petaniku me groshë, pastaj gatimet e peshkut, të mishit dhe të shpendëve të egra, përvëlaku, etj. Për kuzhinën e mirë dhe tradicionale, për mikpritje të ngrohtë dallohet sidomos “Shtëpia e birrës”.
Korça e ka një shëtitore të gjerë, në krye të cilës ndodhet monumenti “Luftëtari Kombëtar”, i vendosur në vitin 1933, vepër e Odhise Paskalit. Në shëtitore ndodhet Muzeu i Arsimit, kurse në fundin e saj është kulla panoramike në 33 metra lartësi. Në anën tjetër të shëtitores dhe të rrugës kryesore, në qendër të qytetit, ndodhet Katedralja Ortodokse, e ndërtuar në vitin 1992.
Si qytet dhe rrethinë, Korça njihet për vlera të larta e të veçanta turistike, për turizëm kulturor, mjedisor, malor etj. Dhjetra mijëra turistë e vizitojnë çdo vit Korçën, duke u mahnitur me bukuritë dhe vlerat e saj. Korça ka bukurinë, qetësinë, mikpritjen, vlerat historike e kulturore, traditën e pasur dhe të sotmen bashkëkohore… Pos qytetit, me vlera të shumta, janë edhe fshatrat e bukura turistike; Voskopoja, Dardha, Boboshtica, Zaroshka, Prespa etj. Në Qarkun e Korçës ndodhen edhe dy parqe kombëtare; Parku Kombëtar i Prespës dhe Parku Kombëtar “Bredhi i Drenovës”.
Të kujtojmë se Korça është qyteti i shkollës së parë shqipe dhe i shkollës së parë të vajzave, është qyteti i liceut të vetëm francez në trojet tona (1917), është qyteti i gazetës së parë shqipe dhe i shtypshkronjën “Korça”, është qyteti ku doli gazeta e parë liberale “Bota e Re”, e ndaluar nga qeveria, është qyteti i Grupit (të parë) Komunist të Korçës dhe i themelimit të PKSH, është qyteti i demonstratës së parë të popullit (1936)…
Vizitorët i kanë dhënë Korçës shumë epitete: Qyteti i serenatave, Qyteti i karnevaleve, Qyteti i kulturës, Qyteti i artit, Qyteti i birrës, Qyteti i dashurisë, Qyteti i festave, Qyteti i fëmijëve, Parisi i Vogël… Edith Durham e vlerësonte Korçën si “…qytetin më të pastër të Perandorisë Osmane…”. Edhe sot Korça është e para, si qytet i pastër, i rregulluar e i sistemuar, që vlenë të vizitohet në çdo kohë.