Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXV) – Shkupi – qyteti që të jep kënaqësi dhe zhgënjim, njëkohësisht

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXV)
SHKUPI – QYTETI QË TË JEP KËNAQËSI DHE ZHGËNJIM, NJËKOHËSISHT
Shkupi, dikur kryeqendër e Dardanisë dhe e Vilajetit të Kosovës, sot kryeqytet i Republikës së Maqedonisë Veriore, është nga qytetet më të mëdha të Gadishullit Ilirik. Qyteti ndodhet në brigjet e lumit Vardar, në Fushën e Shkupit dhe në rrëzë të Malit Vodno (1066 m.), si një nyje e rëndësishme gjeografike dhe rrugore mes Serbisë, Kosovës, Greqisë, Shqipërisë e Bullgarisë. Shkupi është edhe qendër e madhe dhe e rëndësishme administrative, politike, ekonomike, kulturore, arsimore…, qytet industrial, qendër tregtare, nyje e komunikacionit rrugor, hekurudhor, ajror. Duke qenë qytet i madh, Shkupi ka bashkinë që ndahet administrativisht në 10 komuna.
Gjatë ekzistimit të tij, ka marrë emra të ndryshëm; Scupi, Shkupi, Skopia, Üsküb, Skopje, Skople. Ptolemeu e quajti Scupi, Tit Livi e quajti Sintia, Perandori Justinian, me prejardhje nga Shkupi, qytetit ia dha emrin e vet, Justiniana Prima, romakët e quanin “Colonia Flavia Scupironum”, osmanët e quajtën “Yskup” (Üsküp), Sami Frashëri e quajti “Ysqyp” (Shqup). Pra, Shkupi ka emra, por edhe tipare të kulturës ilire, greke, romake, sllave, osmane, shqiptare. Aty takohen e ndahen dhe aty gërshetohen më shumë se çdokund tjetër orienti dhe oksidenti, Lindja dhe Perëndimi. Shkupi është qytet i shumë popujve dhe shumë feve, qytet i shumë luftërave e konflikteve.
Fusha e Shkupit, në lartësi mbidetare rreth 260 m., ka qenë e banuar nga periudha paraantike, para 6000 vjetëve. Në lashtësi ishte qyteti ilir, Skupi, që ndodhet pak kilometra larg qytetit të sotëm të Shkupit. Është themeluar nga Justiniani i Parë në shek. I p.e.r. Është pushtuar nga romakët në shek. I, i shndërruar në kamp apo koloni të legjionarëve, i njohur si “Colonia Flavia Scupinorum”. Në vitin 395 Scupi u pushtua nga Bizanti, pastaj edhe nga bullgarët (v. 830). Skupin e lashtë e kishte goditur një tërmet i madh në vitin 518, me ç’rast nuk u rindërtua më, por në vend të tij u ngrit një qytet i ri pak kilometra më larg, në brigjet e lumit Vardar. Perandoria Osmane e pushtoi Shkupin në vitin 1392, duke i dhënë emrin Yskyp (Üsküb). Pas rënies së Bizantit, në shek. XII – XIII serbët e bullgarët shfrytëzuan rastin t’i formonin shtetet e tyre dhe të zgjerohen në tokat e huaja. Kështu, në shek. XIV Shkupi bëhet kryeqytet i mbretërisë serbe. Gjatë tërë sundimit 500-vjeçar osman, Shkupi ishte nga qendrat më të rëndësishme të Perandorisë Osmane, si qendër e sanxhakut dhe e vilajetit. Nën komandën e gjeneralit Pikolomini, në vitin 1698 austriakët e pushtuan për disa ditë Shkupin dhe i vunë flakën për ta zhdukur epideminë e kolerës, që e kishte kapluar qytetin. Kryeqendër e Vilajetit të Kosovës u shpall në vitin 1877. Kryengritësit shqiptarë e morën Shkupin më 11 gusht 1912, kurse serbët e pushtuan më 26 tetor 1912. Në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë Botërore Shkupi është pushtuar nga Mbretëria Bullgare, kurse gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë, mes dy lutërave botërore, ishte qendër e Banovinës së Vardarit. Pas LDB, në vitin 1945, Shkupi u bë kryeqytet i Republikës së sapoformuar të Maqedonisë në kuadër të Federatës jugosllave. Shkupi, si një qytet i përkëdhelur i Titos, sidomos pas tërmetit të vitit 1963, ka përfituar shumë me zhvillimin e industrisë dhe ndërtimin e infrastrukturës.
Më 26 korrik 1963 Shkupin e rrethinën e tij e goditi tërmeti i rëndë 9 shkallësh, që mori 1070 jetë njerëzish dhe shkatërroi më shumë se gjysmën e qytetit. Monument historik apo simbol i tërmetit të Shkupit i vitit 1963 ka mbetur ish-stacioni hekurudhor me orën e ndalur nga tërmeti – 5.17. Rindërtimi i shpejt, pas tërmetit shkatërrues, krijoi një qytet bashkëkohor e mbresëlënës. Shkupi është quajtur qytet i solidaritetit, sepse për rindërtimin e tij ndihmoi tërë shteti jugosllav dhe tërë bota. Edhe projekti i mëvonshëm, i quajtur “Shkupi 2014” kishte për qëllim t’i jepte qytetit karakter monumental dhe historik njëetnik maqedonas, me ç’rast u ngritën shumë përmendore e shtatore për personalitetet historike, duke filluar nga Leka i Madh, Mbreti Samuil, Justiniani I etj.
Në qytetin e Shkupit jetojnë shqiptarët, maqedonasit, romët, serbët etj. Mes dy luftërave botërore Shkupi është zhvilluar dhe është rritur numri i popullsisë, kryesisht me maqedonas të ardhur nga Maqedonia lindore. Kështu, në vitin 1921 kishte 41 mijë, në vitin 1931 – 65 mijë, në vitin 1941 – 80 mijë, 1971 – 450 mijë. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, Shkupi kishte mbi 500 mijë banorë, nga të cilët rreth 104 mijë apo 20,5 për qind janë deklaruar shqiptarë. Është interesant se komuna Shuto Orizare e Shkupit ka numër të madh të popullsisë rome, ndaj është komuna e vetme në botë ku gjuha rome është gjuhë zyrtare.
Shkupi është nga qytetet më të ndotura edhe në nivel botëror. Ndotjen e ajrit, ujit dhe të tokës e shkakton Hekurana e Shkupit, qarkullimi i automjeteve, shumë fabrika në afërsi të qytetit, etj.
Në Shkup funksionojnë 21 shkolla të mesme, Universiteti i Shkupit, i themeluar në vitin 1949, ka 23 departamente e 10 institute kërkimore me rreth 50 mijë studentë.
Ura e Gurit e shek. XV, me 13 harqe dhe gjatësi 215 m., është një monument i madh dhe simbol i qytetit, që lidhë dy brigjet e lumit Vardar. Në pjesën e vjetër të qytetit është pazarin e vjetër, i quajtur Bit Pazar (tregu i pleshtave) e ngjitur me pazarin ndodhet kalaja madhështore e Shkupit, që mbizotëron tërë qytetin. Një monument tjetër është edhe stacioni i vjetër hekurudhor, që përkujton tërmetin e vitit 1963, tash muze i qytetit. Në qytetin e vjetër është edhe Hamami i Daut Pashës i shek. XV me 13 kupola, që sot është galeri arti. Në vitin 2005 u shpall sheshi dhe një vit më vonë u ngrit edhe përmendorja madhështore e Skënderbeut. Në qendër të qytetit është ndërtuar rishtas shtëpia përkujtimore e Nënë Terezës, ku nuk është shkruar asnjë fjalë shqip. Shkupi dikur i ka pasur 133 xhami, tash ka 28 sosh. Pastaj, janë shumë kisha, është Sahat Kulla, e para e ndërtuar në Ilirik, është Kurshumli Hani (Hani i Plumbit), sot muze etj.
Shkupi ka disa lokalitete turistike në afërsi, siç është mali Vodno, i lartë 1061 m., në majen e të cilit është ndërtuar një kryq gjigant, i quajtur “Kryqi i Mileniumit”. Mali Vodno është një pyll – park me teleferik, me shtëpi malore e me shumë objekte hoteliere, nga ku mund të vrojtohet tërë qyteti dhe Fusha e Shkupit. Kemi edhe Matkën, një kompleks turistik në kanionin e lumit Treska dhe liqenin e parë artificial në Gadishullin Ballkanik, i ndërtuar në vitin 1938, me natyrë piktoreske, me shumë shpella, me qendër alpiniste, me shtëpi malore, me restorante, me botë të pasur bimore e shtazore, me një hidrocentral…
Në antikë Shkupi ishte kryeqendër e Dardanisë, kurse në periudhën e sundimit osman ishte kryeqendër e Vilajetit të Kosovës. Para së gjithash, deri në fillim të shek. XX Shkupi ishte qytet i shqiptarëve. Një dokument i Ministrisë së Jashtme të Italisë i vitit 1912 thotë se Shkupi kishte 50 mijë banorë, nga të cilët 40 mijë ishin shqiptarë. Sot shqiptarët në Shkup përbëjnë mbi 30 për qind e popullsisë. Deri vonë Shkupi ishte qyteti me popullsinë më të madhe shqiptare në botë, sot mund të jetë qyteti i dytë apo i tretë. Qyteti i madh i Shkupit, i ndërtuar në bregun e djathtë të lumit Vardar apo qyteti i ri paraqitet si një qytet i bukur, i pastër, modern, komod, i qetë dhe i sigurt. Por, ndryshe na paraqitet në anën tjetër të lumit, në qytetin e vjetër, ku nuk shihet një shkëlqim i tillë. Shqiptarët, sidomos pas tërmetit të vitit 1963, janë të getoizuar e margjinalizuar në pjesën e vjetër të qytetit. Politika shoviniste serbe, maqedonase e jugosllave kanë mundur ta ndërrojnë strukturën etnike të qytetit me anë të shpërnguljeve masive të shqiptarëve në Turqi, me shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare ortodokse, me përdorimin e dhunës fizike e psikologjike, me diskriminim etnik.
Lidhjet tona me Shkupin kanë qenë të ngushta dhe tradicionale. Të vizitohet Shkupi është një përvojë që të jep kënaqësi dhe zhgënjim, njëkohësisht.

Postimet e fundit !