Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXIV) – TETOVA – qyteti i mërgimtarëve dhe i trashëgimisë kulturore
Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXIV)
TETOVA – QYTETI I MËRGIMTARËVE DHE I TRASHËGIMISË KULTURORE
Tetova është njëri nga qytetet kryesore në hapësirën shqiptare dhe në R. e Maqedonisë V., njëri nga dy qytetet e Luginës së Pollogut, qendër e komunës dhe qendër gravituese e 92 vendbanimeve të fushëgropës së Pollogut dhe të malësive të Sharrit dhe të Malit të Thatë. Qyteti ndodhet në pjesën e poshtme të Pollogut, në lartësi mbidetare 460 – 500 m., në fushën rrëzë malit. Tetova shtrihet mes malit Sharr dhe rrugës Shkup – Ohër, në daljen e lumit Shkumbin (Pena) nga mali i Sharrit, rreth 43 km nga Shkupi, 26 km nga Gostivari dhe rreth 100 km nga Prishtina.
Të dhënat demografike, sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2002, kanë treguar se në Tetovë jetojnë rreth 90 mijë banorë, me shumicë dërmuese shqiptare, kurse si rajon ka mbi 200 mijë banorë, rreth 85 për qind e tyre të përkatësisë etnike shqiptare. Nga komuna e Tetovës, në vitin 2005, janë ndarë nëntë komuna fshatare, të cilat, edhe pse janë të pavarura, gravitojnë në qytetin e Tetovës.
Në të kaluarën e lashtë Tetova është sunduar nga labeatët ilirë të Gentit, romakët, bizantinët, sllavët, bullgarët, avarët, osmanët. Si qendër administrative, ekonomike e kulturore, në antikë qyteti njihej me emrin Enea. Aty ishte një kështjellë, e quajtur Oaeneon (Enea), që ishte e vendosur në lumin Artatos (Shkumbin), që derdhet në lumin Axios (Vardar) dhe në malin Skardus (Sharr). Si vendbanim përmendet në shek. XIII. Pushtuesit osmanë e kanë gjetur si një fshat zejtar dhe bujqësor. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane Tetova është zhvilluar dhe është bërë qendër administrative, e quajtur Kalkandelen. Është shpallur qytet në vitin 1689. Më vonë qyteti përfshihet në kuadër të Vilajetit të Kosovës. Në Pollog është zhvilluar njëra nga betejat kryesore të Skënderbeut me pushtuesit osmanë, me ç’rast Skënderbeu vrau komandantin Ibrahim Pasha, me të cilin, sa ishte në Stamboll, me të ishte mik i vjetër. Për herë të parë Tetova është çliruar nga pushtuesit osmanë në vitin 1462 dhe, pas vdekjes së Skënderbeut, ka rënë përsëri nën osmanët. Për herë të dytë është çliruar në kohën e Tanzimatit, që ka zgjatur disa muaj, nga janari deri në shtator të vitit 1844. Pas shpartallimit të Perandorisë Osmane, në fillim të shek. XIX, Tetova ra nën sundimin serb, jugosllav dhe maqedonas.
Tetova sot është një qendër e rëndësishme arsimore, ku funksionojnë shtatë shkolla fillore, pesë shkolla të mesme dhe dy universitete; Universiteti (Shtetëror) i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore. Universitetin e Tetovës, i themeluar me sakrifica në vitin 1994, pushteti qendror e kishte trajtuar si institucion ilegal. Universiteti është legalizuar dhe zyrtarizuar në vitin 2002, pas luftës së UÇK-së. Themelimin e Universitetit Tetova e pagoi me një jetë dhe me shumë të burgosur e të maltretuar. UT sot ka filialet e saj edhe në qytetet Gostivar, Shkup, Kumanovë, Kërçovë, Dibër e Strugë.
Një thesar të çmuar të trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore paraqet qyteti i Tetovës dhe rrethina e tij. Faktet arkeologjike vërtetojnë se në luginën e Pollogut ka gjurmë të jetës para 8000 vjetëve. Nga objektet e gjetura në Tetovë dallojmë statujën Menada, një vallëzuese antike dhe një shpatë luksoze prej bronzi. Nga trashëgimia osmane me ndikim oriental dallojmë objektet monumentale fetare dhe publike; Xhaminë e Larme (1459), Teqen e Baba Arabatit (1538), Hamamin e shek. XV, Urën e Topxhinjëve të shek. XV, kalanë mbi Tetovë të vitit 1820, konakun 200-vjeçar të Halim Derallës etj. Nga objektet e vjetra monumentale në qytet e rrethinë janë edhe disa kisha ortodokse.
Tetova e ka një Qendër të madhe të Kulturës me atele të artit figurativ e shumë salla, ku zhvillohen veprimtari kulturore, artistike, politike. Në Qendrën e Kulturës, pos atelesë, janë të vendosura edhe Teatri i Qytetit, Galeria e Arteve dhe Biblioteka e Qytetit. Teqja e Arabatit ka një bibliotekë të pasur e shumë të vjetër. Të theksojmë se Tetova ka një traditë shumë të pasur në sporte, veçanërisht në sportin e futbollit. Dikur, në elitën e futbollit jugosllav garonte ekipi “Teteks”, kurse sot në elitën e futbollit të Maqedonisë V. Garon me shumë sukses ekipi “Shkëndija”. Qendra rekreative – turistike “Kodra e Diellit” (Popova Shapka) në shpatijet e Sharrit mbi qytetin e Tetovës është një vend me rëndësi të madhe për sportet dimërore dhe për turizëm dimëror. Qendra ka 11 ski-ashensorë, që përshkojnë shtigjet në lartësitë nga 1070 – 2510 m.
Si qytet rrëzë Sharrit dhe në fushën pjellore të Pollogut, Tetova gjithnjë kishte rëndësi ekonomike, duke përfshirë veçanërisht industrinë e tekstilit “Teteks”, industrinë ushqimore, elektrometalurgjinë etj. Mirëpo, me ndryshimin e sistemit politik dhe pas shpartallimit të Federatës jugosllave, industria tetovare ka pësuar shkatërrime të mëdha, madje edhe falimentime të ish-ndërmarrjeve shoqërore. Edhe në ish-Jugosllavi, edhe sot në Republikën e Maqedonisë Veriore, Tetova ka qenë dhe ka mbetur nga komunat më pak të zhvilluara dhe me numër më të madh të të papunëve.
Tetovarët janë të njohur veçanërisht si gurbetçarë, me punë e jetesë në shumë vende të zhvilluara të botës. Kurbetin ata e kanë traditë edhe si mjeshtër të ëmbëlsirave dhe pronarë të ëmbëltoreve në të gjitha ish-republikat e Jugosllavisë. Dhjetra mijëra banorë të vyeshëm të Tetovës e rrethinës kanë jetuar e jetojnë jashtë Tetovës së tyre.
Qyteti i Tetovës është i pasur me vlera të trashëgimisë kulturore, siç janë Xhamia e Larme, e vetme e këtij lloji në trojet shqiptare, Kalaja e Tetovës, Teqja Harabati etj. Është edhe lumi Shkumbin, një lumë i vogël që del nga mali e futet në qytet, duke e ndarë qytetin në dy pjesë. Është ky një lumë panoramik që i rri qytetit si një gjerdan natyror.
Si një qytet i madh, por me infrastrukturë të pakompletuar, Tetova, sidomos gjatë stinës së dimrit, e ka problemin e ndotjes së madhe të ajrit. Qyteti i Tetovës ende mbetet me ndotje alarmuese dhe në krye të listës së qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.
Sikur tërë Pollogu dhe viset shqiptare në Maqedoninë V., edhe Tetova është e lidhur ngushtë gjeografikisht dhe historikisht me Kosovën, duke qenë në afërsi dhe në komunikim të drejtpërdrejt me të dhe gjithmonë duke e ndarë fatin me të.
Tetova ishte qendër ekonomike, kulturore e administrative që nga kohët antike, kurse sot është nga qytetet më të mëdha e më të vjetra shqiptare, qendër politike, kulturore e arsimore e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë V.
add a comment