Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXII) – Liqeni i Batllavës – mes natyrës së paprekur dhe mjedisit të ndotur

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXII)
LIQENI I BATLLAVËS – MES NATYRËS SË PAPREKUR DHE MJEDISIT TË NDOTUR
Liqeni i Batllavës është një liqen artificial, një rezervoar i madh dhe i rëndësishëm i ujit në malet e Gallapit, mes fshatrave Batllavë e Orllan, komuna e Besianës. Edhe pse quhet Liqeni i Batllavës, sipas fshatit të afërm, Batllavës, liqeni ndodhet më afër dhe në territorin e fshatit turistik të Orllanit. Liqeni, që ndodhet rreth 15 km nga Besiana dhe 30 km nga Prishtina, ushqehet me ujë nga lumthi i Batllavës, degë e lumit Llap.
Gjatësia e liqenit është rreth 6 km, gjerësia deri 700 metra e thellësia deri 48 metra. Liqeni ka sipërfaqe prej 3.29 km2 dhe është liqeni më i madh në Kosovë. Diga e tij, 40.5 m. e lartë, ka filluar të ndërtohet në vitin 1961 dhe ka përfunduar në vitin 1965. Qëllimi i ndërtimit të saj ishte furnizimi me ujë i termocentraleve “Kosova” në Kastriot. Por, pas ndërtimit edhe të Liqenit të Ujmanit, prej nga tash furnizohen TEC-et, Liqeni i Batllavës mbeti ta furnizojë me ujë ujësjellësin më të madh, kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, respektivisht qytetet dhe fshatrat e komunave Prishtinë, Besianë, Kastriot, Fushë – Kosovë e më gjerë. Sot liqeni shfrytëzohet edhe për pushime, peshkim, lundrim etj.
Nga liqeni ujin e thithë fabrika për përpunimin e ujit në fshatin Shajkoc, repart i KRU “Prishtina”, që ka kapacitet prej 34 milionë tonë ujë në vit. Pasi pastrohet dhe klorifikohet, uji futet nëpër gypa, njëri në drejtim të Prishtinës (1000 l/sec) e tjetri në drejtim të Besianës (250 l/sec) për t’u shpërndarë qyteteve e fshatrave të Llapit e të Rrafshit të Kosovës.
Liqeni i Batllavës, njëri nga destinimet kryesore turistike në Kosovë, rrethohet nga malet dhe pyjet e larta e të pasura me bimë të llojllojshme. Peisazhi natyror është i mahnitshëm gjatë tërë vitit, sidomos gjatë verës. Pos funksionit kryesor, furnizimit me ujë të pijshëm të KRU “Prishtina”, liqeni është vend i përshtatshëm edhe për veprimtari tjera sportive; notim, peshkim dhe lundrim me varka. Në brigjet e liqenit ka disa restorante me emër, me meny peshku e me ushqime tradicionale. Rreth liqenit, në vende të caktuara piktoreske, janë ngritur shumë shtëpi malore dhe shtëpiza pushimi për turistë. Bukuritë e liqenit dhe të pyjeve rreth tij tërheqin vizitorë të shumtë në çdo kohë.
Për shkak se liqeni është i pasur me peshq, sidomos me krap dhe shtukë, peshkimi është mjaft i zhvilluar dhe tërheqës për vizitorë të shumtë e të rregullt. Për çdo vit organizohen edhe gara peshkatarësh.
Një veprimtari, gjatë muajve të verës, është edhe noti. Në liqen herë pas here zhvillohen gara të notit. Në organizim të Federatës së Notit të Kosovës çdo vit në Liqenin e Batllavës mbahet Maratona Ndërkombëtare e Notit. Verën e kaluar është mbajtur maratona XI “Kosova 2021”, kur kanë garuar 27 notarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia Veriore në shtegun 4.2 km. Në sipërfaqen e liqenit, pos notit, mund të zhvillohen edhe sportet tjera ujore, si zhytja, kajaku, rrëshqitja mbi ujë etj. Edhe lundrimi me barka nëpër liqen paraqet kënaqësi të veçantë.
Zonën, me bukuri të jashtëzakonshme përreth Liqenit, sikur e shëmton gjendja mjedisore. Problemi, që po e përcjellë gjendjen në liqen është ndotja e mjedisit, sidomos me hedhjen e mbeturinave vend e pavend dhe derdhja e ujërave të zeza në liqen. Duhet theksuar se ende mungon kujdesi qytetar dhe kujdesi institucional për mbrojtjen e mjedisit në liqen dhe rreth tij. Institucionet e nivelit lokal dhe të atij qendror sikur kanë dështuar në mbrojtjen e mjedisit në këtë zonë të mbrojtur natyrore. Disa herë, kur niveli i ujit bie për shkak të thatësisë, shoqëria civile ka organizuar aksione për pastrimin e hapësirave të liqenit, mirëpo mjedisi nuk mbrohet vetëm me aksione vullnetare.
Liqeni i Batllavës, në lartësi mbidetare 642 m., ndodhet në një natyrë të paprekur mes maleve të veshura me pyje të dendura. Nuk mungojnë aty as vendet e përshtatshme për plazhe dhe vendet për pushim e këndellje shëndetësore. Por, infrastruktura ende nuk është kompletuar në tërësi. Nëpër pyje duhet të hapen shtigje për aktivitete në natyrë, shtigje për ecje, vrapim e çiklizëm, në mënyrë që qytetarët t’i shfrytëzojnë edhe më shumë hapësirat për hobi, për shëndet dhe për qëndrim në qetësi e në ajër të pastër. Gjithashtu, parkut i duhen hapësira për parkingje e kampingje.
Mijëra vizitorë në ditë i tërheq liqeni dhe hapësirat përreth tij gjatë sezonit veror. Në një mjedis të bukur, me ajër të pastër e të shëndetshëm, me qetësi të dëshirueshme, brigjet e mrekullueshme të liqenit të Batllavës janë vend ideal për piknik familjarë, për grupe të rinjësh, për grupe të organizuara nxënësish, për të moshuar. Veçanërisht, ky vend mbushet me vizitorë gjatë fundjavëve, kur rruga mbushet me automjete, kur brigjet e liqenit mbushen me vizitorë dhe restorantet me klientelë.
Në krye të liqenit apo në brigjet e liqenit ndodhet fshati turistik i Orllanit, një fshat i bukur me rreth 1000 banorë që i bashkangjitet zonës së mbrojtur me ligj të Liqenit të Batllavës. Deri në vitin 1966 ky fshat ishte qendër e komunës e shtatë fshatrave, kurse sot ka stacion policor, postë, ambulancë, shkollë fillore e shkollë të mesme. Për shkak të afërsisë me liqenin, fshati mbushet me turistë, veçanërisht gjatë verës dhe në ditët e fundjavës. Jo larg nga Orllani ndodhet fshati Turuçicë, fshati i lindjes së Heroit Zahir Pajaziti, ku gjendet kompleksi përkujtimor i tij. Pak kilometra më tutje, në fshatin Bërvenik, përshkon vija kufitare me Republikën e Serbisë. Fshati Batllavë, nga i cili liqeni e ka marrë emrin, ndodhet rreth 3 km nën pendën e liqenit. Batllava, me rreth 700 shtëpi e 3000 banorë, ishte djegur e shkatërruar pothuaj e tëra nga forcat serbe gjatë luftës çlirimtare.
Liqeni i Batllavës është nga atraksionet turistike më të vizituara në Kosovë. Për vlerat e shumta që ka, e tërë hapësira rreth liqenit është shpallur zonë e mbrojtur me ligj, derisa pritet të shpallet edhe park kombëtar. Por, Liqenit dhe rrethinës së tij i duhen ende, shumë e më shumë, investime. Investime për ta bërë Liqenin e Batllavës një pikë turistike të dorës së parë, jo vetëm për Llapin e Gallapin, jo vetëm për Kosovën.