Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXI)
KRAJA – KRAHINA E BRAKTISUR, PERLË E TROJEVE SHQIPTARE
Kraja është një krahinë e veçantë etnografike shqiptare që shtrihet mes Liqenit të Shkodrës dhe Malit të Rumisë, në shpatet e Rumisë (1595), Malit të Gjerë (1323 m) e Taraboshit dhe në brigjet e Liqenit të Shkodrës. Fillon nga ura e Bunës, afër Shkodrës, në lindje dhe përfundon në Bujgëri (Marstijepoviç), në perëndim. Dy fshatra të Krajës, Shiroka dhe Zogaj ndodhen brenda territorit të shtetit shqiptar, pjesë e bashkisë së Shkodrës, kurse 22 fshatrat tjerë ndodhen në shtetin e Malit të Zi, komuna e Tivarit. Nga ana administrative Kraja në Mal të Zi ndahet në dy bashkësi lokale; bashkësinë e Ostrosit, me tetë fshatra dhe bashkësinë e Shestanit, me 14 fshatra. Në Bashkësinë Lokale të Ostrosit (Kraja e Poshtme) bëjnë pjesë fshatrat Ostros i Madh, Ostros i Vogël, Skje, Thtjan, Bobosht, Martiq, Kështenjë, Arbnesh, ndërsa në Bashkësinë Lokale të Shestanit (Kraja e Epërme) bëjnë pjesë Gurrëza, Nënmali, Gjuraçi, Bujgëri, Muriqi i Epërm, Muriqi i Poshtëm, Lukaj, Ljarja, Besa, Brisku i Epërm, Brisku i Poshtëm, Dedaj, Pecaj, Pinçi.
Për të shkuar në Krajë mund të ndiqen dy kahje të rrugëve; nga Shkodra e Katërkolla dhe nga Podgorica e Virpazari. Sapo të mbërrini në Shtegvashë, aty ku fillon Kraja, duke ecur nëpër pyllin e dendur të drunjve mijëravjeçarë të gështenjave, të shfaqen pamje të mrekullueshme të Liqenit të Shkodrës dhe të fshatrave të vegjël të Krajës. Edhe po të hyni nga Virpazari, nëpër një rrugë të ngushtë malore e panoramike, do të paraqiten pamjet mahnitëse të fshatrave dhe të liqenit.
Fjala “Kraja”, si toponim, për herë të parë përmendet nga prifti i Duklës në vitin 1149. Studiuesit thonë se emri i krahinës nuk rrjedhë nga fjala sllave “Kraj” (fund). Përndryshe, krajanët janë pasardhës të fisit ilir të Labeatëve, fis që kishte jetuar në basenin e liqenit të Shkodrës.
Kraja dikur ishte qendër e arqipeshkvisë. Në shek. XV ishte nahi (krahinë) e Shkodrës apo pjesë e Sanxhakut të Shkodrës. Kraja, sikurse edhe Anamali, gjatë tërë historisë kanë qenë zona që kanë gravituar në qytetin e Shkodrës dhe kanë mbajtur lidhje të vazhdueshme dhe të natyrshme me këtë qytet. Madje, Kraja shpeshherë është quajtur Kraja e Shkodrës.
Kraja, si krahina më perëndimore e hapësirës etnogjeografike shqiptare, sot pjesë e shtetit të Malit të Zi, përbëhet nga 22 fshatra. Ka sipërfaqe prej 143.8 km2 dhe, sipas regjistrimit të vitit 2011, ka pas vetëm 1900 banorë.
Dihet emigrimi i popullsisë krajane në fillim të shek. XVIII nga Ljara, Brisku e Thtjani, fshatra këto të Shestanit. Kjo popullsi, që e ka braktisur vendin e tyre nga arsyet historike e shëndetësore, është vendosur, mes viteve 1726 – 1733, në afërsi të qytetit të Zarës, duke formuar vendbanimin e ri, Arbanasin. Shpërngulje masive të krajanëve janë bërë edhe drejt Shkodrës pas vendimit të Kongresit të Berlinit, në vitin 1878 dhe Konferencës së Ambasadorëve, në vitin 1913, kur Kraja iu dha Malit të Zi. Kurse, shpërnguljet më të reja kanë filluar nga fundi i viteve ’60-ta të shek. të kaluar, kur mijëra banorë krajanë kanë mërguar në Evropë e Amerikë. Llogaritet se vetëm në Shkodër e rrethinë jetojnë mbi 1500 familje me pesë – gjashtë mijë banorë që kanë prejardhje nga Kraja, kurse në Amerikë ka mbi 1000 familje me rreth 4000 banorë. Kështu, në saje të shpërnguljeve të vazhdueshme të popullsisë, është shpopulluar krahina, ndaj sot kemi fshatra tërësisht të braktisur apo me shumë pak banorë, veçanërisht në zonën periferike dhe malore të saj. Banorët e mbetur janë pa perspektivë të qartë për mbijetesë.
Blegtoria, bujqësia dhe peshkimi janë veprimtaritë kryesore ekonomike të popullsisë së Krajës. Tradicionalisht popullsia është marrë me mbjelljen e duhanit dhe me kultivimin e gështenjës.
Edhe pse pranë liqenit, fshatrat e Krajës kanë vuajtur gjithmonë për ujë. Krajanët, për ta siguruar ujin, kanë hapur puse apo, si quhen këtu, ubla, që shërbejnë për rezervimin e ujit. Thuajse secili fshat e ka ublën e vet. Në fshatin Ljarë janë 12 ubla, të parën e tyre thuhet se e ka ndërtuar, në vitin 1290, mbretëresha anzhuine, Helena. Pastaj, në Bolaj janë 12 ubla, në Arbnesh pesë, etj. Ubla më e njohur, e vetmja që mbanë ujë tërë vitin, është Ubla e Krajës, të cilën mendohet se e ka ndërtuar Gjon Vladimiri dhe bashkëshortja e tij, Kosara, rreth vitit 1001.
Kraja i ka dhënë shumë personalitete të larta kombit tonë, siç është Gjon Buzuku i shek. XVI, autor i “Mesharit”, librit të parë në gjuhën shqipe. Kurse Gjon Vladimiri ka qenë princ i Krajës iliro – shqiptare në shek. XI. Edhe sot ndodhen gërmadhat e shtëpisë së tij në Krajë dhe një pus (ubël) i madh me emrin e gruas së tij, Kosarës. Gjoni ishte bërë vasal i carit bullgar, Samuilit dhe ishte detyruar të martohet me vajzën e tij, princeshën Kosara. Kur Gjoni më vonë bëri aleancë me perandorin bizantin, Vasilin II, cari bullgar e vrau pabesisht Gjonin bashkë me gruan e tij. Vrasja e Gjonit në vitin 1016 bëri që popullsia e Krajës, e Anamalit dhe e Ulqinit ta shenjtëronin e ta kultizonin. Eshtrat e Gjonit janë ruajtur deri në vitin 1215 në kishën “Virgjëresha e Krajës” e më pas sundimtari Teodor Engjëll Komneni i ka marrë nga Kraja dhe i ka vendos në Durrës. Në vitin 1381 princi Karl Topia përsëri i mori eshtrat dhe i vendosi në kishën, që vet e ndërtoi, manastirin Shën Gjon Vladimiri në Elbasan. Historia sllave Gjonin e quan me origjinë sllave dhe fshati Katërkollë është emruar me emrin e tij, Vladimir.
Nga objektet e trashëgimisë kulturore, Kisha e Shën Mërisë e Krajës është ndërtuar nga Pjetri, baba i Gjon Vladimirit rreth viteve 970 – 980. Në Kishën e Briskut (1550) supozohet se ka shërbyer dhe e ka shkruar Mesharin Gjon Buzuku. Kisha të vjetra janë edhe ato të Thtjanit (1603), dy kishat e Ljares (1635), Kisha e Pinçit (1639) etj. Kurse nga xhamitë e vjetra janë Xhamia Plakë e Qyrjanit dhe Xhamia e Muriqit, të ndërtuara rreth vitit 1602. Veshjet popullore të Krajës, veçmas veshjet e grave, kanë larmi, karakteristikë, tipare e simbolikë interesante. Ato pasqyrojnë veçantinë etnike dhe janë pasuri e çmuar me rëndësi të posaçme për trashëgiminë tonë kulturore.
Kraja është perla e trojeve tona, është treva piktoreske e misterioze, vendi magjik, që të përvetëson që me vizitën e parë. Ajo është lugina e legjendave dhe i historisë së lavdishme, është vatër e njerëzve atdhetarë, trima, mikpritës e bujarë. Kraja është zona e gështenjave dhe e ublave mijëravjeçare, me potencial dhe mundësi të mëdha për zhvillimin bujqësor e turistik. Fshatrat ekologjike, prodhimet bio, shtigjet përmes pyjeve të gështenjave mijëravjeçare, malet dhe majat e larta, liqeni dhe monumentet e trashëgimisë kulturore e historike e bëjnë Krajën një trevë turistike dhe një trevë interesante për ta vizituar. Pritet të zgjidhet edhe problemi i ujit, pritet të lidhet rruga Krajë – Shkodër për t’u krijuar kushtet shumë më të mira për mbijetesë dhe për zhvillim të gjithanshëm, sidomos të turizmit në Krajë. Jo më shumë se 1.2 km rrugë duhen që Kraja t’i afrohet në 12 km qytetit legjendar të Shkodrës.
add a comment