Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXI) – Drenasi – qyteti i shtatoreve të Heronjve tanë

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXI)
DRENASI – QYTETI I SHTATOREVE TË HERONJVE TANË
Drenasi është një qytet dhe qendër komunale në pjesën qendrore të Republikës së Kosovës. Shtrihet në rrafshnaltën e Drenicës, mes maleve Qyqavicë e Kosmaç (979 m) dhe është qyteti i dytë, pas Skënderajt, i krahinës gjeografike dhe etnografike të Drenicës. Ndodhet në rrjedhën e mesme të lumit Drenica dhe afër rrugës Prishtinë – Pejë, rreth 33 km nga Prishtina dhe 62 km nga Peja, 6 km nga Komorani dhe 18 km nga Skënderaj. Nëpër Drenas kalon edhe vija hekurudhore Fushë-Kosovë – Pejë.
Si vendbanim Drenasi u themelua pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, në vitin 1912, kur edhe u emrua me emrin sllav Gllogovac (murriz), emër të cilin ende e mbanë zyrtarisht. Si qendër administrative, statusin e komunës e mori para Luftës së Dytë Botërore dhe e mbanë ende, edhe sot. Në 42 vendbanimet e komunës së Drenasit kanë jetuar, sipas regjistrimit të vitit 2011, rreth 67 mijë banorë, kurse sot vlerësohet të jetojnë rreth 73 mijë banorë. Komuna e Drenasit është njëra nga komunat më të varfëra të Kosovës dhe nga komunat që kanë pësuar më së shumti gjatë luftës çlirimtare.
Drenasi është një qytet me veprimtari të organizuar kulturore. Veprimtaria më e rëndësishme kulturore ishte festivali kombëtar tradicional “Revista e Folklorit Burimor Shqiptar”. Në këtë festival, ku merrnin pjesë dhjetra ansamble nga të gjitha viset shqiptare dhe nga arbëreshët e Kalabrisë, paraqiteshin ritet e zakonet e vjetra dhe këngët rapsodike epike e lirike. Për mungesë të përkrahjes financiare festivali tashmë është ndërprerë. Në vitin 1969 në Drenas ka lindur një shoqëri kulturore artistike apo, më mirë të themi, një ansambël i veçantë dhe i mirëfilltë me identitet e sfond kombëtar, që ishte pagëzuar me emrin e heroinës Shota Galica. Ky ansambël, gjatë veprimtarisë së gjatë kulturore mbi 50-vjeçare, korri suksese të shumta në skenat e qyteteve e fshatrave në vend dhe në botë, duke marrë shumë çmime, shpërblime e e mirënjohje.
Mbledhja e mbeturinave dhe ndotja e rrjedhave ujore përmes derdhjes së kanalizimeve, si dhe ndotja e ajrit dhe e ujit nga “Ferronikeli” e nga Parku i Biznesit mbeten probleme të pazgjidhura deri tash për qytetarët dhe për komunën e Drenasit. Qytetarët e Drenasit ankohen për ndotjen e ajrit nga shkritorja “Ferronikeli”, pastaj edhe për mungesë të rrjetit të ujësjellësit e kanalizimit. Edhe ndotja e lumit Drenica nga mbeturinat dhe ujërat e zeza është shumë e madhe, sa lumi shpesh merr ngjyrë të zezë apo bëhet deponi mbeturinash. Të gjitha fshatrat, nga kalon lumi, ujërat e zeza i derdhin në të. Nga gjendja e ndotur e lumit, janë zhdukur pothuaj tërësisht peshqit. Lumi Drenica paraqet edhe një problem tjetër, sepse gjatë stinëve me shi, del nga shtrati dhe vërshon sipërfaqe të mëdha të tokave të punuara. Lumi Drenica, që buron në malet afër Carralevës, është dega më e madhe e anës së majtë të lumit Sitnica dhe është rrjedha më e madhe ujore që kalon nëpër krahinën e Drenicës. Ky lumë, i cili dikur ishte burim jete, duke përshkuar nëpër shtratin e tij është bërë mbledhësi kryesor i ujërave të zeza i një pjese të madhe të krahinës, duke u shndërruar në një lumë të vdekur, në lumë që nuk ka peshq e nuk mund të përdoret as për ujitjee për asgjë. Mjedisin e ndotin edhe disa gurëthyes dhe Parku i Biznesit i Drenasit. Problem kryesor i fshatrave të komunës së Drenasit është furnizimi i qytetarëve me ujë të pijes.
Gjatë sistemit monist, me një politikë diskriminuese, komuna e Drenasit kishte zhvillim të ulët ekonomik. Popullsia është marrë kryesisht me bujqësi e blegtori, kurse sot të ardhurat kryesore i vijnë nga mërgata. Tokat e komunës së Drenasit, shumica e të cilave shtrihen brigjeve të lumit Drenicë, janë të përfshira në sistemin e ujitjes “Ibër”. Skaj rrugës Prishtinë – Pejë, te vendi i quajtur Kroni i Mretit, është ndërtuar një Park i Biznesit, që është parku më i mirë i këtij lloji në Kosovë. Në këtë park veprojnë dhjetra biznese, kryesisht ato për riciklimin e plastikës, për përpunimin e hekurit, për prodhimin e barnave etj.
Drenasi ka njërën nga ndërmarrjet më të rëndësishme të Kosovës, “Ferronikelin”. “Ferronikeli” përbëhet nga dy miniera dhe shkritorja apo fabrika e prodhimit të nikelit. Kjo është ndërmarrje xehetare – metalurgjike e rëndësisë së veçantë, pasuri strategjike për ekonominë e vendit, e themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 1978. Ndërtimi i ndërmarrjes ka filluar në vitin 1974 dhe ka përfunduar plotësisht në punë në vitin 1984. Fabrika ka dy vija të prodhimit; dy furra elektrike dhe dy furra rrotulluese, si dhe dy miniera, minierën e Çikatovës dhe minierën e Gllavicës, afër Magures (komuna e Lipjanit). Me fillimin e luftës në Kosovë, “Ferronikeli”, i udhëhequr nga serbët, më 27 maj 1998 e ka ndërprerë punën dhe është shndërruar në një bazë të forcave serbe. Duke qenë e tillë, ajo ishte bërë cak i bombardimeve të NATO-s. Kështu, në maj 1999 shkritorja është bombarduar dy ditë rresht dhe mbi të kanë rënë 28 bomba. Menjëherë, pas luftës, punëtorë dhe ekspertë të ndërmarrjes janë mobilizuar për ta mbrojtur e mirëmbajtur, si dhe për t’i vlerësuar dëmet nga bombardimi dhe për ta përgatitur fabrikën për prodhim. Dëmet e shkaktuara nga bombardimet janë vlerësuar në rreth 17 milionë dollarë. Mes viteve 1982 – 1999 ndërmarrja kishte 2000 punëtorë, kurse në gusht të vitit 1991, kur Kuvendi i Serbisë vendosi në “Ferronikel” masa të dhunshme, janë përjashtuar nga puna rreth 900 punëtorë dhe tërë udhëheqja shqiptare e ndërmarrjes. Me të ashtuquajturin “Spin Off Special” Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e udhëhequr nga UNMIK-u, e ka shitur këtë ndërmarrje me rreth 30 milionë euro. Ndërmarrja është blerë nga “Konserciumi IMR” dhe ka funksionuar me emrin “NewCo Ferronikeli Complex L.L.C”. Në vitin 2007 ka rifilluar eksploatimi i minierave dhe prodhimi i ferronikelit në Shkritoren e “Ferronikelit”, kurse në vitin 2018 Ferronikeli bëhet pjesë e kompanisë së madhe private “Balfin”. “Ferronikeli” sot, me rreth 800 punëtorë, është kompania më e madhe eksportuese e Kosovës.
Turizmi është degë e re ekonomike në komunën e Drenasit. Kemi vende të bukura natyrore, siç është liqeni artificial i Vasilevës në malin e Gospojës, mes Drenasit dhe Fushë-Kosovës. Në këtë liqe, i rrethuar me pisha, gjatë verës gjejnë pushim e prehje shumë banorë të kësaj ane. Liqeni është i vështirë të arrihet për mungesë të rrugës dhe për mungesë të infrastrukturës tjetër të nevojshme. Liqeni është bërë një rezervat i peshqëve, kurse aty dhe në pyllin e dendur banojnë shumë lloje të shpendëve të rrallë. Komuna e Drenasit ka edhe vende tjera me interes turistik, siç janë Gradina e Llapushnikut, Gradina e Vuçakut, përmendoret e dëshmorëve të kombit etj.
Pas lufte qyteti i Drenasit ka pasur një zhvillim të hovshëm. Ndërtimi i sheshit “Fehmi e Xhevë Lladrovci” i qytetit me shtatoret e heronjve Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari, Fehmi Lladrovci, Xhevë Ladrovci, Ilaz Kodra, Bedri Shala e Rasim Kiçina e ka madhështuar këtë qytet heroik. Drenasi meriton vëmendjen tonë, dhe, para së gjithash, vëmendjen e qeverisë qendrore. Ky është një qytet bashkëkohor, një qendër e ndërtuar bukur që po zgjerohet e rregullohet gjithnjë e më mirë.