Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXX) – Librazhdi – qyteti mbi Shkumbin që pret ditë edhe më të mira
Shtegtime nëpër Atdhe (CLXX)
LIBRAZHDI – QYTETI MBI SHKUMBIN QË PRET DITË EDHE MË TË MIRA
Njëri ndër qytetet më të rinj të Republikës së Shqipërisë është Librazhdi. Librazhdi është një qytet i vogël në pjesën lindore të R. së Shqipërisë, i shtrirë në bregun e djathtë të lumit Shkumbin dhe në rrugën kombëtare Elbasan – Korçë. Është qendër e bashkisë dhe qendër rrethi në çarkun e Elbasanit, nyje hekurudhore dhe automobilistike, si dhe një qendër mes lindjes e perëndimit. Është larg nga Elbasani 25 km dhe nga Qafëthana 37 km.
Nëpër Librazhd kalonte rruga e njohur antike, Via Egnatia. Ende ka gjurmë të kësaj rruge në fshatrat e Librazhdit. Emri Librazhd ka kuptimin e “Postës së hapur” dhe është përdorur në antikitet para se të ndërtohet rruga “Egnatia” në shek. II p.e.r. Në Rrethin e Librazhdit janë gjetur materiale arkeologjike që dëshmojnë gjurmë të hershme të banimit, që nga paleoliti e këndej. Vendbanimi i lashtë, një qendër e vogël në rrugën “Egnatia”, njihej me emrin Libaros. Gjatë periudhës antike viset e rrjedhës së sipërme të lumit Shkumbin, ku gjendet Librazhdi, quheshin Kandavia dhe banorët quheshin Kandavë. Kandavët i kishin kushtuar një tempull Dianës (Zanës), perëndeshës së pyjeve e gjuetisë, për të cilën organizonin festa. Çdo pranverë ata e festonin ditën e përtëritjes së natyrës, e cila festohet deri në ditët e sotme me emrin Dita e Verës. Gjatë sundimit romak, mes shek. II p.e.r. dhe shek. IV, romakët e zgjeruan dhe e zgjatën rrugën e Kandavisë, duke e emëruar “Via Egnatia”, rrugë që lidhte Lindjen me Perëndimin, Romën me Konstandinopojën. Në mesjetë zona e Librazhdit të sotëm quhej Aranitia (Aranitid), sepse e zotëronte familja e vjetër fisnike e Aranitëve, e cila në emblemë kishte shqiponjën dykrenore. Me emrin Librazhd përmendet më vonë, në regjistrat kadastral turk të vitit 1476.
Si qendër banimi Librazhdi është themeluar në vitin 1929, kur traseja e rrugës Elbasan – Korçë u zhvendos nëpër luginën e lumit Shkumbin (Traseja e vjetër kalonte nëpër shpatet e Malit të Polisit dhe në gjurmët e rrugës antike “Egnatia”). Aty u hap zyra e nënprefekturës dhe e post – telegrafit, si dhe disa dyqane, kafene e hane. Pas LDB Librazhdi bëhet qendër administrative, kur u hapën institucionet shoqërore e publike, u ndërtuan pallate banimi etj. Librazhdi është krijuar njësi admistrative e rrethit në vitin 1958 kurse është shpallur qytet me dekret në vitin 1960, kur ishte bërë edhe qendër ekonomike e industrisë ushqimore, industrisë së drurit, me fabrikë të pijeve e të konservave, ndërmarrje pyjore, ndërmarrje të ujërave etj. Në qytetin e saposhpallur shpejt u ndërtuan sheshi dhe shëtitorja, parqet e lulishtet… Krahas institucioneve administrative, industriale, arsimore, etj., Librazhdi kishte edhe Degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Bibliotekën e qytetit, Shtëpinë e Kulturës, muzeun historik, muzeun etnografik, muzeun ushtarak, Galerinë e Arteve, kinemanë, spitalin, stadiumin etj.
Librazhdi në vitin 1986 nuk kishte më shumë se 3400 banorë, por pas vitit të kthesave të mëdha të vitit 1990, për shkak të shpërnguljeve nga fshatrat në qytet, numri i popullsisë u rrit tepër shumë. Kështu, në vitin 2001 Librazhdi kishte rreth 7000 banorë e tash llogaritet se ka rreth 15 mijë banorë.
Në Bërzheshtë të bashkisë Librazhd është hapur shkolla e parë shqipe në vitin 1895, kurse konvikti, po në këtë fshat, në vitin 1929. Sot në bashki funksionojnë 93 kopshte dhe paralele parashkollore, 62 shkolla 9-vjeçare, 10 shkolla të mesme me gjithësej rreth 17 mijë nxënës.
Një park kombëtar në zonën e Librazhdit, parku “Shebenik – Jabllanicë” është pasuri e rrallë natyrore me biodiversitet të larmishëm, i cili përfshihet në guidat turistike malore dhe është i pasur me fruta malore e bimë mjekësore. Pos parkut në zonë janë edhe 26 monumente natyrore të kategorisë së parë.
Banorët e bashkisë Librazhd merren kryesisht me bujqësi e blegtori, me shfrytëzimin e pyjeve dhe me sektorin e shërbimeve tregtare e zejtare. Zona ka pasuri të shumta minerale dhe pyjore. Megjithatë, fshatrat e Bashkisë së Librazhdit janë të varfëra, pa perspektivë për jetë më të mirë. Mungojnë rrugët, mungon edhe tregu për prodhimet bujqësore e blegtorale, mungon uji për pije dhe vaditje, minierat, ku punonin shumica e fshatarëve, janë mbyllur, vazhdon ikja e të rinjve në qytete të mëdha e në botën e jashtme, janë ndërtimet pa kritere e hidrocentrale të vogla. Pasuritë natyrore të zonës së Librazhdit i nënshtrohen keqpërdorimit dhe keqshfrytëzimit, siç është prerja ilegale e pyjeve, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në parkun Kombëtar, etj. Megjithatë zona e Librazhdit dallohet për të mirë në krahasim me zonat tjera në vend për ruajtjen e pyjeve dhe të natyrës.
Gjithashtu, zona e Librazhdit ka traditë të pasur artistike, etnografike, kulturore e të trashëgimisë; për folklorin burimor, për këngët e vallet popullore, për kostumet e veçanta, për mjeshtrinë e përpunimit të gurit e të drurit. Në Librazhd mbahet me shumë sukses Festivali i tradicional kombëtar valles shqipe dhe festa tradicionale e mjaltit.
Në zonën e Librazhdit ndodhen disa shpella, që dikur ishin të banuara, të quajtura shpella eremite apo shpella kisha, në muret shkëmbore të të cilave ka piktura murale dhe mbishkrime me tematikë biblike. Këto shpella bartin vlera të rëndësishme kulturore e historike. Eremitët ishin njerëz që bënin jetë të vetmuar dhe praktikonin këshillat ungjillore duke iu përkushtuar Perëndisë, duke e imituar Krishtin dhe duke hequr dorë nga të mirat e jetës.
Librazhdi ka burime të shumta të turizmit natyror, të turizmit të aventurës, të agroturizmit, siç është parku kombëtar Shebenik – Jabllanicë, pastaj fshatrat Bërzheshtë, Hotolisht, Steblevë, Polis, Sopot, Dardhë, Xhyrë, ku hasen pyje, livadhe, kullota, liqene, burime ujore, ujëvara, kanione, shpella. Në malin e Shebenikut, në lartësi prej 1376 m., ndodhet një shkëmb gjigant që ka formën e një sofre, me dimension 1000 me 800 metra, që njihet me emrin Sofra e Skënderbeut. Një legjendë dhe shumë gojëdhëna tregojnë se në afërsi të fshatit Xhyrë, te “Guri i Bletës” dhe “Gryka e Shkallës”, është i fshehur një thesar me ar, i strehuar qindra vjet më parë. Njerëzit vendor dhe të huaj, duke përfshirë edhe turistë, gërmojnë edhe sot rreth e rrotull për ta gjetur këtë thesar të madh, por janë kthyer duarthatë. Thuhet se në varrezat e turqve megjithatë janë gjetur qypa me florinj.
Edhe pse qytet i ri dhe i vogël, qyteti ka marrë pamje të mrekullueshme, duke u ndryshuar vazhdimisht nga investimet, sidomos nga ato të viteve të fundit. Është rindërtuar sheshi dhe qendra e qytetit, janë hapur njësi të reja të prodhimit dhe mundësitë e punësimit. I ndërtuar mbi Shkumbin dhe në rrugën kombëtare Tiranë – Elbasan – Poradec – Korçë, i rrethuar me male të larta, Librazhdi e zona e tij kanë kushte e mundësi për zhvillim më të shpejtë, veçanërisht të zhvillimit të turizmit.
add a comment