Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXIX) – PROGRI – fshati i gurit, i luleve dhe i pastërtisë
Progri është një fshat i bukur, i shtrirë rrëzës së një mali gjysëm të zhveshur, në fund të një fushe, fushës së Devollit dhe në brigjet e sipërme të lumit Devoll. I përket bashkisë së Bilishtit dhe rrethit të Korçës, 11 km nga Bilishti dhe 20 km nga Korça. Është qendër e njësisë administrative të pesë fshatrave të Devollit.
Sipas gjetjeve arkeologjike vlerësohet se Progri është një vendbanim që nga periudha e hershme e hekurit.
Banorët e fshatit Progër janë të njohur për atdhetari, kur kemi parasysh ndihmën që u kanë dhënë çetave të Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit, si dhe rolit të rëndësishëm në Luftën Nacionalçlirimtare. Progri është fshati i parë në Devoll i cili në vitin 1908, e hapi shkollën shqipe. Gjithashtu, banorët e Progrit, nga të parët në vend, ishin lutur dhe kishin kënduar në kishë në gjuhën tonë sipas librave fetare të Fan Nolit.
Duke qenë në rrjedhën e lumit Devoll, popullsia e fshatit Progër, rreth 95 për qind e saj, merret me bujqësi e pak edhe me blegtori. Toka e fshatit njihet për prodhimin e grurit, të patateve, të qepëve e të mollëve, kurse dikur prodhohej edhe panxhari i sheqerit. Fshatin e zbukurojnë veçanërisht plantazhet mbresëlënëse, të rregulluara e të gjera të mollëve, kurse çdo oborr stoliset me pjergulla rrushi. Si prodhues të mollës dhe prodhimeve tjera bujqësore, bujqit e Progrit janë të brengosur me mungesën e tregut, për çka shpesh prodhimet e tyre të pashitura detyrohen t’i hedhen në lumë.
Si qendër e disa fshatrave apo si një qytezë e vogël, në të kaluarën Progri ka pas shkollë të mesme bujqësore e shkollë tetëvjeçare, muze, vatër kulture, qendër shëndetësore me klinika të lindjes e të stomatologjisë. Shkolla e fshatit në vitin 1965 kishte mëse 400 nxënës, kurse tash ky numër ka rënë disa fish më poshtë. Sot Progri, pos shkollës 9-vjeçare, ka edhe gjimnazin, pastaj ka zyrë postale, kishë e xhami.
Fshati Progër ndodhet rreth 2 km nga rruga kryesore që lidhë Korçën me Devollin. Në mesin e fshatit ka një qendër, një shesh me lapidarin e dëshmorëve në mes. Aty është edhe monumenti që përkujton hapjen e shkollës së parë shqipe. Në pjesën e epërme të fshatit ndodhet shkolla dhe kisha e fshatit, ndërsa në skajin e poshtëm është xhamia. Rruga kryesore, që përshkon dhe ndanë tërë fshatin në dy pjesë, është e shtruar kujdesshëm me gurë të skalitur, që ndërthurren bukur edhe me muret e gurta të oborreve të shtëpive. Oborret e shtëpive janë të mbushura me lule e me pjergulla rrushi, kurse shtëpitë janë prej guri dhe të gëlqerosura. Mbi muret e oborreve të gëlqerosura, si askund tjetër, vendosen vazot tradicionale me lule gjithëfarshe. Tradita e ndërtimit me gurë është njëra nga mjeshtritë më të zhvilluara në këtë fshat.
Progri është fshat i vjetër, është i madh, i bukur e i pastër. Pastërtia e rrugëve dhe oborreve është edhe një traditë me vlerë, e përcjellur brez pas brezi nga e kaluara. Progri merret si fshati më i bukur dhe më i pastër në tërë Devollin. Është fshat me kulturë e qytetërim të vjetër, me banorë të dashur, punëtor e mikpritës, fshat ku, si në asnjë fshat tjetër, mungojnë mosmarrëveshjet e brendshme. Të kujtojmë se në Progër është xhiruar filmi i njohur shqiptar, “I teti në bronz”, sipas romanit të D. Agollit “Komisari i dritës”. Gjithashtu, Progri është fshati ku mbahet riti pagan “Dita e karnavaleve”, një festë popullore e trashëguar nga e kaluara jonë e hershme.
Dhe, krejt në fund, Progri e ka “hymnin” e vet, i cili, pos tjerash, thotë:
Progër, qytezë e vogël, rrëzë malit me gurë,
Me bijtë e tu trima, që s’ju trembet syri kurrë,
Hudhe padijen shekullore, e hape të parën shkollë,
Si diell rrezeartë shkëlqen në gjith’ Devollë.
add a comment