Shtegtime nëpër Atdhe (CLXIII)
SARANDA – QYTETI ME SHUMË EMRA, PARAJSË NË BREGUN JONIAN
Saranda është qendër e bashkisë dhe qendër e rrethit në bregun jugor jonian të R. së Shqipërisë. Qyteti bregdetar i Sarandës ndodhet në një shpat mali dhe në gjirin e kaltër të detit Jon, rreth 280 km nga Tirana, 130 km nga Vlora, 55 km nga Gjirokastra, 17 km nga Delvina dhe 15 km nga Butrinti. Përball tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit, me të cilin e ndanë Kanali i Korfuzit në largësi detare vetëm 14 km. Ka reliev kodrinor në ngritje nga niveli 0 (në det) deri në lartësinë 1883 m.
Saranda është qytet me histori mbi 2000-vjeçare. Përmendet në shek. II p.e.r. në burimet antike me emrin Onhesmi. Fillimisht ishte një portë hyrëse detare për qytetin antik të Finiqit dhe regjionin e gjerë jugor. Me emrin antik Onhezmus, Onhezmo, Onhesmi është përmendur nga Straboni, Ptolemeu, Ciceroni. Deri në shek. IV p.e.r. Onhesmi ndodhej nën Perandorinë Romake, kurse nga shek. IV deri në shek. VI – nën Perandorinë Bizantine. Gjatë periudhës bizantine Onhesmi njihet me emrin shqip – Qishmëdhe (kishë në dhe), por është zëvendësuar me emrin grek Saranda (dyzet). Në vitin 1034 qyteti pushtohet nga bullgarët, pastaj e pushtuan edhe normanët nga Sicilia, më vonë edhe venecianët. Për herë të parë emri Sarandë përmendet në vitin 1412. Këtë emër e ka marrë sipas manastirit të shek. VI, që ndodhet mbi Qafën e Gjashtës, sipër qytetit, që i kushtohet 40 Shenjtorëve (gr. “Hagioi Saranda”, it. “Santi Quaranta”). Sipas legjendës 40 ushtarë u vunë para sprovës; të ndërronin fenë ose të vdisnin. Ata refuzuan ta ndërronin fenë dhe u dënuan të vdisnin nga të ftohtit të zdeshur lakuriq. Për këtë flijim heroik ortodoksizmi i shpalli të 40-tët shenjtorë.
Osmanët erdhën në Sarandë në vitin 1413. Nën regjimin e tyre, me dekret të Portës së Lartë, Saranda ishte bërë pronë private e Sulltan Abdyl Hamitit. U rrënua nga Ali Pashë Tepelena në shek. XVIII. Gjatë Luftës së Parë Botërore ishte bazë ushtarake e flotës italiane. Në vitet 30-ta, kur u shpall qendër administrative – nënprefekturë, Zogu ia ndërroi emrin në Zogaj. Përsëri, në vitin 1939, Sarandës iu ndërrua emri, këtë herë nga pushtuesit italianë, kur qyteti u quajt Porto Eda, sipas emrit të vajzës së Musolinit dhe gruas së Kontit Çiano, Eda.
Para një shekulli Saranda ishte fshat i vogël bregdetar. Në vitin e Pavarësisë ka pas 15 – 20 shtëpi me rreth 100 banorë. Në këtë kohë hapet shëtitorja pranë bregut të detit dhe ndërtohen disa dyqane e lokale tjera publike, duke përfshirë edhe zyrën doganore, ku, në vitin 1876, punoi edhe poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri. Vetëm në vitin 1957 Saranda bëhet qendër e rrethit, kurse nga viti 1960 shpallet qendër turistike. Rreth vitit 1980 qyteti numëronte mbi 15 mijë banorë, në vitin 1990 – 16.400, kurse pas këtij viti rritja e numrit të popullsisë ishte shumë e madhe. Kështu, në vitin 1999 kishte mbi 26.5 mijë banorë e sot ka rreth 37 mijë banorë. Megjithatë, si në tërë Shqipërinë, edhe Saranda ka pësuar nga emigracioni i lartë, sidomos drejt Greqisë.
Pas Luftës së Dytë Botërore Saranda u zhvillua shpejt si port, si qytet industrial dhe si qendër turistike. Në tri dekadat e fundit qyteti është rritur, kryesisht mbi bazën e zhvillimit të industrisë së turizmit. Shpërthimi i ndërtimeve, të shumtën e rasteve ndërtime të paligjshme, ia ka ndërruar krejtësisht pamjen Sarandës turistike.
Saranda, me klimë të butë të favorshme, por edhe gjeografikisht është qytet mesdhetar. Ka numrin më të madh të ditëve me diell në Evropë, gjithësej 270 ditë. Zona e Sarandës ka bimësi mesdhetare, e njohur veçanërisht për prodhimin e agrumeve dhe ullirit, por burim kryesor i të ardhurave të popullsisë është turizmi dhe mërgata. Banorët e rrethinës merren edhe me bujqësi e blegtori. Pasuria ujore bimore është e zhvilluar në detin Jon, ku nuk mungojnë as koralet. Gjithashtu, edhe bota shtazore në deti është e pasur dhe e shumëllojshme, duke përfshirë edhe ardhjen e delfinëve.
Në afërsi të Sarandës ndodhet laguna apo liqeni i Butrintit, që përfshinë sipërfaqe prej rreth 1600 hektarëve. Laguna është e pasur me bimësi dhe lloje të shumta të peshqve dhe është nga rezervatet më të mëdha të midhjes në botë. Ajo është vend ndalese për zogjët ujorë dimërorë dhe shtegtarë.
Mund të thuhet se Saranda është qyteti kryesor turistik i Shqipërisë. Pos nga Shqipëria, ajo tërheq turistë edhe nga Maqedonia, Serbia, Hungaria, Italia, Skandinavia, Gjermania, Holanda, Polonia, Çekia, Rusia, nga e tërë bota. Një pjesë e turistëve janë ditorë, të cilët vijnë kryesisht me anije nga ishulli i Korfuzit. Turisti, pos dhjetra plazheve të pastra e të paprekura në qytet e rrethinë, mund t’i vizitojë edhe monumentet historike e natyrore të qytetit e rrethinës; kalanë e Lëkurësit, qytetin antik të Butrintit, qytetet Konispol, Ksamil e Delvinë, ishujt e Ksamilit, liqenin apo lagunën e Butrintit, kalanë e Ali Pashës në Vrinë, rrënojat e qytetit antik të Onkesmusit, rrënojat e qytetit antik të Foinikes në Finiq, muzeun arkeologjik dhe muzeun etnografik, Manastirin e 40 Shenjtorëve, burimin e madh natyror “Syri i Kaltër”, etj.
E ndodhur mes dy krahinave etnografike, qyteti i Sarandës është një vatër e kulturës, e traditave dhe e zakoneve të Labërisë dhe Çamërisë. Një festë tipike, që mbahet tradicionalisht në Sarandë është “Festa e Midhjes”, kur hapet edhe sezoni turistik, pastaj Festivali i Këngës Çame etj.
Saranda është një parajsë, me të gjitha kushtet për turizëm dhe pushim të këndshëm. Në qytet bie në sy pastërtia, sepse është ndër qytetet më të pastra në Shqipëri, madje me pastërti të nivelit evropian. Si bashki dhe si rreth është një zonë e veçantë në bregdetin shkëmbor të detit Jon. Bregu i detit është i paprekur e deti është i kthjellët dhe i kaltër. Zona dallohet për pasuri të shumta natyrore dhe për vlera të larta të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike. Këtu më së miri gërshetohet e tashmja moderne me historinë e hidhur dhe traditën e pasur. Këtu, pos ujit dhe ajrit të pastër, gjejmë edhe ushqimin e freskët dhe të shijshëm. Duke pasur edhe portin detar dhe lidhjet e mira rrugore, qyteti i Sarandës ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit detar, kulturor, historik e natyror. Shpejt Saranda do ta fitoj edhe aeroportin turistik, anijet bredhëse nëpër bregdet, rrugën e re Gjirokastër – Sarandë etj.
Si pasojë e zhvillimit të hovshëm, ndërtimet kryesisht janë bërë pa plan e pa leje, të cilat në masë të madhe e kanë betonizuar qytetin. Zhvillimi i turizmit në vitet pasuese të vitit 1990 kryesisht ishte i paorganizuar dhe i rastësishëm dhe bëhej sipas dëshirës e tekeve të sipërmarrësve privatë, pa pasur mbikëqyrje nga shteti. Tendenca për uzurpimin e hapësirave publike dhe tendenca për shkatërrimin e bregut të detit me qëllim të zgjerimit të hapësirave para lokaleve dhe për zgjerimin e plazheve, është edhe një problem tjetër jo i vogël. Dhe, problemi, mbase i fundit, është qarkullimi tepër i rënduar nëpër qytet gjatë sezonit turistik.
Prandaj, qyteti me pesë emra gjatë historisë; Onhesmi, Qishmëdheja, Zogajt, Porto Eda, Saranda është qyteti më i bukur bregdetar në Shqipëri, është parajsa e bregut jonian, është vend i historisë dhe i legjendave. Bukuritë natyrore dhe monumentet kulturore, historike e arkeologjike harmonizohen këtu mes veti më mirë se kudo tjetër. Ndaj, shkuarja jonë në Sarandë për plazh, por jo vetëm për plazh. Saranda shkëlqen atje larg në breg dhe na thërret!
add a comment