Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXII) – Gërmia – parku natyror ose mushkritë e Prishtinës

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXII)
GËRMIA – PARKU NATYROR APO MUSHKËRITË E PRISHTINËS
Gërmia është një masiv malor në afërsi të Prishtinës. Masivi malor i Gërmisë paraqet një pasuri të madhe natyrore pyjore me reliev kryesisht kodrinor, që shtrihet në verilindje të Prishtinës, në sipërfaqe prej 62 km2 dhe në lartësi mbidetare deri 1050 m. Mali apo masivi i Gërmisë përbëhet prej kodrave, luginave e përrojeve dhe është pjesë e maleve të Gallapit, që i përket sistemit malor të Rodopeve.
Në kuadër të masivit malor të Gërmisë ndodhet Parku Natyror i Gërmisë apo “Peisazhi i mbrojtur i Gërmisë”. Parku i Gërmisë është një pushimore në afërsi të qytetit të Prishtinës me sipërfaqe prej rreth 2300 hektarëve. Parku ka reliev me kodra të ulëta, që ndahen nga luginat e ngushta të përroskave. Lugina më e madhe është ajo e përronit të Vellushës, e cila është një pushimore e madhe dhe e njohur e qytetit të Prishtinës. Në Park ndodhen edhe disa burime, një pjesë e të cilave e mbushin me ujë pishinën e Gërmisë.
Në masivin e Gërmisë është e veçantë lugina e përronit të Vellushës. Për bukuritë dhe vlerat e posaçme natyrore, për rëndësinë kulturore, arsimore, shkencore, turistike dhe rekreative, një pjesë e malit të Gërmisë, qysh në vitin 1966, është shpallur “Pyje për piknik”, kurse në vitin 1987 komuna e Prishtinës e ka shpallur “Park Regjional Natyror”. Parkun sot e udhëheq ndërmarrja “Hortikultura”, ndërsa mbikëqyrjen profesionale e bën Instituti për Mbrojtjen e Natyrës. Parku i Gërmisë në vitin 1987 është i regjistruar në listën ndërkombëtare të parqeve nacionale dhe zonave të mbrojtura të Unionit Botëror për Ruajtjen e Konservimin e Natyrës (IUCN). Sipas IUCN-së Parku i Gërmisë përfshinë 1126 hektarë apo 18 për qind të malit të Gërmisë, që shtrihet në territorin e Prishtinës dhe të gjashtë fshatrave; Sofalisë, Zllatarit, Matiçanit, Kolovicës, Makocit dhe Mramorit. Ndërsa komuna e Prishtinës, në vitin 2014, këtë park e shpalli “Peisazhi i mbrojtur “Gërmia”.
Veçoritë gjeografike, gjeologjike, pedologjike, klimatike, si dhe flora e fauna e zhvilluar e bëjnë Parkun e Gërmisë mjaft të përshtatshëm për pushim, sport e veprimtari hulumtuese shkencore. Zona e Parkut është e rrethuar me pyje të dushkut dhe të ahut. Parku është i pasur me vlera natyrore, me lloje të shumta të bimëve e shtazëve. Janë të evidentuara mëse 610 lloje të florës, nga të cilat pesë lloje janë endemike dhe 12 lloje janë mjekësore. Rreth 75 për qind e Parkut të Gërmisë është e mbuluar me drunj shpardhi, qarri, bungu, ahu dhe shkoze. Pjesa tjetër, 25 për qind, është zonë e mbrojtur që shërben për pushim e rekreacion. Kjo zonë është një luginë e mrekullueshme e rrethuar nga pyje të larta apo një livadh i ngushtë dhe i gjatë, i rregulluar me infrastrukturë përkatëse turistike. Lugina, që fillon nga pishina e mbaron në grykën e malit, ka sipërfaqe prej mbi 41 hektarësh, ku ndodhen livadhet, ish-pushimorja e fëmijëve, terrenet sportive, pishina e madhe e notit, hotelet e restorantet. Vlerat natyrore, kushtet e përshtatshme për pushim dhe ajri i pastër e qetësia e dëshiruar bëjnë që numër i madh i banorëve të qytetit të Prishtinës e të rrethinës t’ia mësyejnë Parkut për çdo ditë dhe veçanërisht fundjavëve dhe festave.
Përkundër bukurive të rralla dhe vlerave të larta natyrore, viteve të fundit nga faktori njeri është dëmtuar sistemi mjedisor në Parkun e Gërmisë përmes eksploatimit të egër apo të prerjeve ilegale të pyjeve, përmes ndërtimit të paplanifikuar të objekteve dhe rrugëve lokale, përmes hedhjes së mbeturinave vend e pavend, por edhe nga qarkullimi i automjeteve në brendi të parkut etj. Madje, si pasojë e degradimit të pyjeve janë zhdukur përgjithmonë apo po zhduken disa lloje të bimëve e shtazëve. Në këtë mënyrë është dëmtuar toka përmes erozionit, janë zvogëluar rrjedhat ujore, është zgjeruar qyteti i Prishtinës dhe i disa fshatrave në dëm të parkut, është rritur gjuetia ilegale etj.
Deri në luftë në Parkun e Gërmisë i kanë pas shtëpizat e vikendit milicia, sigurimi shtetëror dhe ushtria serbe. Për këtë shkak, Parku pothuajse ishte një “mollë e ndaluar” për shqiptarët. Duke qenë se gjatë luftës shtëpizat e forcave serbe shërbenin si shtabe të fshehura lufte, ato janë bërë cak i bombardimeve të aviacionit të NATO-s dhe janë shkatërruar në tërësi.
Megjithë problemet që ka, Parku i madh i Gërmisë, afër Prishtinës, është një pasuri e madhe natyrore, një vend i mrekullueshëm për pushim. Është ky vend ideal, jo vetëm për pushim, por edhe për shëtitje, çiklizëm, ecje në natyrë, sport etj. Pyjet e larta me shtigje këmbësorësh, me ajër të pastër dhe në afërsi të kryeqytetit e bëjnë Gërminë një vend shumë tërheqës për të kaluar një ditë apo disa orë në të. Në hyrje të Parkut ndodhet liqeni apo pishina e madhe e notit, pastaj, në pjesën e sipërme janë terrenet për skijim. Mes liqenit dhe terrenit për skijim shtrihen livadhet, shtigjet për shëtitje, sheshet e lojërave për fëmijë, terrenet sportive, amfiteatri e restorantet. Livadhi i gjatë e i rrethuar me pyje është vend i parapëlqyer për piknik, ku, pos shëtisë, mund të luhen sportet e volejbollit, basketbollit e tenisit.
Parku i Gërmisë mbetet vendi më i parapëlqyer për banorët e Prishtinës e më gjerë, madje të tërë Kosovës. Për të ikur nga ndotja e madhe e ajrit në kryeqytet, banorët ia mësyejnë këtij parku të bukur këmbë, me automjete personale apo edhe përmes vijës së rregullt të autobusit urban. Gërmia është mushkëria e Prishtinës, një qendër e jashtëzakonshme e pushimit dhe e fuqizimit shëndetësor.