Shtegtime nëpër Atdhe (CLX)
DARDANA (KAMENICA) – QYTEZA PERIFERIKE QË KËRKON VËMENDJEN TONË
Një qytezë apo qytet i vogël dhe i bukur, me emrin e ri e të bukur, Dardanë dhe me emrin e vjetër, Kamenicë, shtrihet në një natyrë të mrekullueshme në brigjet e lumit Krivarekë, në Moravën e Poshtme dhe në rrëzë të maleve të Gallapit, pjesë e maleve Rodope. Dardana ndodhet në skajin më lindor të Republikës së Kosovës në lartësinë mbidetare prej rreth 400 metra.
Emrin Dardanë qyteti e ka marrë pas luftës çlirimtare të Kosovës, ndërsa emri i vjetër Kamenicë është përmendur në shek. XV në formën Chameniza. Në afërsi të qytetit ndodhen themelet e lokalitetit ilir, sot i quajtur “Kulina”. Në vitin 1863 në Kamenicën e vogël të atëhershme ishte ndërtuar kisha e fshatit, kurse para Luftës së Dytë Botërore kishte 73 shtëpi me mbi 400 banorë. Në vitin 1948 fshati kishte 756 banorë e në vitin 1953 – 928 banorë. Me hapjen e ndërmarrjeve ekonomike, numri i banorëve të Dardanës rritej gjithnjë e më shumë, kryesisht nga dyndjet e popullsisë të fshatrave malore. Kështu, në vitin 1961 Dardana kishte 1300 banorë, në vitin 1971 – mbi 2400 banorë. Si komunë sot ka rreth 40 mijë banorë dhe, si qytet, rreth 7000. Pos shqiptarëve në Dardanë jetojnë edhe rreth 200 familje serbe dhe 50 familje rome. Pas vitit 1999 një pjesë e popullsisë serbe e qytetit është shpërngulur në Serbi.
Deri në vitin 1952, kur mori statusin e rrethit, Dardana ishte një fshat i vogël, si të gjitha fshatrat tjerë. Në vitin 1959 rrethet janë transformuar në komuna dhe prej atëherë Dardana u bë seli e komunës të 58 fshatrave, e barabartë me të gjitha komunat e Kosovës.
E veçantë e qytetit dhe e komunës së Dardanës është toleranca, bashkëjetesa dhe marrëdhëniet e mira ndëretnike. Madje, shqiptarët e serbët bëjnë tregti në tregun e përbashkët të qytetit dhe, përmes kurseve, e mësojnë gjuhën e njëri – tjetrit.
Komuna e Dardanës ka territor kodrinor – malor e pasur me pyje dhe vetëm 30 për qind me tokë të rrafshët pjellore, që ndodhen në luginat e lumenjve të vegjël. Është tokë e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë, me klimë kontinentale, me verëra të nxehta e dimra të ftohtë. Dardana nuk ka infrastrukturë të duhur në shërbim të zhvillimit të turizmit, edhe pse ekzistojnë kushte dhe mundësi ideale për zhvillimin e kësaj dege ekonomike. Në vende malore me bukuri të rralla natyrore, si në Gmicë, Kikë, Kranidell etj., ka hapësira për terrene sportive, hoteliere e turistike. Planifikohet që shpejt të fillojë ndërtimi i projektit të madh turistik “Kika Hills” në sipërfaqe prej 200 hektarësh, si një qendër rekreative me kapacitete të mëdha. Pastaj janë malet e pasura me bimësi të lartë e me fushat pjellore, me malin e Kikës, me Grykën e Gjyrishecit, me Gurin e Madh në fshatin Buzovatë, me ujëvaren “Curreli” në fshatin Hogosht etj. Terrenet janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e gjuetisë, kurse rrjedhat ujore krijojnë kushte për zhvillimin e peshkimit.
Territori i komunës së Dardanës është i pasur edhe me trashëgimi kulturore e historike. Kjo trashëgimi paraqitet përmes kalave e gjyteteve, kishave e xhamive, shtëpive e odave tradicionale, varrezave të vjetra, varrezave të dëshmorëve etj. Dardana ka edhe muzeun historik, të pasur me vlera të shumta të trashëguara nga e kaluara jonë. Edhe në Hogosht ndodhet një muze me vlera të trashëgimisë kulturore, pastaj është shtëpia – muze e Kadri Zekës në Poliçkë dhe shtëpia – muze e Rexhep Malës në Hogosht. Duhet thënë se gjendja e sotme e monumenteve kulturore e historike është e pahulumtuar, e dëmtuar dhe jo e mirëmbajtur.
Për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik të komunës, edhe papunësia dhe varfëria është e lartë, nga më të lartat në vend. Kështu, është rritur jashtëzakonisht shumë shpërngulja e popullsisë drejt qyteteve, veçanërisht ajo nga fshatrat e largëta të zonave kufitare. Gjithashtu, është komuna me shpërnguljen më të madhe të popullsisë në botën e jashtme, sidomos të brezit të rinisë, i cili, në pamundësi të punësimit dhe të paperspektivës për jetë, marrin rrugët e largëta e të rrezikshme të botës. Veçanërisht është brengosëse zbrazja e vendbanimeve të brezit kufitar me Serbinë. Dy fshatra të këtij brezi tashmë nuk kanë asnjë banor të përhershëm dhe 25 fshatra tjerë kanë nga 2 deri 100 banorë.
Në bazë të hulumtimeve gjeologjike është vërtetuar se nëntoka e komunës së Dardanës është shumë e pasur me minerale, si hekur, magnezit, kaolin, bentonit, kuarc, mermer etj. Dardana, në të kaluarën jo të largët kishte një ekonomi funksionale, siç është industria e sintermagnezitit, fabrika e qeramikës, fabrika e materialit ndërtimor, një repart, i quajtur “Trepça Plast”, minierën e Strezocit etj. Miniera e Strezocit ishte shtyllë e zhvillimit ekonomik të komunës, e hapur në vitet 60-ta dhe e shuar në vitin 1998. Ajo punësonte deri 600 punëtorë dhe nxirrte xehe magneziti, kaolini, kuarci etj. Të gjitha objektet ekonomike industriale që kanë ekzistuar para lufte tashmë janë privatizuar, janë paralizuar apo e kanë ndërruar destinimin. Në këtë komunë janë edhe dy pika kufitare me Republikën e Serbisë, në Konçul dhe në Kapi (Sfircë), por kjo e dyta ende nuk funksionon.
Pozita e mirë gjeografike i mundëson Dardanës lidhje të mira rajonale e ndërshtetërore, me Gjilanin, Prishtinën, Bujanocin, Medvegjën… Si komunë periferike dhe kufitare, me tokë të begatshme dhe malet e pasura me bimë, me peisazhe të bukura e monumente të shumta, Dardana ka mundësi reale për zhvillim të gjithanshëm ekonomik e shoqëror, duke përfshirë edhe turizmin.
add a comment