Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLVIII) – OSTROSI – fshati që po shuhet

Shtegtime nëpër Atdhe (CLVIII)
OSTROSI – FSHATI I HARRUAR QË PO SHUHET
Rruga e ngushtë gjarpërore nga Virpazari, që bie në Katërkollën e Anës së Malit përmes Shtegut të Vashës, e përshkon në tërë gjatësinë e saj krahinën e Krajës. Kraja apo, siç është quajtur ndryshe, Kraja e Shkodrës, është një krahinë e bukur, e fshehur diku nëpër shpatijet e malit të Rumisë (1595 m.), e kthyer me sytë nga Liqeni i Shkodrës. Është kjo një trevë e miteve e legjendave, një trevë e të kaluares së veçantë historike, një trevë blegtorale, një trevë ku kultivohet gështenja, shega, fiqi, duhani… Po, Kraja është një trevë me dhjetra fshatra, që është e lidhur tradicionalisht me Shkodrën dhe me Anën e Malit nga ana ekonomike, demografike, historike, kulturore. Nuk e kanë quajtur kot: Kraja e Shkodrës. Kraja, tash me vetëm rreth 2000 banorë, është një tërësi e vetme etnike e gjeografike, e ndarë padrejtësisht nga Atdheu, që i ka rezistuar me shekuj asimilimit sllav, por jo edhe zbrazjes së saj. Kurbeti po e ha Krajën dalëngadalë!
Qendra e Krajës është fshati Ostros i Madh, që është edhe qendër e bashkësisë lokale e tetë fshatrave të krahinës, që padrejtësisht bën pjesë në komunën e Tivarit. Në realitet, pranë njëri – tjetrit ndodhen dy Ostrosa; Ostrosi i Madh dhe Ostrosi i Vogël, i Madhi tash ka rreth 130 familje me rreth 350 banorë, kurse i Vogli ka 80 shtëpi me 115 banorë.
Edhe pse ndodhet në brigjet e Liqenit të Shkodrës, krahina e Krajës njihet si një vend i thatë, pa ujë. Nga dhjetra fshatra, vetëm njëri, Boboshti, ka sistem të ujësjellësit. Për këtë arsye para qindra e mijëra vjetëve afër Ostrosit janë ndërtuar puset, bunaret apo ublat e ujit. Të 12 ublat, që gjenden në një shpat mali të rrethuara me pyje gështenjash shekullore në të kaluarën e largët ishin, po edhe sot vazhdojnë të mbeten, burim i jetës për banorët e fshatrave të Krajës. Sot vetëm dy prej tyre kanë shterrur, nuk mbajnë ujë, kurse njëra nuk shterrë kurrë, as në dimër, as në verë. Njërën nga ublat mendohet se e ka ndërtuar Gjon Vladimiri me bashkëshorten, Kosarën rreth vitit 1001. Pos rëndësisë jetike, ato shërbejnë edhe si atraksione të rëndësishme turistike. Kohëve të fundit ubla janë ndërtuar edhe në fshatrat tjerë, pothuaj në secilin fshat.
Fshati ka shkollën fillore “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”, një shkollë model që shërben për të gjitha fshatrat e bashkësisë lokale, por edhe si shkollë e vetme shqipe në komunën e Tivarit. Edhe pse si shkollë e plotë fillore shkolla e Ostrosit mbulon shumë fshatra të Krajës, numri i nxënësve ka rënje të vazhdueshme. Derisa në vitin 1972 shkolla kishte 520 nxënës, tash ajo nuk ka më shumë se 80 nxënës. Shkolla e Ostrosit, që po i mbushë 93 vjet të themelimit, e ka seksionin letrar “Gjon Buzuku” dhe revistën e shkollës “Valët”. Është vërtetuar se në Ostros ka pas shkollë turke që në shek. XIX, mirëpo mësimi shqip, për herë të parë, është zhvilluar në vitin 1942. Më 1 shtator 1946, me 161 nxënës, u hap shkolla e parë shqipe për Ostrosin dhe fshatrat përreth. Të përmendim se shkolla ka një bibliotekë të pasur, me rreth 5000 tituj, shumica në gjuhën shqipe, si dhe muzeun e shkollës, të pasur me shkrime të vjetra, kostume kombëtare, vegla të punës të traditës shqiptare etj. Në vitin 1968, në kuadër të shënimit të 500-vjetorit vdekjes, në oborrin e shkollës është përuruar busti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, emrin e të cilit me krenari shkolla e mbanë.
Pos shkollës dhe një ambulance, Ostrosi ka edhe një repart për përpunimin e bimëve mjekësore, i vetmi objekt ekonomik në këtë trevë, i cili u ndihmon sadopak banorëve të Krajës për mbijetesë, grumbullimin e bimëve mjekësore, siç është pelimi (sherbela), etj.
Largimi apo emigrimi i krajanëve nga Kraja, pra edhe nga Ostrosi është një plagë tepër e rëndë, e cila, jo vetëm që nuk po shërohet, por po zhvillohet edhe më, duke paraqitur shqetësim të përhershëm për krajanët. Llogaritet se vetëm në SHBA jetojnë tri herë më shumë krajanë se që jetoinë në Krajë.
Në Ostros organizohet, nga bashkësia lokale e Ostrosit dhe komuna e Tivarit, manifestimi tradicional “Festa e Gështenjës”. Është kjo një festë me shumë interes, ku shfaqen bukuritë natyrore të krahinës së Krajës, gatimet, muzika dhe mikpritja krajane. Edhe në manifestimin tjetër popullor, “Vera në Krajë”, që mbahet për çdo vit në muajin gusht, kur kthehen bashkatdhetarët nga kurbeti për pushime, paraqiten prodhimet vendore, si dhe mbahet koncert me këngë e valle popullore.
Ostrosi, në lartësi mbidetare 280 metra, i takon një krahine gjeografikisht mjaft të izoluar nga bota; nga njëra anë e ka liqenin e Shkodrës, në anën tjetër malin e Rumisë dhe në anën e tretë – kufirin shtetëror. Hapja e pikës doganore me Republikën e Shqipërisë në fshatin Zogaj është një kërkesë e kahershme, e miratuar edhe nga dy qeveritë, por ende e parealizuar. Hapja e pikës kuftitare në Krajë do ta nxirrte këtë krahinë nga izolimi shekullor dhe do ta afronte me qytetin e Shkodrës në vetëm 20 km., në vend të 45 km, sa është tash.
Zona e Ostrosit dhe përgjithësisht krahina e Krajës, vendi ku dikur kanë jetuar ilirët e fisit Labeat, tash për tash e lënë në harresë, e varfër dhe e pazhvilluar, ka mundësi reale për zhvillim të shpejtë ekonomik dhe turistik. Janë interesante e mahnitëse pamjet e fshatrave të vegjël të shpërndarë si margaritarë, poshtë pamjet e liqenit të kaltër e lart të malit të Rumisë, që ngritet hijerëndë mbi kokë. Ecja nëpër shtigjet e ngushta përmes pyjeve me gështenja mijëravjeçare, rruga gjarpërore që e përshkon zonën, monumentet kulturore e historike gjithandej, pushtimi i majave të larta, lundrimi dhe larja në liqenin e Shkodrës paraqesin një mozaik aventurash, përshtypjesh dhe përvojash të paharruara.