Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLVI) – Malisheva – qendra e Llapushës e shpallur shumëherë komunë

Shtegtime nëpër Atdhe (CLVI)
MALISHEVA – QENDRA E LLAPUSHËS E SHPALLUR SHUMË HERË KOMUNË
Llapusha është krahinë gjeografike etnografike që ndodhet në mesin e Kosovës, e mbiquajtur edhe si “zemra e Kosovës”. Krahinën e përbëjnë rrafshnalta e Llapushës dhe lugina e Lumit Mirushë, e ndodhur mes maleve të Berishës dhe maleve të Zatriqit, deri te Drini i Bardhë. Kryeqendër e kësaj krahine, me rreth 65 mijë banorë, është Malisheva, një qytezë e vogël me rreth 3000 banorë, seli e komunës e 44 vendbanimeve. Malisheva është larg Prishtinës rreth 45 km, poaq është edhe nga Prizereni dhe rreth 40 km nga Gjakova. Komuna e Malishevës ose e Llapushës ka terren të përzier kodrinor, malor e fushor. Lidhet me autostradën Prishtinë – Prizeren dhe me magjistralen Prishtinë – Pejë. Gjithashtu, lidhje rrugore ka me Rahovecin, Kievën, Duhlën etj.
Historikisht, qendra e Llapushës është zhvendosur nga një vend në tjetrin. Gjatë pushtimit osman qendra ishte vendosur në Astrazub. Gjatë Jugosllavisë mbretërore Llapusha bënte pjesë në rrethin e Rahovecit, kurse pas Luftës së Dytë Botërore qendra komunale ishin bërë Banja e Kieva. Për herë të parë, në vitin 1960, qendër e përbashkët komunale e Llapushës shpallet Malisheva, por shpërbëhet pas pesë vjetëve, në vitin 1965. Për herë të dytë Malisheva e merr statusin e qendrës komunale në vitin 1986 dhe kjo zgjatë gjithashtu pesë vjet, deri në vitin 1991, kur e zhbëri përsëri regjimi i instaluar serb. Për herë të tretë Malisheva bëhet qendër komunale pas çlirimit të Kosovës, në vitin 2000. Pas çlirimit komuna e Malishevës bënte pjesë në regjionin e Prizrenit, por, në vitin 2015, pa pëlqimin e komunës dhe të popullsisë së saj, kaloi në regjionin e Gjakovës. Pas kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve, nga janari i këtij viti Malisheva shkëputet nga regjioni i Gjakovës dhe përsëri i kthehet regjionit të Prizrenit.
Komuna e Malishevës është një zonë endemike që preket pothuaj çdo vit nga ethet hemorragjike. Për çdo vit paraqiten qindra raste të infektimit nga rriqërat, shpesh edhe me raste të vdekjes. Komuna e Malishevës vitin e kaluar ishte nga zonat e para dhe nga më të goditurat edhe nga pandemia Kovid-19.
Zona e Malishevës dhe vet qyteti ishte nga zonat e para të lira dhe vatër e luftës së UÇK-së në vitet 1998 – 1999. Lufta, në këtë zonë, ka shkaktuar dëme të mëdha; të vrarë, të zhdukur, dëbime të popullsisë, masakra, dëme të mëdha ekonomike… Pos dëmtimeve të mëdha në njerëz e kapital, komuna e Malishevës është nga komunat më të dëmtuara edhe sa i përket fondit të librave. Para vitit 1990 në komunën e Malishevës kishte pesë biblioteka publike me mbi 40 mijë libra. Gjatë luftës çlirimtare janë shkatërruar të gjitha bibliotekat dhe janë zhdukur pothuaj të gjitha librat.
Treva e Llapushës ose komuna e Malishevës është e populluar dendur, me fshatra të mëdha. Ky fakt ka bërë që toka në Malishevë dhe në fshatrat e kësaj komune të shitet e të blehet me çmime shumë të larta, deri me qindra – mijëra euro për një ari. Mirëpo, popullsia e komunës së Malishevës ka edhe probleme, siç janë: mungesë të sistemit të ujësjellësit e kanalizimit, ndotje e madhe e rrjedhave ujore dhe kundërmimi i tyre, vërshimet e lumit të vetëm, Mirushës, gjatë sezonës së shirave, mungesë e ndriçimit publik, problemet që i shkaktojnë një numër i madh i gurthyesve, ndërtimet e egra në brigjet e lumit Mirusha, deponitë e egra të mbeturinave etj.
Komuna e Malishevës është njëra ndër komunat më të pazhvilluara të Republikës së Kosovës, edhe pse ka pasuri natyrore të konsiderueshme. Shkalla e ulët e zhvillimit ekonomik ka shkaktuar shkallë të lartë të papunësisë, të varfërisë dhe të shpopullimit. Popullsia e komunës së Malishevës tradicionalisht është marrë me bujqësi e blegtori, këtu asnjëherë nuk ka pas objekte të mëdha industriale. Viteve të fundit janë bërë disa hapa në këtë drejtim, duke marrë parasysh disa punëtori të mobilieve, kompani për eksploatim të zhavorit, prodhim i paisjeve elektrike, pastaj prodhimi tradicional i gëlqeres në furra primitive etj.
Viteve të fundit edhe në këtë komunë ka filluar zhvillimi i turizmit. Rrjedha e lumit Mirusha nëpër Llapushë, pishina e Banjës, kanioni i Mirushës me ujëvarat mahnitëse e 16 liqenet e veçanta në rrjedhën e poshtme të Mirushës janë perla të papara turistike. Në fshatin Banjë buron ujë mineral shërues, ku ndodhet një pishinë, e cila shfrytëzohet edhe për organizimin e garave të notit. Pishina përmban ujë të ngrohtë me squfur në temperaturë të përhershme 22 gradë. Në fshatin Panorc gjendet Shpella e Flladit, një shpellë magjepse, deri tash e vizitueshme në gjatësinë prej 945 metrave. Edhe në një fshat tjetër, në Temeqinë, është zbuluar një shpellë interesante, por që ende nuk është hulumtuar. Malet e Berishës gjithashtu paraqesin një zonë të pasur me atraksione turistike e historike, male që mund të shndërrohen në një park kombëtar i kategorisë së parë. Janë edhe Varrezat e Dëshmorëve në Malishevë e në Kleçkë, kompleksi përkujtimor “Kodra e UÇK-së” në Ngucat, parku i qytetit, me shtatoren e Komandantit Adem Jashari, Ura e Rabaxhive në Bubël, tuma ilire në Malishevë, disa xhami të vjetra, një kishë katolike, disa kulla të autoktone, disa mullinj të ujit, që nuk përdoren më.
Duke marrë parasysh natyrën e bukur e të shëndoshë, pasuritë mbitokësore dhe nëntokësore, fushat e malet e begata, burimet e rrjedhat ujore, Malisheva e Llapusha kanë të ardhme premtuese, zhvillim të shpejt ekonomik dhe në të gjitha lëmitë e jetës.