Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLIX) – Manastiri i Bigurit – Reka dhe tempulli fetar i përvetësuar dhe i sllavizuar

Shtegtime nëpër Atdhe (CLIX)
MANASTIRI I BIGURIT – REKA DHE TEMPULLI FETAR I PËRVETËSUAR DHE I SLLAVIZUAR
Reka e Epërme është një nënkrahinë gjeografike autentike shqiptare, që ndodhet në komunat Mavrovë, Rostushë dhe Gostivar, ku jetojnë shqiptarët e fesë myslimane dhe shqiptarët e fesë ortodokse, të cilët sot kryesisht identifikohen si maqedonas. Është zonë e thyer malore me 16 fshatra të vendosura në anën e djathtë të luginës së lumit Radika. Shtrihet nën këmbët e malit të Tomorit, që nga kufiri shtetëror me Kosovën deri në derdhjen e Radikës në Liqenin e Dibrës. Banorët e Rekës së Epërme, që në popull njihen si rekali dhe nga sllavët quhen gornorekanci, merren kryesisht me bujqësi e blegtori. Por, për shkak të kushteve për jetë e të rrethanave historike, popullsia është detyruar të shpërngulet në vende më të përshtatshme dhe në botën e jashtme. Nga kjo zonë kanë dalë emra të mëdhenj, siç janë: Josif Bageri, rilindas i madh i shek. XIX, Mateja Mateski, kryetar i Akademisë të Shkencave e Maqedonisë etj. Me prejardhje nga kjo zonë ishte edhe poeti ynë i madh, Migjeni.
Monumenti më i madh i kësaj zone është Manastiri i Shën Bigurit ose i Bigorit, ose i Mbigurit, i quajtur zyrtarisht si Manastiri i Shën Gjon (Jovan) Pagëzuesit ose Shën Gjon (Jovan) Bigorskit. Ky monument është një manastir ortodoks në Rekën e Epërme të Dibrës, në luginën tërheqëse të lumit Radikë. Manastiri, i ndodhur në rrugën mes Gostivarit e Dibrës, afër fshatrave Rostushë, Bitushë dhe Trebisht, rrethohet me pyje të dendura të malit Bistra.
Kompleksi i Manastirit përbëhet nga kisha, kulla me këmbanare, galeri të ikonave, kullë të mbrojtjes, arkiv dhe objekte tjera përcjellëse. Ikonostasi, me gdhendje të thellë druri i Manastirit të Bigurit është nga ikonostaset më të bukuira, që ekzistojnë. Manastiri ka një ikonë të vjetër 1000-vjeçare, pastaj edhe shumë relikte të shenjëta. Manastiri i takonte Kishës Bizantine, me qendër në Stamboll, duke pas një rol të rëndësishëm fetar, kulturor e arsimor për shqiptarët e trevës së Rekës e më gjerë.
Sipas një kronike kishtare të vitit 1833, Manastiri i Bigurit është ndërtuar në vitin 1020 nga arbërit, përkatësisht nga Gjoni (sll. Jovan ose Ivan) i Parë Dibrani, me origjinë nga Dibra, që ishte patriarku i parë i Patrikanës së Ohrit (1018 – 1037). Pushtuesit osmanë e kishin djegur manastirin në shek. XVI, është rindërtuar në vitin 1743 dhe formën e tashme e ka marrë në shek. XIX. Gjatë historisë manastiri është djegur e rrënuar disa herë nga pushtuesit e ndryshëm, si nga normanët, serbët, osmanët, bullgarët, grekët.
Djegia e fundit ka ndodhur në vitin 2009, kur është djegur pjesa e vjetër e Manastirit, përfshirë edhe arkivin dhe bibliotekën. Me këtë rast janë asgjësuar shumë dëshmi, libra, dokumente të rëndësishme, sidomos faktet dhe dëshmitë për historinë shqiptare të Manastirit dhe Rekës së Epërme gjatë shekujve. Biblioteka e Manastirit ishte shumë e pasur me dokumente e dorëshkrime unikate, libra e meshë edhe në gjuhën shqipe. Aty ndodheshin disa përkthime të literaturës kishtare nga K. Kristoforidhi. Dokumente të shumta në arkivin e Manastirit të Bigurit dokumentonin egërsinë e shtetit mesjetar serb kundër shqiptarëve katolikë. Duke qenë të djegura mbi 30 për qind e dokumenteve dhe artefakteve me vlerë, dyshohet se zjarri ishte i qëllimshëm. Shkencëtarët shqiptarë thonë se djegia e manastirit ka zhdukur një pjesë të historisë shqiptare, sepse manastiri ka qenë, deri në vitin 1945, nën udhëheqjen e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe meshat janë mbajtur në gjuhën shqipe. Këtë fakt e vërtetojnë edhe disa dokumente të Arkivit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut, siç është letërkëmbimi i kryetarit të Kishës Ortodokse Shqiptare për Rekën e Epërme me Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, i zhvilluar në gjuhën shqipe. Gjithashtu, 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, ishte festuar edhe në Manastirin e Shën Bigurit. Deri në fillim të shek. XX, kur vendi ra nën pushtimin serb, madje deri në vitin 1945, në këtë manastir ritet dhe ritualet fetare janë mbajtur në gjuhën shqipe dhe aty kanë shërbyer murgj shqiptarë ortodoks të Rekës së Epërme. Prej atëherë manastiri është përvetësuar dhe sllavizuar nga pushtuesit e rinj.
Në vitin 2015, në një pyll të dendur mbi manastir janë gjetur mbetje njerëzore që supozohet se u takojnë dy klerikëve të vrarë në vitin 1918 nga autoritetet serbe. Klerikët ishin shqiptarë, të cilët në kishë kishin hapur edhe shkollë shqipe dhe kishin kundërshtuar sllavizimin e popullsisë lokale të fesë ortodokse të Rekës së Epërme.
Manastiri ka pas një rëndësi të madhe edhe në kohën e Skënderbeut, sepse territori i Rekës së Epërme dhe i Dibrës ishte pjesë e Principatës së Kastriotëve. Në një dokument të vitit 1426 vërtetohet se Gjon Kastrioti i ka dhuruar Kishës së Hilandarit dy fshatra të rrethit të Rostushës dhe disa fshatra tjerë Manastirit të Shën Bigurit.
Vitin e kaluar Kisha Ortodokse e Maqedonisë Veriore e ka shënuar përvjetorin e madh, 1000-vjetorin e themelimit të Manastirit si një ngjarje të rëndësishme kulturore, historike dhe fetare. Sot Manastiri i takon Kryepeshkopatës së Ohrit dhe Kishës Ortodokse Maqedonase. Nga ana tjetër, manastiri është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.
Ishte pikërisht Manastiri i Bigurit një mjet për sllavizimin e popullsisë shqiptare përmes shërbesave kishtare në gjuhën “zyrtare” sllave, të propagandës kishtare e shtetërore përmes famullitarëve, psaltëve, ikonografëve, mësuesve… Duke e përvetësuar Manastirin e Bigurit, Kisha Ortodokse e Maqedonisë ka synuar tjetërsimin e historisë shqiptare, pos të Manastirit, edhe të tërë zonës së Rekës së Epërme dhe të gjithë shqiptarëve të fesë ortodokse në Maqedoni. Dihet se deri në shek. XIX kjo zonë ka folur vetëm shqip, kurse gjurmët e shqipes dhe zakonet e vjetra shqiptare hetohen edhe sot, madje me përpjekje modeste për kthim në identitetin kombëtar shqiptar. Para disa viteve është themeluar edhe Bashkësia Fetare e Shqiptarëve Ortodoks të Republikës së Maqedonisë Veriore.

Postimet e fundit !