Puka është qytet dhe krahinë gjeografike e etnologjike në Shqipërinë e Veriut e shtrirë në një rrafshnaltë apo në një pllajë të vogël në anën e majtë të lumit Drin, 838 metra mbi nivelin e detit. Qyteti i Pukës është qendër bashkie dhe qendër rrethi në Qarkun e Shkodrës, 130 km nga Tirana, 60 km nga Shkodra e 110 km nga Kukësi.
Puka, si një vend malor, ka dimra të ashpër e verëra të freskëta. Thuhet se Puka ka dy stinë; gjashtë muaj verë e gjashtë muaj dimër. Krahina përshkohet nga rrjedha të shumta ujore që zbresin nga malet e larta. Ajo stoliset nga 70 fshatra të vegjël e të shpërndarë gjithandej nëpër male.
Zona e Pukës ka histori 1800-vjeçare. Në lashtësi Puka njihej si Picarea, banohej nga fisi ilir i Pirustëve, fisi që njihej për përpunimin e metaleve. Në shek. VI – VIII, si krahinë njihet për ekonomi të zhvilluar zejtare, për kulturë materiale e qytetare mesjetare arbërore, e quajtur “Kultura e Komanit” në Delmece. Krahina e Pukës, Pukae, Pulatum në shek. XI – XIII bënte pjesë principatën e Centës, më vonë në Principatën e Dukagjinëve. Ptolemeu, në shek. II, Pukën e quan Ad Picaria. Emri Pukë rrjedhë nga latinishtja dhe ka kuptimin e “rrugës publike”. Në territorin e Pukës ndodhen qendra arkeologjike, kala, tuma e gjurmë të mureve ilire.
Kishte 30 vjet që Puka ishte e lënë pasdore. Mirëpo, viteve të fundit, përmes projektit për rikualifikimin urban të qytetit, Puka, me rreth 6000 banorë (bashkia me rreth 16 mijë), është tranformuar e rigjallëruar, duke ndryshuar dukshëm edhe pamjen e duke u kthyer në një qytet të vogël simpatik dhe në një pikë të veçantë turistike.
Qyteti alpin i Pukës të shfaqet befasisht pasi të kalosh një rrugë të gjatë gjarpëruese përmes pishave, duke kaluar nëpër një natyrë të bukur plot gjelbërim. Shquhet për pastërti e për sistemim të mjediseve të qytetit, për sheshin e gjerë dhe këmbësoren e rregulluar, për hapësirat tjera përreth, edhe ato të rregulluara si është më së miri, duke krijuar një pamje të mrekullueshme qytetëse. Sheshin e qytetit e stolisin dy shtatoret e viganëve tonë kombëtarë, ajo e kryeheroit Skënderbeu dhe e kryepoetit, Migjeni. Kur i shtojmë kësaj pamjeje edhe liqenin e rigjallëruar përskaj qytetit dhe liqenin tjetër pak më larg, atëherë mund të përfundojmë se Puka është një qytet dhe një krahinë turistike që duhet vizituar sa më parë. Të kujtojmë se ish-rezervoari i ujit ishte bërë si një gropë e madhe ku hidheshin plehrat, kurse tash është kthyer në një liqen të vogël ngjitur me lulishten dhe shëtitoren, me plot zogj e lule. Pos qytetit, në rrethinën e tij janë edhe mëse 80 shpellat interesante, janë majet e maleve, shtigjet e ecjes, bujtinat, ushqimi tradicional, uji i ftohtë, liqenet e lumenjtë, ajri i pastër në një natyrë të shëndoshë, që të bëjnë për vete që në vizitën e parë.
Natyra e qetë magjepse e Pukës karakterizohet nga male të larta e lugina të thella, me shpella të famshme e pyje të dendura, me livadhe e lëndina të gjera, me përrenj e kroje të kristalta, me pishina natyrore e ujëvara mahnitëse, me shtigje malore e bujtina të këndshme, me ushqim të mirë e ujë e ajër të pastër. E veçanta e Pukës është masivi 400 hektarësh i pishave, si dhe majet e maleve, që e rrethojnë nga të gjitha anët.
Nga të gjitha shpellat, më e famshme dhe më interesantja është Shpella e Kaurit apo Shpella e Murgjve, e gjatë 80 m., e gjerë 1 – 5 m., e lartë 3 – 8 m., e pajisur me stalagtite dhe stalagmite, që ndodhet në brigjet e liqenit të Komanit. Kjo shpellë në lashtësi dhe në mesjetë ishte e banuar, ku prehjen e gjenin kryesisht murgjit. Gjithashtu, një shpellë tjetër që duhet të vizitohet është Shpella e Shqelit.
Puka mbetet një pikë e rëndësishme për turizëm të natyrës, turizëm dimëror dhe turizëm të aventurës, pastaj për skijim, alpinizëm, gjueti, shëtitje me barkë në liqen dhe për sporte tjera të natyrës. Janë 100 km shtigje turistike malore, të hapura, të pastruara e të markuara me GPS, të shenjëzuara me tabela drejtuese e informuese. Duhet shtuar këtu edhe bujtinat për turistë dhe mikpritjen e pashoqe pukjane.
Puka njihet si qyteti i poetit tonë të madh, Migjenit. Pasi poeti ishte i sëmurë nga mushkëritë, mjekët e kishin këshilluar të shpërngulej në Pukë, si vend klimaterik. Punoi mësues në shkollën e Pukës në vitet 1936 – 1937, ku, pos tjerash, shkroi disa nga krijimet e tij letrare, i frymëzuar nga varfëria e skajshme e popullsisë së këtij qyteti. Migjeni Pukën e kishte quajtur “një fshat që do me u tregu’ qytet”. Për nder të tij në shkollë dhe në klasët, ku ka punuar, është hapur muzeu i veçantë për të, që sot shërben edhe një pikë turistike. Pranë muzeut ndodhen ende disa akacie, nën hijet e të cilave pushonte poeti i madh.
Në shkrimet e vizitorëve Puka është quajtur “qytet i vogël me bujari e mikpritje të madhe”. Traditat kulturore, zakonet e folklori burimor i malësorëve, veshjet tradicionale janë trashëguar deri në ditët e sotme. Janë të njohura, në veçanti, vallja karakteristike pukjane, si valle e rëndë epike e burrave, e quajtur ndryshe Vallja e Kabashit apo Vallja Kabashishte. Qyteti ka Muzeun Etnografik, muzeun “Migjeni”, Pallatin e Kulturës dhe, në kuadër të Pallatit Bibliotekën e qytetit, e themeluar në vitin 1953, sot me një fond prej rreth 60 mijë librash. Në Pukë organizohet me sukses panairi vjeshtor i prodhimeve bujqësore dhe i agroturizmit.
Krahina e Pukës është zonë e pasur me minerale dhe pyje, që në të kaluarën ka mundësuar zhvillimin e industrisë së drurit dhe të mineraleve. Mbyllja e minierave apo dhënia e tyre me koncesion ka rritë papunësinë e varfërinë dhe ka nxitur emigrimin. Rrethanat e reja, pas vitit 1990, kanë bërë që një numër i madh i popullsisë të shpërngulet nga Puka në drejtim të qyteteve e zonave tjera ose jashtë vendit. Bimët e shumëllojshme medicinale dhe frutet e egra janë edhe një pasuri që natyra ia ka dhuruar Pukës. Të theksojmë se Puka prodhon birrën artizanale “Puka”, e cila tashmë ka marrë vlerësime për cilësinë e lartë. Në Pukë ka qendër të përpunimit të frutave bio të natyrës dhe tri kompani për ambalazhimin e ujit natyror (Lajthiza, QafëMali, Mida). Turizmit i shërbejnë disa hotele, restorante e bujtina, që presin mysafirë në çdo kohë. Në shërbim të turistëve është zyra informative turistike.
Është një fshat turistik, Qelëza, e përfshirë në projektin “100 fshatrat”, me kulla karakteristike dhe shpella të legjendave tona. Në bashkinë e Pukës ndodhet edhe një pjesë e Liqenit të Komanit, i njohur për lundrim me barka. Për një kullë në fshatin Kokdodë E. Durham, në vitin 1908, kishte deklaruar: “Është banesa më interesante që pashë në Shqipërinë e Veriut”.
Puka nuk ka pallate shumëkatëshe të ndërtuara rishtas. Thuhet se në qytet nuk ka më banesa në shitje, fakt që tregon se banorët pukjanë nuk kanë nevojë ta lëshojnë qytetin e tyre për një jetë më të mirë. E pse ta lëshojnë kur Puka është një mrekulli e heshtur, një parajsë e fshehur diku në malet tona, që po del në pah falë investimeve të viteve të fundit. Në saje të bukurive natyrore dhe të rregullimit nga dora e njeriut, Puka mund të krahasohet me qytetet e shteteve perëndimore. Si qytet alpin, viteve të fundit Puka ka marrë një pamje mahnitëse, çfarë e dëshirojmë të gjithë, e shndërruar në një destinim të turizmit shqiptar.
add a comment