Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CII): ULQINI – QYTETI ME SHUMË EMRA, PËRMENDORE E HISTORISË 2500-VJEÇARE
Kur flasim për qytetin e Ulqinit, menjëherë kujtojmë bukuritë natyrore e njerëzit e mirë të tij, lumin Buna e, mbi të gjitha, plazhet e shumta me rërën më të mirë në Adriatik. Ulqini është qytet i vjetër bregdetar shqiptar, është qyteti me histori të pasur e interesante, është qyteti turistik që tërheq miliona turistë brenda vitit, është qendër e komunës së Ulqinit dhe qendra më e madhe e shqiptarëve në Mal të Zi. Në Ulqin janë zhvilluar ngjarje të bujshme historike, ku janë ndeshur, më shumë se çdokund tjetër, civilizimet botërore, lindja e perëndimi. Është qyteti me tradita të pasura e kultura të ndryshme etnike e fetare, qyteti ku jetojnë në harmoni disa etni; shqiptarët, malazezët, serbët, boshnjakët e romët. Sipas regjistrimit të vitit 2011, qyteti i Ulqinit kishte rreth 11 mijë banorë, 61 për qind e të cilëve ishin shqiptarë. Gjatë shekujve nga autorë të ndryshëm e në gjuhë të ndryshme qyteti është quajtur me emra të ndryshëm. Historiani romak, Tit Livi, e ka quajtur Olcinium, Ptolomeu – Ulkinion, kurse gjatë shekujve marrë trajta të ndryshme, si Kolhin (Colchinium), Dulina, Dulcynam, Dulcyna, Dulcigno. Ulgun (Ylgyn), Ocinj, Ulcinj, Ulkinion, Olkionion, Olchinii (Olkini), Licinium, Ulcinium, Dulcinium, Dulcignum. Edhe sot në gjuhë të ndyshme mbanë emra të ndryshëm, si: Ulqin, Ulcinj (sll.), Dulcigno (it.), Ylgyn (tur.), Olokenion (gr.). Qyteti bregdetar i Ulqinit është ngritur mbi shkrepa në periudhën parahistorike nga ilirët e fisit të Labeatëve diku në shek. V p.e.r. Për shkak të pozitës gjeografike, që nga kohët më të hershme e deri tash qytetin e kanë sulmuar dhe pushtuar armiq të shumtë; romakët, bizantinët, sllavët, otomanët, venedikasit, austrohungarezët, italianët etj. Në vitin 163 p.e.r. është pushtuar nga Perandoria Romake e më vonë nga Perandoria Bizantine. Nën sundimin romak Olciniumi fiton statusin e qytetit të privilegjuar. Në mesjetë, në vitin 1040, qyteti ka rënë nën sundimin sllav, kurse në vitin 1360 nën Principatën e Balshajve. Në vitin 1405 Ulqinin, Budvën dhe Tivarin e pushtoi Republika e Venedikut e në vitin 1571 ka rënë nën Perandorinë Otomane. Kongresi i Berlinit, në vitin 1880, Ulqinin ia njohu Principatës së Malit të Zi! Me Traktatin e Shën Stefanit, të nënshkruar nga Perandoria Ruse dhe Perandoria Osmane, në mars të vitit 1878, Ulqini i njihet Malit të Zi. Pas shumë tratativave edhe Fuqitë e Mëdha, në vitin 1880, Malit të Zi i miratohet kërkesa për ta marrë Ulqinin, ndaj Mali i Zi niset drejt tij me ushtri. Për mbrojtjen e qytetit nga pushtimi malazez reziston Lidhja Shqiptare e Prizrenit, dega e Shkodrës. Në zbatim të vendimit të Fuqive të Mëdha dhe me detyrë për t’ua dorëzuar qytetin malazezëve ishte vënë ushtria osmane me shtatë batalione, tri prej të cilave ishin me shqiptarë, derisa në det qëndronin anijet e flotës ndërkombëtare. Forcat osmane, pas një lufte të madhe kundër vullnetarëve shqiptarë, natën mes 26 e 27 nëntorit 1880 ia dorëzojnë qytetin malazezëve! Kur iu dhurua malazezëve, Ulqini ishte qyteti i dytë për nga madhësia në Malin e Zi. Kalorësi gjerman, Arnold von Harfi, në vitin 1496 u ndal në Ulqin, ku mblodhi disa fjalë, shprehje e numra shqip dhe formoi, për nevojat e veta, një fjalorth shqip – gjermanisht. Ky fjalorth paraqet dokumentin e dytë të gjuhës së shkruar shqipe. Mendohet se shkrimtari i njohur spanjoll, Miguel de Servantes, nga fundi i shek. XVI, plot pesë vjet i ka kaluar si rob në Ulqin, i zënë nga kusarët ulqinakë të detit. Kjo tezë mbështetet edhe në emërtimin e një personazhi të romanit të tij të famshëm “Don Kishoti”, si Dulqinja, sipas emrit të atëhershëm të Ulqinit. Në kullën e Balshajve në Ulqin ka jetuar edhe Sabatai Zevi (1626 – 1676), i cili reformoi librin hebraik “Talmud”. Nga Ulqini e rrethina ishin edhe Gjon Buzuku, autor i “Mesharit”, Mujo Ulqinaku, Hero i Popullit, Pjetër Gjoka, Artist i Popullit e të tjerë. Ulqini tradicionalisht ka jetuar nga detaria, industria e kripës, turizmi, bujqësia e blegtoria, peshkataria. Viteve 30-ta të shekullit të kaluar afër Ulqinit është ndërtuar Kriporja dhe tri hotele, për çka qyteti mori formën e një qendre ekonomike e turistike. Kriporja e Ulqinit, e shtrirë në 1500 hektarë, ishte nga kriporet më të mëdha në pellgun e Detit Mesdhe, kurse tash është shndërruar në një lagunë. Pas LDB në Ulqin u ndërtuan edhe shumë hotele moderne dhe u ngritën disa ndërmarrje ekonomike, të cilat sollën zhvillim të konsiderueshëm ekonomik. Gjithashtu, rrethina e Ulqinit e ka të zhvilluar bujqësinë dhe pemëtarinë. Veçanërisht, është e njohur për kultivimin e ullirit, të shegës, të fiqit dhe të agrumeve tjera. Në Gjirin e Valdanosit dhe përgjithësisht në bregdetin e Ulqinit gjenden rreth 74 mijë trupa ullinjë të vjetër me moshë mesatare mbi 300-vjeçare dhe me drurë mijëravjeçarë. Ulqini tradicionalisht, që nga antika, ka qenë i lidhur ngushtë me detin, ndaj detaria dhe peshkataria janë zhvilluar qysh kur është themeluar qyteti e deri sot. Në shek. XIV Ulqini, me rreth 400 piratë ishte bërë një qerdhe e piratëve të rrezikshëm. Piratët kishin sjellë në Ulqin edhe skllevër zezakë nga vendet afrikane, një pjesë e të cilëve kishin fituar lirinë dhe ishin vendosur përgjithmonë në qytet, pasardhësit e të cilëve edhe sot i gjejmë në Ulqin. Cili është fati i Kripores së Ulqinit? Është ngritur në vitin 1926 nga italianët në 15 mijë m2 në një lagunë në deltën e lumit Buna. Si një lagunë që është, lidhet me anë të një kanali me detin, nga e merr ujin e kripur. Pas LDB ka qenë ndërmarrje shtetërore, por në vitin 2003 ka falimentuar dhe është privatizuar me një çmim simbolik, 5 cent m2! Edhe blerësi ka falimentuar dhe tash nuk dihet për fatin e saj?! Si një basen mahnitës, ku jetojnë 252 lloje shpendësh, duke përfshirë edhe shpendët e rralla flamingot dhe pelikanin, komuna e Ulqinit para dy vjetëve këtë mjedis e ka shpallur monument natyror.Bërthama e qytetit është Ulqini i Vjetër, aty ku gjendet kalaja 3500-vjeçare. Në kala dallojmë bedenat ilirë, muret çiklopike, kullën e Balshajve, kishën e shndërruar në xhami… Kalaja dhe krejt Ulqini sot është një pikë kulminante turistike, shumë e vizituar, ku janë ndërtuar hotele e restorante të shumta. Të theksojmë se që nga viti 2016 Kalaja e Ulqinit është propozuar të përfshihet në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.Qyteti i Ulqinit sot, si pikë e rëndësishme turistike verore, ka 12 plazhe me rërë të imët dhe plazhe gurore e shkëmbore. Plazhet kanë edhe efekte shëruese përmes kripës së detit, rërës së imët, burimeve të ujërave e të baltës minerale. Plazhi më i njohur është Plazhi i Madh, 4 km larg nga qyteti, i gjatë 12 km dhe i gjerë 60 m. Në qytet, në formë gjysmërrethi, ndodhet Plazhi i Vogël ose Rana, i gjatë 400 metra. Mes Plazhit të Vogël dhe Plazhit të Madh gjenden gjire të vegjël shkëmbore në formë të terracave, ku gjendet edhe një plazh i jashtëzakonshëm, Plazhi i Grave. Ky plazh, me burime të sulfurit e radiumit, thuhet se ndikon në lindshmërinë te gratë, prandaj aty lejohet plazhi vetëm gra. Plazhi i Gjirit të Valdanosit, i gjatë rreth 600 m, ndodhet 5 km nga Ulqini. Njëri nga qytetet më të vjetra e më të mrekullueshëm në bregdetin shqiptar është Ulqini, i cili ka plazhe të shumta e të shumëllojshme, ka detin e pastër, liqenin e Shasit në afërsi, lumin Buna… Qyteti shtrihet në një natyrë mahnitëse, ku gjenden edhe një numër i madh i monumenteve kulturore e historike, siç është kalaja 2500-vjeçare e, në kuadër të saj, Pazari i Robërve, kisha-xhami, pallati dhe oborri mbretëror, qyteti arkeologjik i Shasit etj. Para disa dekadave rreth 70 për qind e të gjithë pushuesve verorë në Ulqin vinin nga Kosova, por me hapjen e kufirit me Republikën e Shqipërisë para dy dekadave, kosovarët sikur i kanë pushtuar të gjitha plazhet e qyteteve shqiptare, duke mos e harruar edhe Ulqinin.