Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CI) – VELIPOJA – ME PLAZHIN SHËRUES E ME PASURI TË MËDHA NATYRORE

Në anën e majtë të grykëderdhjes së Bunës në Adriatik, rreth 30 km nga Shkodra, në një terren fushor e në lartësi mbidetare 1 deri 3 metra, shtrihet gjerë e gjatë qyteti i bukur i Velipojës. Nga plazhi i madh i Ulqinit plazhin e Velipojës e ndanë delta e lumit Buna, në largësi prej 5 km. Kjo qendër e veçantë turistike bregdetare herë quhet fshat e herë qytet. Deri para do viteve Velipoja e ka merituar emrin fshat, por sot është një qytet i ri bashkëkohor bregdetar, pasi dy dekadat e fundit ka pësuar një transformim të shpejtë e të tërësishëm falë zhvillimit të turizmit detar. Pos turizmit detar në Velipojë zhvillohet edhe turizëm lumor dhe turizëm malor, kurse popullsia merret edhe me bujqësi e blegtori, me peshkim e gjueti.Velipoja me rrethinë ka natyrë të larmishme, ku gërshetohen natyrshëm peisazhet e detit e të plazhit, të lumit e të deltës, të kënetave e të ishujve, të kodrave e të malit, të dunave, të pyllit, të lagunës, të fushës e të arave, të ligatinës… Aty ka burime të shumta natyrore, ku rriten peshqit e shumëllojshëm e lloje të ndryshme të kafshëve e shpendëve të egra. Është vendi me drurë të lartë të pishave, me bimësi të pasur tokësore e ujore, ku banojnë 183 lloje shpendësh, ku mund të pushohet në ujë të pastër të detit e në rërë të imët shëruese të plazhit, të plazhit që ka përqindjen më të lartë të jodit në bregdetin shqiptar.Velipoja e ka plazhin më verior, nga më të vizituarit e nga më të mëdhenjtë në Shqipëri. Këtë plazh, me gjatësi 14 km dhe gjerësi 50 – 200 metra, vendësit e quajnë Ranishtë. Thellësia e detit afër plazhit është e cekët dhe shumë e përshtatshme për plazhistë, sidomos për fëmijët. Plazhi ka infrastrukturë mjaft të rregulluar, ka rërë të imët e të zezë, ka ujë të pastër e të kthjellët, ka pisha të buta bregdetare rreth tij. Është nga plazhet më të rekomanduara për shërim, sepse e ka ujin e kripur me rreth 90 minerale; jodin, magnezin, potasin etj. Sasia e kripërave minerale largojnë stresin te njeriu dhe përmirësojnë qarkullimin e gjakut, shërojnë reumatizmën dhe sëmundjet e lëkurës. Bashkë me lumin Buna dhe territoret ligatinore, Velipoja është shpallur “Peisazh i mbrojtur ujor – tokësor”, ku bëjnë pjesë edhe rezervati i Velipojës me katër kënetat e saj, laguna e Vilunit, plazhi i Baks – Rjollit dhe këneta e Domnit. Lumi Buna, i gjatë 44 km, është kufi verior i Shqipërisë dhe i plazhit të Velipojës, një lumë që shërben edhe për peshkimin e troftës dhe krapit. Delta e Bunës, e krijuar nga depozitimi i lumit, e ka bazën në det, aty ku ndodhen dy ishuj të vegjël; ishulli Ada dhe ishulli i Franz Josefit. Ishullin Franz Josef në grykëderdhjen e lumit Buna në ndërkohë deti e ka gëlltitur, d.m.th. ky ishull është zhdukur nga faqja e dheut. Ishulli ishte krijuar nga depozitimet e lumit pas mbytjes së anijes austriake “Franz Josef” (emri i një perandori austrohungarez) nga flota ruse në vitin 1881. Flota ruse kishte ardhë për t’i detyruar shqiptarët t’ia dorëzojnë Ulqinin Malit të Zi në zbatim të vendimeve antishqiptare të Kongresit të Berlinit. Rezervati i Velipojës, i shtrirë në 700 hektarë në deltën e lumit Buna, përbëhet nga ligatinat dhe pylli i dendur me pisha e drunj mesdhetarë, i pasur edhe me kafshë të egra e shpendë të përhershëm e shtegtarë. Në lagunën e Vilunit, në 300 hektarë sipërfaqe e në thellësi 1 – 3 metra, jetojnë mëse 200 lloje shpendësh dhe shumë lloje të peshqëve, në mesin e tyre edhe gjitari i quajtur lundra. Nga problemet kryesore me të cilat përballet Velipoja dhe tërë zona e Nënshkodrës, është përmbytja e tokave të punueshme dhe e vendbanimeve kur bie shi, duke shkaktuar dëme të mëdha, veçanërisht duke shkaktuar dëme në strukturën bimore e ndërtimore, si dhe në peisazhin e natyrës. Edhe mushkonjat kanë paraqitur problem, sikur në plazhet tjera, mirëpo viteve të fundit janë ndërmarrë masa të dezinfektimit dhe ky problem nuk paraqitet më si paraqitej më përpara. Pushuesi në Velipojë, për të mos ndejtur kot në kohën e lirë mund të merret me sportet ujore të notit e të zhytjes, pastaj me lojën e volejbollit, me gjueti, me shëtitje në natyrë e me ngjitje në mal, me shëtitje me biçikletë, me shëtitje me barkë në Bunë etj. Pushuesi, gjatë qëndrimit në Velipojë ka mundësi ta vizitojë parkun kombëtar, lagunën e Vilunit, grykëderdhjen e Bunës, madje mund ta vizitojë edhe qytetin e bukur të Shkodrës me kalanë e lashtë të Rozafës sipër saj dhe liqenin e Shkodrës. Me bukuritë që ka dhe me kushtet e krijuara viteve të fundit, Velipoja po tërheq gjithnjë e më shumë turistë, sidomos turistë që vijnë nga Kosova e Maqedonia. Shqiptarët nga Kosova i kanë dhënë oksigjen turizmit në Velipojë. Velipoja sot ka kapacitete vendosëse për rreth 130 mijë pushues me 350 hotele, shtëpi e banesa të përshtatura për pushues. Numri i pushuesve ditor fundjavëve arrinë deri në 80 mijë vetë, kurse në pikun e sezonit shkon deri 150 mijë. Deri vonë Velipoja është konsideruar si plazhi i Shkodrës, për shkak të afërsisë që kishte, kurse sot më shumë është plazh i shqiptarëve jashtë kufirit të shtetit. Shumë nga shqiptarët e Kosovës viteve të fundit e kanë zbuluar Velipojën dhe nuk e ndërrojnë më me asnjë plazh tjetër.