Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXIX)
XERXA – FSHATI NË UDHËKRYQ ME EKONOMI TË ZHVILLUAR
Xerxa është një fshat apo një qytezë, një qendër e disa fshatrave të pellgut të Drinit në krahinën e Përdrinit, komuna e Rahovecit. Ndodhet në një tokë të begatshme të Rrafshit të Dukagjinit në bregun e majtë të Drinit të Bardhë dhe në rrugën magjistrale Prizeren – Gjakovë. Vendbanimi i Xerxës është udhëkryq i rrugëve, me të cilin lidhet drejtpërdrejt me Prizerenin (20 km) e Gjakovën (13 km), me Rahovecin (10 km), Klinën (36 km) e Malishevën (26 km), si dhe me një varg të fshatrave të Përdrinisë e më gjerë. Nëpër Xerxë kalon edhe hekurudha që lidhë Fushë-Kosovën me Prizerenin, por ajo ka disa dekada që nuk funksionon.
Në histori Xerxa paraqitet si vendbanim i vjetër antik. Në afërsi të fshatit janë zbuluar varre të stolisura të kohës romake dhe, te vendi i quajtur “Pozhig”, ndodhet vendbanimi i hapur romak i shek. II – IV.
Të theksojmë që në fillim se Xerxa është njëri ndër fshatrat më të zhvilluar dhe më të përparuar të komunës së Rahovecit dhe të Republikës së Kosovës. Si një udhëkryq rrugësh, ka pozitë të përshtatshme gjeografike e strategjike. E ndodhur mes qyteteve të Prizrenit, Gjakovës e Rahovecit, Xerxa është zhvilluar në një qendër të rëndësishme ekonomike, ku janë hapur fabrika, restorante, lokale të ndryshme tregtare e zejtare, ferma gjedhesh etj. Edhe zhvillimi i bujqësisë ka marrë përmasa të gjera, sepse toka e Xerxës në brigjet e Drinit është shumë pjellore.
Në këtë fshat, i shndërruar në qytezë dhe në një qendër ekonomike me rreth 4000 banorë, janë të regjistruara 160 njësi afariste, të cilat punësojnë rreth 2500 punëtorë. Aty ndodhet fabrika më e madhe në Kosovë e në rajon e përpunimit të grurit M&Sillosi, pastaj fabrika për përpunimin e rërës e zhavorrit, kompania për prodhimin e dyerve dhe dritareve, qendra grumbulluese e pemëve e perimeve “Elkos” etj. M&Sillosi është prodhuesi më i madh në Kosovë dhe rajon i miellit të grurit dhe furnizuesi kryesor i tregut të Kosovës me 20 lloje të miellit, si dhe të grizës e makaronave. Për ta ndihmuar ekonominë e fshatit janë hapur degët e institucionit mikrofinanciar FINCA dhe të agjencionit për financim AFK.
Edhe Xerxa, sikurse fshatrat tjerë të Përdrinisë, ka dhënë kontribut të çmueshëm në luftën çlirimtare të UÇK-së, duke i dhënë lirisë dëshmorin e kombit, Hamëz Thaçin, me emrit e të cilit është pagëzuar shkolla e fshatit. Veçanërisht, Xerxa njihet për mikpritjen dhe solidaritetin që ka treguar me refugjatët nga tërë Kosova, të cilët po dëboheshin nga Kosova dhe në kolona të gjata e në kushte e rrethana të tmerrshme ishin nisur nga Mitrovica, Drenica e viset tjera drejt Kukësit. Xerxa atë kohë ishte mobilizuar, si asnjë vend tjetër, për t’u ndihmuar të dëbuarve, duke i furnizuar sadopak me bukë e barna, me veshmbathje e batanije. Për ta kujtuar këtë eksod biblik, më 15 prill, në Xerxë dhe në Kukës organizohet, shënohet dhe nderohet vuajtja e refugjatëve, manifestim që njihet me emrin “Eksodi 99”. Në kujtim të përhershëm të këtij eksodi në Xerxë është ngritur një monument, i quajtur “Kulla e Solidaritetit”.
Xerxa e ka të rregulluar pothuaj në tërësi infrastrukturën e fshatit; rregullimin dhe ndriçimin publik të rrugëve, ndërtimin e ujësjellësit e kanalizimit, ndërtimin e kanalit kullues, rregullimin e parkut të fshatit etj. Fshati ka shtëpi të kulturës, ambulancë dhe është ndër fshatrat e rrallë që ka edhe çerdhe, që ka kapacitet për 80 fëmijë.
Është shumë interesant të mësohet se rruga 10 kilometra e gjatë nga Xerxa deri në Rahovec është njëra ndër rrugët më qarkulluese dhe ndër më të rrezikshmet në vend, ku fatkeqësitë e komunikacionit janë të shpeshta dhe fatale.
Në afërsi të Xerxës ndodhet vendi turistik, që u mundëson banorëve të Xerxës të pushojnë e të relaksohen në natyrën magjepse në brigjet e Drinit të Bardhë. Vetëm 3 km larg është Ura e Fshajt mbi Drinin e Bardhë dhe Kanioni tërheqës i Drinit, që janë monumente kulturore dhe natyrore krejt të veçanta dhe të mbushura me plot histori legjendare.
Dhe, Xerxën, si një fshat i madh, i zhvilluar dhe i përparuar, një fshat edhe i bukur e i rregulluar mirë, ia vlen për ta vizituar, në mos më shumë, për një pushim të shkurtër të kafesë.
add a comment