Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXII) – XHEPÇISHTI – FSHATI PUNËTOR KU MUNGON PAPUNËSIA

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXII)
XHEPÇISHTI – FSHATI PUNËTOR, KU MUNGON PAPUNËSIA
Mbi fshat lartësohen malet e Sharrit, poshtë tij shtrihet fusha e begatshme e Pollogut, në njërin krah bashkohet me Tetovën, në krahun tjetër kufizohet me komunën e Tearcës. Është ky fshati Xhepçisht i fushës së Pollogut dhe i rrëzës së Sharrit, vetëm 4 km larg qytetit të Tetovës. Xhepçishti është një fshat i madh i tipit të grumbulluar në lartësinë mbidetare rreth 480 metra, që ndodhet në kilometrat e parë të rrugës Tetovë – Jazhincë. Fshati ka rreth 760 shtëpi dhe, sipas regjistrimit të vitit 2002, rreth 4000 banorë. Nga viti 1996 deri në vitin 2004 Xhepçishti ishte qendër e pavarur komunale, por me një reformë të administratës lokale, e ka humbur statusin e komunës dhe i është bashkuar komunës së Tetovës. Fshatrat Xhepçisht dhe Poroj janë fqinje, të ngjitura dhe të lidhura njëra me tjetrën, duke paraqitur kështu një tërësi të vetme territoriale. Këto dy fshatra së bashku kanë rreth 8400 banorë dhe, më shumë se fshatra, paraqiten si një lagjje e qytetit të Tetovës.
Në mesjetë, sipas dokumenteve osmane, Xhepçishti përmendet me emrin Zapçisht, kur në vitin 1455 kishte 44 shtëpi dhe në vitin 1468 – 60 shtëpi.
Përpos tokës shumë pjellore dhe emigracionit, nga e sigurojnë ekzistencën shumica e banorëve, në Xhepçisht e Poroj ka rreth 130 kompani të vogla e të mesme, si dhe disa objekte industriale me rëndësi, si: fabrikën e llaqeve “Renova”, qumështoren “Alpi”, industrinë e mishit “Busha”, mullirin “Ballkan”, kompaninë për prodhime ushqimore “Green Product” etj. Prandaj, Xhepçishti më shumë i përngjanë një fshati industrial, një qyteti apo një lagjeje të qytetit të Tetovës. Shumë të rinj nga vendbanimet tjera, madje edhe nga Shqipëria e Kosova, veçanërisht gjatë sezonit të verës në bujqësi, vijnë në Xhepçisht si krah i punës. Mërgimtarë të shumtë të këtij fshati janë kthyer dhe kanë investuar në vendlindjen e tyre, duke hapur vende të reja të punës.
Kompania më e madhe në Xhepçisht, por edhe në komunën e Tetovës është “Renova”, e cila prodhon llaqe Renofix. Kompania është themeluar në vitin 1992, si një ndërmarrje e vogël, e cila vazhdimisht i ka rritur kapacitetet e veta me prodhimin e llaqeve, duke u bërë njëra ndër kompanitë më të suksesshme në Republikën e Maqedonisë. Renova është një tregim i suksesit dhe i dashurisë për punën, një tregim i traditës dhe i besnikërisë prodhuese, që ka hapur reparte edhe në vende tjera në Maqedoninë Veriore dhe në Kosovë. Pronari i kësaj kompanie, Shefki Idrizi, ishte kthyer nga Zvicra në vitin 1992 për të punuar në vendin e tij, duke hapur fillimisht kompaninë e vogël tregtare e shërbyese, e cila për një kohë të shkurtër është rritur në një kompani të madhe prodhuese.
Që nga viti 2003 Xhepçishti e ka edhe shkollën dhe klubin e futbollit “Renova”, që mori emrin e kompanisë amë, “Renova”. Edhe suksesi i klubit, si edhe i kompanisë, ishte marramendës, kur dihet që për katër vitet e para arriti të klasifikohet në kategorinë e parë të futbollit dhe të bëhet kampion shtetëror i futbollit në Maqedoni. Suksesi i klubit paraqet rast unik që një ekip fshati të bëhet kampion shtetëror.
Edhe pse një fshat me ekonomi të zhvilluar, Xhepçishtit i kanë munguar investimet komunale. Ende nuk ka sistem të ujësjellësit e kanalizimit, kurse rrugët e brendshme kryesisht janë të rregulluara me vetëkontribut. Xhepçishti është nga fshatrat e para në komunë që kanë hapur shkollë shqipe. Qysh në vitin 1942 mësuesi Vangjel Daka, i ardhur nga Shqipëria, e ka hapur shkollën e parë shqipe, duke e emëruar me emrin e heroit kombëtar, “Avni Rustemi”. Sot shkolla e Xhepçishtit, e ndërtuar së fundi në vitin 2012, ka 400 nxënës dhe mbanë emrin e kryeheroit kombëtar, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Pos shkollës fshati ka edhe ambulancë, stadium futbolli, qendër të sporteve etj. Ndodhet edhe një muze i vogël, por shumë i pasur etnologjik privat, që ka mijëra eksponate nga e kaluara e fshatit dhe e krahinës së Pollogut të Tetovës.
Xhepçishti është fshat i njerëzve bujarë e punëtorë, ku punojnë të gjithë e të papunë nuk ka. Është fshat i bukur e i qetë, me natyrë të pasur, me male të larta e fusha të gjera.

Postimet e fundit !