Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXX)
SARAJI – QYTET DHE KOMUNË BUJQËSORE E TURISTIKE
Vendbanimi Saraj, në afërsi të Shkupit, me rreth 5200 banorë, është një fshat i madh apo, më mirë të themi, është një qytezë, një qendër e krahinës së Dervenit dhe qendër komunale e 27 vendbanimeve të zonës. Ndodhet në lindje të Dervenit, mes lumit Treska dhe lumit Vardar, 10 km në perëndim të qytetit të Shkupit dhe 33 km larg nga Tetova. Saraji është themeluar në mesjetë. Gjatë periudhës së sundimit osman një beg i Shkupit këtu ka ndërtuar kulla dhe konaqe, ndaj emri i qytetit lidhet me fjalën Saraj, që d.m.th. pallat.
Krahina e Dervenit, me 31 fshatra shqiptare, shtrihet mes Shkupit e Tetovës, që nga Saraji deri në fshatin Zhelinë dhe përbëhet nga Lugina dhe nga Gryka e Dervenit. Gjithashtu, krahina ndahet në Dervenin e Epërm (10 fshatra) dhe në Dervenin e Poshtëm (21 fshatra). Kjo krahinë administrohet nga dy komuna; komuna e Sarajit dhe komuna e Zhelinës. Nëpër Derven përshkojnë dy lumenj të mëdhenj, lumi Treska dhe lumi Vardar dhe ndodhet në korridorin automobilistik veri – jug (korridori dhe hekurudha Shkup – Kërçovë.
Komuna e Sarajit u themelua në vitin 1996 dhe varet nga njësia administrative e Qytetit të Shkupit. Në lartësi mbidetare rreth 260 metra, komuna e Sarajit ka rreth 36 mijë banorë, nga të cilët 94.5 për qind janë shqiptarë, 3 për qind janë maqedonas etj. Komuna ka territor të përzier fushor, kodrinor dhe malor, i përshtatshëm për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, xehetarisë, turizmit etj. Pjesa më e madhe e popullsisë së komunës së Sarajit merret me prodhimin e ushqimit të shëndetshëm organik.
Sipas Evlia Çelebisë, Saraji në Perandorinë Osmane kishte statusin e Sanxhakut, kurse në Mbretërinë jugosllave territori i komunës së sotme mbulohej nga komuna e Shishovës dhe komuna e Çajlanës. Deri në vitin 1996 territori i kësaj komune bënte pjesë në komunën e Karposhit dhe të Gjorçe Petrovës. Sot komuna e Sarajit është komuna më e madhe ndër 10 komunat që e përbëjnë njësinë administrative Qyteti i Shkupit.
Duke qenë pranë kryeqytetit, si një paralagjje e tij, edhe Saraji ka vende dhe monumente të njohura natyrore dhe të trashëgimisë kulturore, siç janë: Qendra Rekreative – Sportive “Saraj”, Kanioni i Matkës, Liqeni i Treskës, xhamia e vjetër e Hysen Shahut (Husein Shah) e vitit 1553 në qendër të qytetit, Manastiri i vjetër ortodoks, i ndërtuar në shek.. XV etj. Madje, më 23 janar të vitit 2016, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të rënies, në Sheshin e Flamurit në Saraj është vendosur shtatorja e Heroit Kombëtar, Isa Buletini.
Aty ku bashkohen lumenjtë, mes lumit Vardar dhe lumit Treska ndodhet parku i madh, i ndërtuar në vitin 1948, i mbushur me fusha sportive, pishina, tribuna, shtigje dhe objekte tjera, i shndërruar në një kompleks sportiv. Sot ky park, i quajtur Qendra Rekreative – Sportive “Saraj”, paraqet njërin nga parqet më të mira e më të kompletuara në Republikë.
Një monument natyror e turistik, një zonë e mbrojtur me ligj, një muze në natyrë me shumëllojshmëri biologjike është Kanioni i Matkës, që ndodhet në rrjedhën e lumit Treska, 6 km nga Saraji dhe 17 km nga Shkupi. Kanioni paraqet një natyrë të mrekullueshme, i rrethuar me male të larta dhe i veshur me shkëmbinj të mëdhenj vertikal në lartësi deri 200 metra, ku gjenden disa shpella kristalore, të vjetra rreth 6 milionë vjet. Një gazetë e huaj, “Guardian”, në vitin 2018 Kanionin e Matkës e ka shpallur si njërin ndër 10 kanionet më të bukura të Evropës.
Liqeni rekreativ i Matkës, 12 km nga qyteti i Shkupit, i ndërtuar në vitin 1938, është një zonë turistike dhe një destinacion i madh turistik. Nëpër liqen mund të lundrohet me barkë dhe të vizitohen shpellat interesante nëpër shkëmbinjtë e Kanionit. Në atë hapësirë mbresëlënëse ndodhen edhe një mori restorantesh me ushqime tradicionale. Në atë natyrë magjepëse buzë liqenit, pasditeve organizohen mbrëmje kulturore; koncerte, orë letrare, përurim librash etj.
Saraji ka shkollën fillore “Dituria” dhe shkollën e mesme “Saraj”, e themeluar në vitin shkollor 2016/2017. Gjithashtu, ka shtëpi të kulturës dhe çerdhe për fëmijë, ndërsa ka nevojë dhe kërkon ndërtimin e një poliklinike. Në Saraj me sukses veprojnë ansamblet artistike “Drita e Dervenit” dhe “Shqiponja”. “Drita e Dervenit” organizon festivalin tradicional folklorik ndërkombëtar “Saraj Fest”, kurse “Shqiponja” organizon në Saraj festivalin treditor folklorik “Shkupi Folk Fest”.
Në Saraj bashkohen dy lumenjtë më të mëdhenj të Republikës së Maqedonisë Veriore; Vardari dhe Treska (138 km), të cilët i japin jetë qytetit dhe komunës. Në lumin Treska janë ndërtuar tri diga, me ç’rast janë krijuar tri liqene dhe është ndërtuar një hidrocentral. Në këtë lumë është ndërtuar qendra e kajakëve ku, në vitin 2004 janë zhvilluar garat në kampionatin evropian dhe zhvillohen gara ndërkombëtare në kajakë në ujëra vërshues.
Pozita gjeografike dhe kushtet shumë të mira natyrore në fushat pjellore pranë lumit Treska dhe Vardar kanë bërë të zhvillohet bujqësia e blegtoria, duke përfshirë veçanërisht pemëtarinë, vreshtarinë, perimtarinë. Gjithashtu, janë krijuar kushte të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit malor, liqenor e fshatar. Viteve të fundit Gryka e Treskës është vërshuar nga turistë të shumtë, të ardhur në mënyrë të organizuar nga Kosova, Maqedonia e më gjerë.
add a comment