Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXV)
BURIZANA – FSHATI ME UJIN FENOMENAL, QË FLAKËRON
Burizana ose Borizana është një fshat i bukur në zonën e Dervenit, Rrethi i Krujës, me rreth 900 familje dhe 5500 banorë. Gjendet në rrugën e vjetër Fushë-Krujë – Milot, afër qytezës së Thumanës dhe nën kodrat e Fezës, 5 km nga Thumana, 15 km nga Kruja dhe rreth 30 km larg Tiranës. Fshati ndodhet në një zonë ujore me mbi 35 burime, gurra, kroje e përroje, dy liqene ujëmbledhëse, kanal ujëmbledhës dhe Kënetën e Madhe. Ekziston mendimi se, për shkak të këtyre burimeve, fshati e ka marrë emrin Burizanë. Mirëpo, Burizana ka mundur ta kishte marrë emrin edhe nga vegla frymore e borisë apo burisë, burizanës, që në kohën e Skënderbeut është përdorur në veprimtarinë ushtarake, veçanërisht për njoftimet kur afrohej ushtria armike. Sepse, si fshat Burizana ekziston që nga koha e Skënderbeut.
Fshati Burizanë ka reliev fushor dhe pak kodrinor, klimë mesdhetare, me verë të ngrohtë e me dimër të butë. Në 1500 hektarët e tokës bujqësore, sa ka fshati, zhvillohet bujqësi në kushte të shkëlqyeshme natyrore, kryesisht me prodhimin e drithërave, të perimeve etj. Në afërsi të fshatit është ndërtuar një fabrikë e madhe e çimentos, e cila ka punësuar numër të madh të të rinjve të Burizanës dhe të zonës përreth. Mirëpo, pos punësimit, kjo fabrikë dhe disa gurore e furra të gëlqeres krijojnë probleme mjedisore në fshat dhe në zonën më të gjerë, duke e ndotur ajrin në shkallë të lartë. Edhe nga ana tjetër e fshatit ndodhet një fabrikë tjetër e çimentos, kështu që fshati ndodhet mes dy fabrikave të çimentos. Pos nga fabrikat, burizanët mbijetojnë edhe nga dërgesat e mërgimtarëve, pasi nga fshati kanë emigruar numër i madh i të rinjve.
Burizana njihet si fshat i arsimuar, i cili nga të parët e kishte zhdukur analfabetizmin. Në vitin 1913 në xhaminë e fshatit Burizanë është hapur shkolla e parë shqipe, që kishte vetëm 15 nxënës. Në vitin shkollor 1952/1953 është ndërtuar shkolla fillore, kurse në vitin shkollor 1976/1977 është hapur edhe shkolla e mesme. Në vitin 1980 është ndërtuar objekti i ri shkollor mjaft e madh, i cili në vitin 2018 është meremetuar në tërësi. Mirëpo, kjo shkollë, ku mësonin rreth 500 nxënës, ishte dëmtuar aq rëndë nga tërmeti i nëntorit 2019, sa ishte bërë e papërdorshme për zhvillimin e mësimit. Kjo shkollë u rrënua e tëra dhe në vendin e saj është ndërtuar shkolla e re, mjaft e madhe dhe me standardet më të larta për zhvillimin e mësimit, e cila ka 21 klasë, pesë laboratorë, palestër sportive, fushë sporti etj. Kjo është shkolla e bashkuar (12-vjeçare) “Haxhi Qira”, ku funksionojnë, pos shkollës 9-vjeçare, edhe shkolla e mesme – gjimnazi. Burizana ishte ndër fshatrat e parë, që nga viti 1959, që kishte hapur Kopsht të Fëmijëve.
Pos shkollës së bashkuar fshati ka qendër shëndetësore, e ndërtuar para shumë dekadave dhe e rindërtuar pas tërmetit të vitit 2019. Dikur kjo qendër kishte konsultore dhe infermieri, maternitet dhe mjekë të profileve të ndryshme. Kurse sot në këtë qendër shëndetësore ka vetëm konsultore dhe infermieri. Nga viti 1973 deri në vitin 1991 Burizana kishte edhe pallat kulture, ku shfaqeshin shfaqje teatrale, shfaqje cirku, koncerte, filma e veprimtari të shumta kulturore. Por, pallati u privatizua dhe, si i tillë, më nuk funksionon.
Edhe Burizana, si dhe fshatrat e zonës, ishte e prekur rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Qindra shtëpi ishin dëmtuar dhe mijëra banorë kishin mbetur pa kulm mbi krye.
Burizana ka një dukuri fenomenale, një krua që nxjerrë ujë nga thellësia rreth 2000 metra. Ky krua është krijuar nga hulumtimet gjeologjike të kryera para disa dekadave për gjetjen e naftës. Nga shpimi i thellë, në vend të naftës kishte dalë një lloj i ujit me veti të veçanta, me aromë të vajgurit, i cili në kontakt me zjarrin merr flakë. Ky ujë është i pijshëm, edhe pse mbanë aromë të rëndë. Banorët e fshatit, pos për pije, e kanë përdor edhe për shërim të veshkave, të sëmundjeve të stomakut, të infeksioneve të lëkurës, për larje të rrobave etj. Thuhet se me këtë ujë i kanë larë rrobat pa sapun e pa detergjente. Viteve të fundit ky ujë është duke u përdor kryesisht për shërimin e kancerit e të leukemisë. Edhe pse nuk janë bërë hulumtime të duhura shkencore për t’i analizuar vetitë e këtij uji, njerëz të shumtë nga vendi dhe nga jashtë vijnë gjithnjë e më shumë për të mbushur ujë (falas) në këtë krua. Madje, thuhet e shkruhet se ky ujë është shitur si ilaç edhe nëpër barnatore. Viteve të fundit ka pas një fluks qytetarësh nevojtarë, të ardhur edhe nga Serbia, Bosnja e vendet tjera të rajonit, të cilët, jo vetëm se kanë mbushur ujë për nevojat e veta shëndetësore, por ujin e kanë shitur për ilaç me çmime të larta. Aty kemi hasur edhe qytetarë nga Kosova, që mbushnin bidonë me ujë “vajguror”. Thuhet se edhe vajguri mund të përdoret si ilaç për shërimin e kancerit.
add a comment