Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXV) – DEÇANI – QYTETI I MANASTIRIT, I KULLAVE DHE I MJALTIT

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXV)
DEÇANI – QYTETI I MANASTIRIT, I KULLAVE DHE I MJALTIT
Deçani apo Ulëza e dikurshme ndodhet në Rrafshin e Dukagjinit, në rrëzë të Alpeve Shqiptare dhe në pjesën perëndimore të Kosovës, në rrugën Gjakovë – Pejë, në lartësi mbidetare 550 metra. Shtrihet në një fushë të gjerë nën Alpet Shqiptare me majën më të lartë të Kosovës, Gjeravicën (2656 m), rreth 14 km nga Peja, 20 km nga Gjakova dhe 90 km nga Prishtina. Rreth 10 km nga Deçani ndodhet liqeni i Radoniqit, që është rezervuari i dytë më i madh i ujit në Kosovë.
Deçani është qendër e komunës, të cilën e përbëjnë 37 vendbanime. Është zonë kufitare, që kufizohet me Republikën e Shqipërisë dhe me shtetin e Malit të Zi. Pjesa më e madhe e territorit të komunës së Deçanit mbulohet nga malet e larta dhe nga pyjet e pasura.
Në dokumente arkivore Deçani përmendet, si fshat, në vitin 1330, kur përmenden edhe disa fshatra tjerë të kësaj zone. Nën sundimin osman zona e Deçanit i përkiste Sanxhakut të Dukagjinit në Pejë.
Deri vonë Deçani ishte një fshat i thjeshtë, por shtrirja e tij në rrugën kryesore Prizeren – Gjakovë – Pejë ka ndikuar të zhvillohet ekonomikisht, sidomos të zhvillohet tregtia e turizmi etj. Pasi është bërë qendër e komunës, në vitin 1955, Deçani ka ndryshuar në çdo pikëpamje, madje edhe në rritjen e numrit të popullsisë. Në vitin 1953 fshati Deçan kishte diçka rreth 1300 banorë e në regjistrimin e fundit të popullsisë, në vitin 2011, rreth 3800 banorë. Si komunë llogaritet që komuna e Deçanit sot ka rreth 40 mijë banorë.
Rreth 2 km në perëndim të Deçanit, në hyrje të Grykës së Lumbardhit, ndodhet Manastiri i Deçanit i shek. XIII, i ndërtuar mbi themelet e një kishe ilire. Ky manastir është një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe fetare i Deçanit me rrethinë, një objekt kulti ilir që sllavët e përvetësuan dhe e shndërruan në manastir ortodoks serb. Është ky njëri nga manastiret më të mëdha në Ilirik, të ndërtuara në mesjetë, i cili nga viti 2006 është i regjistruar si monument i mbrojtur në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Manastiri ndodhet në një vend piktoresk pranë Lumbardhit, në hyrje të Grykës së Lumbardhit. Njihet për arkitekturën unike dhe dekorimin e veçantë, sallën kryesore të cilës e stolis një shandan i dhuruar nga Skënderbeu. Sot ky monument shërben si një vend pelegrinazhi për besimtarët ortodoks, me rol të rëndësishëm edhe politik për bashkësinë serbe në Kosovë e në Serbi. Gjithashtu, manastiri është edhe një pikë turistike, e vizituar nga turistë të shumtë të vendit dhe të jashtëm.
Viteve të fundit krerët e Manastirit pretendojnë t’i marrin edhe 24 hektarë tokë, që ishin pronë e dikurshme e dy ndërmarrjeve publike, të cilat më nuk ekzistojnë. Këtë tokë regjimi i Miloshevitit ia kishte dhuruar Manastirit të Deçanit në vitet 1992 e 1997. Toka ishte pronë e dy ndërmarrjeve publike, të cilat më nuk ekzistojnë, kurse komuna e Deçanit sot i trajton si prona publike (komunale). Puna ka shkuar në gjykatë dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ia ka njohur, me një vendim në vitin 2016, Manastirit. Kështu, komuna e Deçanit nuk e ka zbatuar vendimin e GJK, me arsyetimin se Gjykata ka lëshuar një vendim e ndikuar nga politika. Kundër vendimit të Gjykatës kanë protestuar mijëra qytetarë të komunës së Deçanit, ndërkohë që ky problem kërkohet të zgjidhet në favor të kishës edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Gjithashtu, krerët e Manastirit janë duke e penguar edhe ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, në segmentin ku kalon përskaj manastirit.
Karakteristikë e komunës së Deçanit janë kullat shekullore prej guri, kryesisht të ndërtuara në shek. XVIII, të cilat bartin nëpër shekuj barrën e traditës dhe të historisë sonë të rëndë. Këto kulla paraqesin trashëgiminë vendore në ndërtim, disa prej të cilave janë të banuara edhe sot. Përveç për banim, kullat kanë pas edhe karakter mbrojtës, kurse sot ato kanë rëndësi edhe për zhvillimin e turizmit. Veçojmë fshatin me kulla, Drenocin, që bartë vlera tradicionale historike e kulturore, që po shndërrohet dita – ditës në një fshat turistik. Pjesë e trashëgimisë janë edhe dy mullinj të ruajtur, njëri nga të cilët ende punon dhe tjetri është shndërruar në një lokal shitës të artizanatit. Në afërsi të Manastirit të Deçanit, në Lloçan, ndodhet një shtëpi e vjetër druri, më e vjetër se manastiri 700-vjeçar. Është edhe pushimorja rrëzë malit me pisha e gështenja, e cila nuk funksionon. Në afërsi të Deçanit, te Verrat e Llukës, në vitin 1990 është mbajtur kuvendi i madh kombëtar për pajtimin e gjaqeve. Gjithashtu, janë unike në Kosovë pyjet me gështenja dhe është unik edhe Festivali i Gështenjës, që organizohet çdo vit në Deçan. Gështenja është burim i të ardhurave për shumë familje të kësaj ane. Karakteristikë tjetër e komunës së Deçanit është se njihet si zonë e mjaltit cilësor. Para luftës çlirimtare Deçani kishte bletarinë me famë “Apiko”, e cila qëmoti është shkatërruar.
Jetën kulturore në Deçan e mbajnë shoqëria kulturore artistike “Jusuf Gervalla” dhe grupi rapsodik “Dervish Shaqa”, një grup i vallëzimit etj. Nga veprimtaritë kulturore dallohet festivali kombëtar i folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkelzen” dhe festivali për fëmijë “Ardhmëria”. Para vitit 1990 në komunën e Deçanit kishte katër biblioteka me mbi 100 mijë libra, por gjatë masave të dhunshme gjatë viteve ’90-ta dhe gjatë luftës fondi i librave ka pësuar dëmtime të mëdha.
Zona e Deçanit është një vend atraktiv, që ka male të pasura me dru e kullosa të shumta, tokë pjellore të ujitur, lumin të pastër dhe grykën e Lumbardhit, liqenet akullnajore, fushat e gjera e të begata. Nga malet e larta rrjedhë drejt fushës Lumbardhi (Bistrica e Deçanit), që përshkon Deçanin dhe bashkohet me Drinin e Bardhë. Lumbardhi në gjatësi prej 40 km dhe pjerrtësi 2000 m, zbret nga malet e larta dhe përshkon fushën, duke i dhënë jetë asaj. Në luginën e Lumbardhit janë ndërtuar tri hidrocentrale të vogla, të cilat kanë shkaktuar dëme mjedisore, kurse Deçani ka pas disa ndërmarrje, që sot nuk i ka, si fabrikën për përpunimin e drurit, bletarinë, fabrikën e pompave me piston, fabrikën e mobilieve etj.
Deçani me natyrë mbresëlënëse, me lumin Lumbardh, luginën e Lumbardhit e Grykën e Lumbardhit, me Lumbardhin e Lloçanit, me malet e pyjet e larta të Alpeve Shqiptare, me bjeshkët me kullosa të pasura, me liqenet akullnajore, me kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan, me Manastirin e Deçanit, me florën e faunën e llojllojshme, me ajrin e freskët malor e me ujin e kthjellët, që zbret nga lartësitë, është vlerësuar si një vend apo një qendër të rëndësishme turistike e Kosovës. Bjeshkët e Deçanit janë magjepse, me bukuri të rralla natyrore dhe me pamje mahnitëse, të përshtatshme për ecje, çiklizëm, skitari etj. Këto pamje i formojnë veçanërisht malet e Prejlepit, rezervati i Kozhnjerit, parku malor “Pishat”. Prandaj, duhet vizituar Deçanin, jo vetëm për bukuritë natyrore të papërsëritshme, por edhe për të djeshmen e lavdishme dhe të sotmen e ndritshme në liri!

Postimet e fundit !