Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXL) – POZHORANI – FSHATI QË I KA TË GJITHA, POS KOMUNËS
Shtegtime nëpër Atdhe (CCXL) POZHORANI – FSHATI QË I KA TË GJITHA, POS KOMUNËS
Pozhorani (Pozharani, Pozherani), më shumë se fshat është një qytezë, është ndër vendbanimet më të mëdha të Moravës së Epërme, komuna e Vitisë. Ndodhet nga mesi i rrugës Ferizaj – Gjilan, 17 km nga Gjilani, 16 km nga Ferizaj dhe 6 km nga Vitia. Pozhorani është fshat fushor i tipit të grumbulluar, që shtrihet në një tokë të begatshme.
Në afërsi të Pozhoranit ndodhet lokaliteti mesjetar Verban, ku mendohet se dikur ishte fshati por, më vonë, para 250 – 300 vjet, ka zbritur në rrafsh, ku ndodhet tash. Në dokumente historike përmendet me emrin Pozran, Pazarane, Bozharan, Posaran. Është përmendur për herë të parë në defterin kadastral të Kazasë së Novoberdës në fund të shek. XV.
Pozhorani ka qenë njëri ndër fshatrat më të dalluar të Lëvizjes Kombëtare në Moravë e më gjerë, me krerët Islam Pira, Zeqë Pira, Ramë Avdyli, Hamdi Kurteshi, që ishin bashkëluftëtarë të Idriz Seferit. Gjithashtu, ishte ndër fshatrat më të dalluar për organizimin dhe pjesëmarrjen në Kryengritjen e vitit 1910 në Kaçanik.
Nga viti 1862 në Pozhoran janë vendosur disa familje çerkeze, të cilat, pas vitit 1878, janë shpërngulur nga këtu. Kurse në vitet 1877/1878 në këtë fshat janë vendosur familje muhaxhere, të përzëna nga Sanxhaku i Nishit, të cilat në Pozhoran kanë formuar një lagje të tërë. Pas pushtimit serb, nga viti 1920 e tutje, në Pozhoran janë vendosur 54 familje kolone serbe, të ardhura nga viset e ndryshme të ish-Jugosllavisë. Nga ana tjetër shumë familje nga ky fshat janë shpërngulur në Turqi, të ikur nga trysnia e pushtetit shovinist serb.
Në fillim të shek. XX Pozhorani kishte rreth 100 shtëpi, në vitin 1961 – 327 shtëpi me rreth 2100 banorë, në vitin 1971 kishte rreth 3200 banorë, prej tyre rreth 300 serbë. Para luftës së fundit çlirimtare Pozhorani kishte 630 familje me 5300 banorë e rreth 30 familje serbe me 116 banorë. Sot llogaritet që në këtë fshat jetojnë rreth 8000 banorë, 3000 prej tyre gjenden në mërgatë, ndërsa popullsia e paktë serbe pas luftës e ka lëshuar fshatin.
Menjëherë pas “çlirimit” të Kosovës nga trupat naziste, më 7 janar 1945, forcat serbe – jugosllave tubuan 200 – 300 fshatarë të moshave 15 – 65-vjeçare dhe i futën në xhaminë e fshatit. Pengjet pastaj nxirreshin një nga një nga xhamia dhe futeshin në objektin e mejtepit, që ishte në oborrin e xhamisë, gjoja për t’i marrë në pyetje, por u torturuan deri në alivanosje dhe në vdekje. Nga ky trajtim mizor, i shndërruar në plojë kriminale mbi fshatarët, kanë vdekur 20 persona, ndërsa 24 të tjerë janë dërguar në Gjilan, nga të cilët 16 nuk janë kthyer kurrë, as të vdekur.
Gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së, më 17 prill 1999, popullsia është dëbuar nga fshati, por është kthyer pas disa ditëve. Forcat serbe, pos tjerash, kanë marrë nga ofiqaria librat e amzës, kanë shkatërruar bibliotekën, kanë plaçkitur shtëpitë, bizneset, etj. Pozhorani sot mburret me dëshmorin Mejdi Korrani, i rënë në Koshare në ballafaqim me armikun, kurse sot i ngritur në bronz. Shtatorja e stolisë qendrën dhe sheshin, që mbanë emrin e dëshmorit.
Me nismën e Hasan Prishtinës dhe me punën e veprimtarëve të kohës, Islam Pira e Ramë Avdyli, në vitin 1909 deri në fillim të vitit 1910, në Pozhoran është hapur shkolla e parë shqipe, me mësues hoxhën përparimtar, Mulla Sylën, nga Terpeza. Sot Pozhorani ka shkollë fillore dhe shkollë të mesme. Ndërtimi i objektit të ri të shkollës fillore të fshatit ka filluar në vitin 2016, por ende nuk ka përfunduar. Rreth 600 nxënës janë detyruar t’i ndjekin mësimet në objektin e shkollës së mesme “Kongresi i Manastirit” në Pozhoran, duke e zhvilluar mësimin deri në pesë ndërrime. Banorët e Pozhoranit, të pakënaqur për këtë vonesë të gjatë e të paarsyeshme, kanë protestuar disa herë.
Pozhorani, që nga viti 1973, ka klubin e futbollit “Vllaznia”, i cili me mjaft sukses garon në elitën e futbollit kosovar, në Ligën e Parë të Kosovës dhe në Superligë. Në vitin 2018 është ndërtuar edhe stadiumin e futbollit “Ibrahim Kurteshi”. Që nga vitet 70-ta në Pozhoran vepron shoqëria kulturore “Përparimi”, pas luftës edhe Radio-Pozhorani.
Dikur, deri në fillim të viteve 60-ta, Pozhorani ishte komunë më vete e më pas mbeti vetëm njëri nga fshatrat e komunës së Vitisë. Fshati i ka bërë kërkesë Qeverisë që në vitin 2016, për rikthimin e statusit të komunës, por përgjigje ende nuk ka marrë. Si me shaka, ata thonë: – Ne i kemi të gjitha, na mungon vetëm komuna. Padyshim, Pozhorani i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret për ta formuar komunën e vet.
Pas luftës Pozhorani ka pësuar një transformim të përgjithshëm me zhvillim ekonomik dhe me rregullimin e infrastrukturës publike, duke marrë gjithnjë e më shumë formën e një qyteze të bukur. Në kuadër të këtij transformimi është ndërtuar edhe parku i ndriçuar, qendra shëndetësore, stacioni i policisë, tregu i gjelbër etj.
Pozhorani, të cilin e ndanë përgjysmë rruga magjistrale, është fshat një përparimtar, fshat i veprimtarëve të çështjes kombëtare e intelektualë të spikatur. Është fshati që po ecën me kohën.
add a comment