Shtegtime nëpër Atdhe (CCXIV)
TREGOVISHTA (ROZHAJA) – QYTETI I ASIMILIMIT DHE I EMIGRIMIT TË SHQIPTARËVE
Tregovishta apo Rozhaja është qendër komunale dhe qyteti më lindor i Malit të Zi, që ndodhet në trekëndëshin kufitar Kosovë, Mal i Zi, Serbi. Shtrihet në veri të Alpeve Shqiptare, në luginën dhe në brigjet e rrjedhës së epërme të lumit Ibër, e rrethuar me male të larta e me pyje të larta halore në lartësi mbidetare rreth 1000 metra. Me rrugë lidhet me Pejën (47 km) dhe ndodhet në rrugën Mitrovicën (100 km) – Podgoricën (130 km).
Zona e Tregovishtës i takonte hapësirës etnike, historike e gjeografike shqiptare deri në fillim të shek. XX, kur u nda nga trungu etnik dhe u pushtua nga ushtritë serbe e malazeze, duke mbetur pjesë e shtetit të Malit të Zi.
Tregovishta është qytet i vogël me histori të madhe, ku jetojnë shqiptarët, serbët, malazezët, boshnjakët apo myslimanët. Në antikë zonë e Tregovishtës banohej nga ilirët e fisit dardan. Në shek. XII bie nën sundimin e Nemanjiqëve, kur një pjesë e popullsisë vendore arbërore e besimit katolik, nga shtypja e madhe, kaloi në besimin ortodoks dhe u asimilua. Kurse, me ardhjen e pushtuesve osmanë, pjesa më e madhe e popullsisë së zonës së Tregovishtës u islamizua. Në vitin 1450 pushtuesit osmanë ngritën një fortifikatë ushtarake dhe një xhami, e quajtur Xhamia e Kuçit. Në shek. XVI bëhet qendër e rëndësishme tregtare, kur edhe e merr emrin Tregovishtë. Megjithatë, Evlia Çelebiu, në shek. XVII, thotë se Tregovishta i takon Sanxhakut të Pejës, ku jetojnë familjet shqiptare të ritit katolik.
Qyteti i Tregovishtës ose i Rozhajës është themeluar nga fiset shqiptare Kuç (gjashtë familje) dhe Kelmend (dy familje), të cilat vazhdimisht ishin në armiqësi mes vete. Ndërsa në vitin 1700 Tregovishtën e banonin edhe fiset Hot, Shkrel e Vukël. Kongresi i Berlinit i vitit 1878, pos trevave tjera, Malit të Zi ia njohu edhe zonën e Tregovishtës. Qyteti u pushtua pas një rezistence të fortë nga ushtria malazeze më 13 tetor 1912. Në atë kohë Tregovishta kishte 410 familje shqiptare e “boshnjake” dhe 21 familje serbo – malazeze. Por, gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitin 1915, Tregovishta u pushtua nga Perandoria Austro-hungareze, e cila administratën e mbushi me nëpunës shqiptarë dhe i hapi disa shkolla shqipe. Mirëpo, në vitet 1918 – 1919 ushtria serbe, e ndihmuar edhe nga ushtria franceze, e mundi ushtrinë austro-hungareze dhe mbeti përsëri pjesë e Jugosllavisë së Versajës, kur shqiptarët përjetuan dhunë, gjenocid e padrejtësi të mëdha. Gjatë kësaj kohe u mbyllën shkollat shqipe dhe u hapën shkollat serbe.
Para vitit 1878 komuna e Tregovishtës kishte mbi 80 për qind të popullsisë shqiptare, kurse sot, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2011, Tregovishta ka më pak se 5 për qind të popullsisë të deklaruar si shqiptarë. Qyteti sot ka rreth 10 mijë banorë dhe 2500 familje, ndërsa komuna e Tregovishtes, me 26 vendbanime, ka mbi 23 mijë banorë dhe 5700 familje. Sipas këtij regjistrimi, rreth 84 për qind e popullsisë së komunës ishin deklaruar si boshnjakë, 5 për qind shqiptarë (1158 banorë), 4.55 për qind myslimanë, 3.58 për qind serbë, 1.75 për qind malazezë. Në komunën e Tregovishtes shqiptarët jetojnë në tetë vendbanime, por pothuaj të gjithë, përjashto fshatin Dacaj, flasin në gjuhët sllave. Fshatrat malore të zonës së Tregovishtës, si pasojë e emigrimit, kanë ngelur të shkreta, me pak apo pa banorë, kurse si pasojë e asimilimit, pa shqiptarë. Shqiptarët e qytetit dhe të zonës së Tregovishtës i ka mundur asimilimi dhe emigrimi. Për shkak të emigrimit, thuhet se një Tregovishtë ndodhet në Mal të Zi, një në Turqi, një në Sarajevë dhe një në Evropën Perëndimore. Shpërnguljet më të mëdha janë bërë pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim të spastrimit etnik të tokave shqiptare. Derisa në vitet 1908 – 1909 qyteti i Tregovishtës kishte 15 mijë apo 86,5 për qind popullsi shqiptare, sot kjo përqindje është përmbysur, ka rënë nën 5.
Në tërë komunën e Tregovishtës sot mezi funksionon një shkollë fillore në gjuhën shqipe në fshatin Dacaj, tash me tre – katër nxënës në klasë dhe me mungesë të kuadrit arsimor. Asimilimi dhe emigrimi i shqiptarëve e ka bërë të veten, e ka rrezikuar edhe të vetmen shkollë shqipe, nuk ka nxënës, por nuk ka as arsimtarë. Madje, më 16 maj 2020 persona të pazbuluar ia vuri zjarrin shkollës dhe ajo u dogj e tëra, duke përfshirë edhe dokumentacionin, që kishte brenda. Ishin ndihmat që dhanë qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës për rindërtimin e shkollës së vetme shqipe në komunën e Tregovishtës.
Në komunën e Tregovishtës nuk ka grup apo ansambël artistik. Nga viti 1947 deri në vitin 1972 në Dacaj ka vepruar grupi burimor folklorik “Dacaj”, që ka shpërfaqur vlerat shpirtërore të popullit të kësaj ane. Në Tregovishtë mbahet një manifestim mjaft i rëndësishëm kulturor, me emrin “Ora e maleve”, ku paraqitet program i pasur dhe i larmishëm artistik me pjesëmarrje nga të gjitha trevat shqiptare. Manifestimin e përbëjnë hapja e ekspozitave, përurimi i librave, paraqitja e shfaqjeve teatrore, mbajtja e orës letrare, program me këngë e valle tradicionale etj. Nga trashëgimia kulturore e Tregovishtës kemi lokalitetin arkeologjik iliro – dardan të Brezës, xhamia e Kurtagajve dhe kulla shekullore e Ganiqëve, e ndërtuar në vitin 1802.
Zona e Tregovishtës është e njohur për traditën shqiptare të besës, të mikpritjes e të bujarisë. Këto vlera u paraqitën edhe në pranverën e vitit 1999, kur popullsi e shumtë nga Rrafshi i Dukagjinit gjetën një strehë më të sigurt, një vend për të fjetur dhe një copë bukë për të ngrënë. Tregovishta në atë kohë kishte dyfish e më shumë refugjatë se që kishte banorë. Edhe në vitet 1992 e 1993 njësoj, mijëra refugjatë nga Bosnja gjetën strehë të ngrohtë këtu. Në të dy rastet malësorët i kishin të hapura dyert për refugjatët, të atyre që ishin dëbuar nga vatrat e tyre dhe ndodheshin rrugëve, duke ikur nga falangat gjakpirëse serbe. Pothuaj secila shtëpi e familje ishte e mbushur me “mysafirë”. Derisa bujaria e mikpritja i karakterizon banorët e kësaj ane, mediat dhe qarqet shoviniste përpiqen t’i paraqesin në para një pasqyre të thyer, si njerëz që janë të prirë ndaj krimit e kontrabandës.
Jo vetëm popullsia e Kosovës, por edhe fshatrat e komunës së Tregovishtës në Mal të Zi kanë pësuar nga barbaria serbe gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Më 18 prill 1999 forca të mëdha ushtarake ia mësynë Malësisë së Tregovishtës me qëllim të depërtimit në Rugovë. Dhe, në këto fshatra kishin bërë krime të mëdha; bastisje e djegie të fshatrave, dëbim të popullsisë, tortura dhe vrasje. Vetëm atë ditë ishin vrarë gjashtë persona në fshatin Husaj, dy në Bukel, tre në Qafë të Hajlës, dhjetëra të tjerë ishin plagosur e rrahur rëndë. Vetëm dëmet materiale, të shkaktuara nga ushtria serbe, janë vlerësuar në 1.5 milion euro. E, nga marsi deri në qershor 1999 në Malësinë e Rozhajës janë vrarë 21 persona civilë, në mesin e tyre dy fëmijë e dy gra, përfshirë edhe refugjatë të dëbuar nga Kosova.
Tregovishta ka një natyrë të paprekur, të shëndoshë e të pastër. Ajo nuk ka ekonomi të zhvilluar, varet kryesisht nga prerja dhe përpunimi i drurit.
add a comment