Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXII) – ROSKOVECI – QYTETI, TË CILIN E KRIJOI “PAZARI I ROSKOVECIT”

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXII)
ROSKOVECI – QYTETI, TË CILIN E KRIJOI “PAZARI I ROSKOVECIT”
Roskoveci është një qytet i vogël me rreth 8500 banorë, është një vendbanim bujqësor, ishte një ish-stacion karvanësh e një vend i njohur tregtar në kufirin mes Myzeqesë dhe Mallakastrës, 16 km nga Fieri e 30 km nga Berati.
Bashkia e Roskovecit përbëhet nga katër njësi administrative dhe nga 14 fshatra. Ajo shtrihet në një zonë fushore – kodrinore të pjesës lindore dhe në “shpinën” e fushës së gjerë të Myzeqesë, përgjatë rrugës Fier – Berat. Andej shtrihen fushat e begata bujqësore, të krijuara pas tharjes së kënetës së dikurshme të Roskovecit. Këto fusha, që ujiten nga lumi Seman, mund të prodhojnë dy e tri herë në vit. Territori i Bashkisë së Roskovecit është i pasur me ujëra. Pos liqenit të Kurjanit dhe “Kënetës së Zezë”, është edhe një rrjet të dendur i kanaleve ujitëse. Liqeni apo rezervati i Kurjanit, i ndërtuar në vitin 1960, krijon rezerva të mjaftueshme për ujitjen e tokave pjellore të një pjese të Myzeqesë. Të kujtojmë se territori i bashkisë shtrihet në krahinat e Myzeqesë dhe Mallakastrës dhe në zonën naftëmbajtëse të Patos – Marinzës.
Historia e qytetit lidhet me tregun fshatar dhe me rrugën, që përshkonte vendbanimin mes përmes tij. Themelimi i qytetit fillon nga viti 1690, kur në rrugën e karvanëve, mes Vlorës e Beratit, lindi nevoja për stacionet rrugore të pushimit dhe ushqimit të njerëzve e të kuajve. Në vendin e quajtur Frashër, që ndodhet në Roskovecin e sotëm, gjatë viteve 1768 – 1789, u krijua stacioni më i madh i karvanëve, e shumë më vonë, në gjysmën e parë të shek. XIX, edhe tregu, që u njoh si “Pazari i Roskovecit” apo “Pazari i Frashërit”. Si stacion karvanësh dhe si vend i shkëmbimit të mallrave lindi nevoja për ndërtimin e haneve dhe për hapjen e dyqaneve e të punëtorive zejtare. Fillimisht u hap një han, pastaj edhe disa punishte zejtare e dyqane dhe fshati u bë qendër ekonomike, administrative dhe ushtarake. Nga njerëz të ardhur prej krahinave të afërta e të largëta të dielave tregtoheshin mallra të ndryshëm, që nga bagëtia e deri te prodhimet bujqësore, blegtorale, artizanale etj., Ishte pazari ku, pos tregtisë tjetër, tregtoheshin edhe gurët e çmuar, orët e shtrenjta dhe punimet prej ari e argjendi.
Pazari i Roskovecit ishte nga pazaret më të mëdhenj e më të njohur në trevat shqiptare, që i shërbente krahinave të Myzeqesë, Skraparit, Beratit, Vlorës, Kavajës, Tepelenës etj. Roskoveci dikur ishte si një “bursë” formale për arin e argjendin në trevat tona, sepse deri diku përcaktonte çmimin e këtyre metaleve të çmuara në tregun e gjerë. Historia e Roskovecit lidhet ngushtë me lindjen dhe zhvillimin e tregut të tij, sepse tregu e krijoi qytetin, që është i vetmi rast i tillë në Shqipëri e më gjerë.
Në vitin 1922 Roskoveci kishte 25 shtëpi me 170 banorë. Një vit më vonë, në vitin 1923, Roskoveci u bë qendër administrative, e quajtur komuna “Pazari i Frashërit”, me 32 fshatra, që ishte në përbërje të Prefekturës së Beratit. Pasi u bë qendër, u hapën edhe shumë dyqane tregtare e zejtare, që i vunë themelet qytetit të sotëm të Roskovecit. Kështu, në vitin 1926 u hap shoqëria e parë tregtare, në vitin 1930 u hap barnatorja, në vitin 1931 kinkaleria, në vitin 1932 hoteli dykatësh me 15 dhoma, në vitin 1935 mulliri me motor, etj.
Roskoveci herë është quajtur qytet, herë lokalitet, herë komunë, herë ishte qendër e rrethit e sot është qendër e bashkisë. Qëndronte mes Beratit e Fierit, herë në rrethin e Beratit, herë në rrethin e Fierit. Nga një organizim administrativ i vitit 1956 Roskoveci bëhet lokalitet në përbërje të rrethit të Fierit, duke u ndarë nga Berati. Tash Roskoveci është qendër e bashkisë dhe bën pjesë në rrethin, në qarkun e në prefekturën e Fierit. Titullin “qytet” edhe zyrtarisht e ka marrë në vitin 1969.
Popullsia e bashkisë së Roskovecit merret kryesisht me bujqësi, blegtori e tregti, ndërsa shumë banorë ishin të punësuar në ndërmarrjen “Albpetrol”. Vetëm me ulli janë të mbjella rreth 30 për qind e tërë sipërfaqes së Bashkisë ose janë rreth 500 mijë rrënjë, shumica e tyre trupa shekullorë. Në fshatin Kurjan organizohet festa tradicionale e ullirit, si festë që simbolizon paqen e begatinë, kurse, 24 Korriku festohet tradicionalisht në Roskovec, si dita e qytetit. Gjithashtu, të ardhura i dërgohen popullsisë edhe nga mërgata e shumtë në numër. Kohëve të fundit nga zona e Roskovecit janë larguar numër i madh i popullsisë, qoftë në qytete të mëdha të vendit dhe sidomos në botën e jashtme.
Viteve të fundit qyteti i Roskovecit ka përfituar investime të shumta nga Bashkia dhe nga Bankers Petroleum Albania. Para së gjithash, është rregulluar sheshi dhe lulishtja e qytetit. Në të dy hyrjet e qytetit është ngritur nga një statujë bronzi; “Vajza myzeqare” dhe “Tregtari me peshore”, që simbolizon “Pazarin e Roskovecit”. Roskoveci ndërtoi edhe Përkujtimoren madhështore të Dëshmorëve, ku janë skalitur 72 emrat e dëshmorëve të Bashkisë së Roskovecit.
Në afërsi, rreth 6 km në jug të qytetit, ndodhet fshati turistik Luar, me një natyrë piktoreske, me një pyll tre hektarësh të pishave të buta, ku ka shumë freski e qetësi të plotë, e përshtatshme për qëndrim dhe për ecje në natyrë. Ky fshat është përfshirë në projektin kombëtar “100 fshatrat turistike të Shqipërisë”, përmes të cilit është rregulluar fshati me ndërtimit të rrugëve, zhvillimin e agroturizmit, restaurimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore etj. Luari, me reliev kodrinor e me lagje të shpërndara, është i mbushur me ullinj. Edhe ndërtimi i parkut agroturistik mundëson zhvillim të turizmit e të bizneseve, prodhim të mallrave bujqësore e blegtorale dhe përmirësim të jetesës së banorëve.
Roskoveci ka traditë dhe të kaluar të pasur, ka një natyrë të bukur e të larmishme, ka tokë të begatshme dhe, para të gjithave, ka një të ardhme premtuese.