Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCVIII) LABINOTI – FSHATI I HISTORISË DHE I GËSHTENJAVE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCVIII)
LABINOTI – FSHATI I HISTORISË DHE I GËSHTENJAVE
Me emrin e fshatit Labinot janë të emëruar shumë djem në viset shqiptare jashtë R. së Shqipërisë. Është një emër bukurtingëllues në gjuhën tonë, që ka edhe vlera të mëdha nga historia jonë e lavdishme.
Labinoti është qendër e njësisë administrative, që bën pjesë në bashkinë dhe në rrethin e Elbasanit. Ndodhet në thellësi të malësisë, rreth 35 km nga Elbasani dhe 30 km nga rruga nacionale Elbasan – Qafë-Thanë. Në fakt, janë tri fshatra njëra pranë tjetrës që mbajnë emrin Labinot; Labinoti-Mal, Labinoti-Fushë dhe Labinoti-Katund.
Zona e Labinotit është e banuar që në antikitet. Lashtësinë e zonës e vërtetojnë varrezat e zbuluara ilire. Ndërsa, me emrin e tashëm Labinoti njihet që nga shek. XV.
Gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Labinot janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme historike. Nga 17 – 22 mars 1943 është mbajtur Konferenca e Labinotit, e cila ka shtruar detyrën për organizimin e kryengritjes së përgjithshme dhe ka vendosur për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Dhe, më 4 – 10 korrik të atij viti në Labinot i ka zhvilluar punimet Konferenca I e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, në të cilën, pos tjerash, është krijuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare me 12 anëtarë, si qendër organizative, politike dhe operative e forcave të armatosura. Në zjarrin e luftës për liri, nga 4 deri 9 shtator 1943 në Labinot është mbajtur Konferenca II e Këshillit Nacionalçlirimtar, e cila e ka zgjedhur Këshillin e Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar me 62 anëtarë, si të vetmin organ të pushtetit popullor. Në konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të krahinave të ndryshme të vendit, të ushtrisë NÇ, të gruas e të rinisë antifashiste, të nacionalistëve e të klerikëve. Në Labinot-Fushë, më 10 shtator 1944, është zhvilluar edhe një luftë e ashpër mes luftëtarëve të Brigadës VI S dhe forcave gjermane gjatë tërheqjes së gjermanëve nga Greqia. Fshati është çliruar më 15 shtator të vitit 1944.
Monument i trashëgimisë kulturore me vlera historike është shtëpia – muze, në të cilën është mbajtur Konferenca e Labinotit dhe ku është krijuar Ushtria Nacional-Çlirimtare e Shqipërisë me Shtabin e Përgjithshëm të LANÇ, në krye. Muzeu, që ishte hapur në vitin 1968, është plaçkitur dy herë, në vitin 1990 dhe sidomos në vitin 1997. Në Labinot-Katund ndodhet xhamia e vjetër 400-vjeçare.
Banorët e Labinotit tradicionalisht janë marrë me bujqësi e blegtori, duke përfshirë prodhimin e drithërave të bukës, patates, pemëtarinë, vreshtarinë, rritjen e gjedheve etj. E veçanta e fshatit është kultivimi dhe prodhimi i gështenjës. Plantacionet me gështenja, ku gjenden edhe trungje shekullore deri 500-vjeçare, krijojnë pamje të mrekullueshme fshatit. Rreth 150 familje të zonës së Labinotit në vit prodhojnë mbi 300 tonelata gështenja, eksportohet kryesisht në Itali, me të cilat italianët gatuajnë një mori ëmbëlsirash, duke përfshirë edhe një lloj të çokollatës. Tashmë është bërë tradicionale Festa e Gështenjës në Labinot-Mal ku, pos gështenjës, përurohen edhe ushqimet tjera organike të fshatit dhe zhvillohen veprimtari të ndryshme kulturore.
Para vitit 1990 Labinoti kishte shkollë të mesme bujqësore, qendër kulturore, qendër shëndetësore me mjekë e infermiere. Sot kjo qendër shëndetësore ka vetëm një infermiere, ndërsa shkolla fillore, për mungesë të nxënësve, funksionon vetëm deri në klasën e katërt.
Rreth 500 banorë të Labinotit kultivojnë mikpritjen tradicionale shqiptare. Ata janë njerëz të varfër, por janë të qetë, të dashur e punëtorë. Shumë prej tyre sot i ka marrë kurbeti, ndërsa ata që kanë mbetur kërkojnë ndihmë nga shteti për të mbijetuar. Ngase, përveç asfaltimit të rrugës së gjatë malore, shteti nuk ka investuar asgjë në këtë fshat.
Labinoti ka pamje e bukuri mbresëlënëse natyrore, të cilat ende mbeten të pashfrytëzuara për qëllime turistike. Një shëtitje në zonën e Labinotit krijon një përvojë të re interesante, që nuk e gjen askund tjetër.