Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCV) BASHTOVA – FSHATI ME KËSHTJELLËN UNIKE NË GADISHULLIN ILIRIK

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCV)
BASHTOVA – FSHATI ME KËSHTJELLËN UNIKE NË GADISHULLIN ILIRIK
Bashtova, Vilë-Bashtova ose Boshtova është një fshat i vogël në bashkinë e Rrogozhinës, i ndodhur pranë rrjedhës së poshtme të lumit Shkumbin (400 metra larg), 3 – 4 km larg bregdetit Adriatik, 12 km nga autostrada Durrës – Rrogozhinë (te fshati Gosë), 18 km nga Rrogozhina dhe 23 km nga Kavaja. Bashtova shtrihet në fushën e rrafshët të Myzeqesë, rrëzë kodrave të buta të veshura me gjelbërim. Në kodrën e Sukës dikur kishte një repart ushtarak, ndërsa pranë grykëderdhjes së lumit Shkumbin në detin Adriatik ndodhet plazhi i Bashtovës. Rrugës për në Vlorë, nëpër Bashtovë, ka kaluar dikur Ismail Qemali.
Territori rreth Bashtovës ishte i banuar qysh nga kohët e lashta. Nga gjysma e shek. XIV Bashtova del me emrin Vrego, Vreg ose Briego, kur ishte një qendër e tregtimit të grurit dhe melit. Nga fundi i këtij shekulli tregtimi i drithërave ka kaluar nga raguzianët te venedikasit. Pos tregtimit venedikasit ishin të interesuar për të mbajtur edhe pika strategjike të fortifikuara në bregdetin e Arbrit. Ata pushtuan Durrësin, Lezhën e Shkodrën, por kërkonin t’i pushtonin edhe Vlorën, Kaninën, Himarën dhe Pirgun. Zona e Bashtovës, para ardhjes së osmanëve, është sunduar nga feudali Vlash Matranga. Në një regjistrim osman të viteve 1431 – 1432 Bashtova del që kishte 13 shtëpi.
Edhe zona bujqësore e turistike e Bashtovës është prekur rëndë nga fenomeni i emigrimit. Në fshat shihen arat e lëna djerrë e shtëpitë të mbyllura me dry, ndërsa në rrugët e fshatit sheh më shumë pleq se të rinj e fëmijë. Shkolla 9-vjeçare ka shumë pak nxënës, edhe ata ëndërrojnë të ikin nesër e përgjithmonë nga vendi i tyre.
Për shkak se toka e Bashtovës është shumë pjellore, banorët këtij fshati kryesisht janë marrë me bujqësi e blegtori, veçanërisht me kultivimin e agrumeve. Në fshat ndodhet edhe një fermë për rritjen e kërmillit. Ndërsa, kodrat e buta të fshatit janë të mbuluara me ullinj. Pasi aty ndodhet kështjella shekullore, edhe Bashtova është përfshirë në projektin qeveritar “100 fshatrat e Shqipërisë”, si fshat turistik.
Pranë fshatit Bashtovë dhe pranë lumit Shkumbin ndodhet kështjella e Bashtovës, që është kështjella e vetme në Gadishullin Ilirik, ndoshta edhe në Evropë, e ndërtuar në mes të një fushe të gjelbëruar dhe jo në vendbanim, në majë të maleve apo të kodrave. Kështjella është e vendosur në rrugën antike që lidhte Dyrrahun me Apolloninë, kurse rrugën “Via Egnatia”, që lidhte lindjen dhe perëndimin e Perandorisë Romake, e kishte rreth 14 km larg. Edhe rrënojat e një urë antike romake, që janë shpallur monument kulture i kategorisë I, fshihet nën lumin Shkumbin, pjesë e rrugës Durrës – Apolloni.
Kështjella është ndërtuar me gurë e tulla nga fundi i shek. XV në brigjet e lumit Shkumbin ndërsa, për shkak të shembjes muri perëndimor i saj është rindërtuar në shek. XVIII. Mirëpo, mendohet se kështjella është ndërtuar shumë më herët. Për herë të parë, si kështjellë, me emrin Pastova, është shënuar në një hartë detare të vitit 1521. Pasi lumi Shkumbin ishte i lundrueshëm që nga grykëderdhja e deri në Bashtovë, gjatë mesjetës kështjella ishte shndërruar në një port lumor, që u shërbente venedikasve për të ardhur me anije e për të tregtuar mallra. Sepse Bashtova ishte e njohur për eksportimin e drithërave.
Në Bashtovë dhe në kështjellë janë gjetur sende të ndryshme arkeologjike, shumë nga të cilat janë dërguar në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës. E. Çelebiu ka thënë se kështjellën e ndërtuan venedikasit dhe e pushtuan osmanët në kohën e Sulltan Mehmetit, kur ushtria osmane ia kishte mësyrë Skënderisë (Shkodrës). Çelebiu njofton edhe për shembjen nga lumi të njërit mur të fortesës. Nga ana e tij Hahni e përmend kështjellën e Bashtovës, kur thotë se ajo është e ndërtuar në stilin frank.
Kështjella e Bashtovës, monument kulture i kategorisë I që nga vitet 1948 dhe 1971, është e ndërtuar me planimetri katërkëndore, me përmasa 60 x 80 metra, me muret 9 metra të larta dhe 1 metër të gjerë. Muret e saj me shtatë kulla, tri prej të cilave, si dhe porta ende qëndrojnë në këmbë. Gojëdhënat thonë se kështjella ishte dykatëshe, por kati i parë gjatë kohës është fundosur nën tokë.
Kështjella ende ruhet në gjendje të mirë, edhe pse për të nuk kujdeset askush. Ajo është një pikë strategjike, një monument me vlera të larta historike dhe kulturore, e cila dëshmon për gjurmët e civilizimit të popullsisë vendore në mesjetë. Për vlerat e saj është propozuar të përfshihet në listën e UNESCO-s si objekt i trashëgimisë botërore.
Kështjella e Bashtovës vizitohet dendur, sidomos në fundjavë, për piknik familjar. Nga muret e kështjellës mund të vëzhgohet deti, lumi dhe fusha. Kështjellën e rrethon një pyll me dafina, i shfrytëzueshëm për piknik në natyrë dhe i shpallur edhe ky monument natyre. Vetëm 1 km nga Bashtova ndodhet plazhi i Spilesë dhe plazhi i Grethit, e në anën tjetër, përtej lumit ndodhet Parku Kombëtar i Divjakës.
Një festival muzikor i përvitshëm, i zhvilluar në kështjellë, është festa e trashëgimisë kulturore, që synon ta vendos kështjellën në hartën turistike të vendit. Orkestra Frymore e Ushtrisë shqiptare ka dhënë koncert me këngëtarë popullorë dhe artistë të teatrit, ndërsa është mbajtur edhe spektakli “Miss Albania 2012”.
Duke qenë në një fushë të hapur, në çdo anë e rrethuar me ara që plugohen, kështjella mund të dëmtohet. Në portën e kështjellës nuk është vendosur një tra metalik, që do të pengonte hyrjen në brendinë e saj.
Bashtovën e identifikon, pos kështjellës mesjetare, edhe fusha pjellore, kodrinat e mbuluara me ullinj, plazhi i gjerë me rërë të murrme dhe grykëderdhja e lumit Shkumbin. Prandaj, Bashtova vizitohet për turizëm kulturor e natyror. Kështjella e veçantë e Bashtovës është një mrekulli e vërtetë njerëzore, që vjen nga e kaluara jonë historike. E veçantë tjetër është pylli i dafinave rreth kështjellës, që krijon mjedis të mrekullueshëm për piknik në natyrë. Vizita në këtë vend të bukur paraqet një përvojë të re turistike, që nuk përsëritet shpesh.