Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCIX) RRAJCA – FSHATI SHQIPTAR QË MBROHET NGA UNESCO

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCIX)
RRAJCA – FSHATI SHQIPTAR QË MBROHET NGA UNESCO
Rrajca është një fshat turistik me bukuri të jashtëzakonshme natyrore. Është qendër e njësisë administrative dhe pjesë e bashkisë së Prrenjasit, rrethi i Librazhdit dhe qarku i Elbasanit. Njësia administrative e Rrajcës përbëhet nga fshatrat Rrajcë-Fushë, Sutaj, Skënderbe, Bardhaj, Katjel, Kotodesh dhe Urakë. Kjo zonë kufizohet me Republikën e Maqedonisë Veriore dhe shtrihet në Fushën e Domosdovës, të cilën e përshkon rruga kombëtare Elbasan – Qafë-Thanë dhe hekurudha Durrës – Guri i Kuq (Poradec).
Afër Rrajcës ndodhet vendbanimi i neolitit të hershëm, ndërsa në fshatin Skënderbe ka rrënoja të një qyteti ilir të shek. VIII p.e.r. Me këtë fshat lidhet edhe Beteja e Torviollit, e zhvilluar mes ushtrisë arbërore dhe ushtrisë osmane në fushën e Domosdovës, më 29 qershor 1444. Në fillim të Luftës Ilirike (Ballkanike), në vitin 1913, Rrajca është djegur plotësisht dhe është plaçkitur nga ushtria serbe.
Pranë Rrajcës ndodhet pylli i ahut, që është pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik – Jabllanicë dhe pjesë e trashëgimisë natyrore botërore të UNESCO-s. Brenda parkut ndodhen 14 liqene të vogla akullnajore, të shtrira në lartësinë mbidetare mbi 1900 metra. Prej tyre katër liqenet e Rrajcës konsiderohen si pika turistike me bukuri të rralla natyrore. Gjithashtu, Rrajca bën pjesë në shoqatën e pyjeve të ahut, e quajtur European Green Belt. Kjo zonë është ndër vendet e rralla ku jeton rrëqebulli ballkanik.
Zona e mbrojtur e Rrajcës është një pikë e veçantë turistike, një perlë e turizmit në Shqipëri dhe në Ilirik. Nga 7 korriku i vitit 2017 pyjet e paprekura të ahut të lashtë të Evropës të fshatit Rrajcë janë konservuar në një zonë të mbrojtur strikte. Pyjet e ahut, me vjetërsi 200 – 300-vjeçare, shtrihen në sipërfaqe prej 4700 hektarëve në lartësi mbidetare deri 1900 metra. Aty gjenden liqenet akullnajore, pyjet e paprekura, livadhet e gjera, rrjedhat ujore, shtigjet për biçikleta dhe për ecje këmbë, kullat e vrojtimit, shpellat e pikturuara, kanionet e thella malore, ujëvarat e mrekullueshme… Pyjet e Rrajcës, të mbushura me drurin e ahut, bredhit, pishës e shelgut janë strehë mbrojtëse të shumë gjallesave, egërsirave, insekteve, kërpudhave.
Zona njihet edhe për kishat e ndërtuara nëpër shpella, siç është ajo e Kosharishtit, ku janë gjetur figura e mbishkrime të shek. II p.e.r. Nga monumentet dallojmë Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut, disa rrape shekullore, mullirin etj. Shkalla e Skënderbeut është monument historik në fshatin Skënderbe. Këtu Skënderbeu ka zhvilluar disa beteja me hordhitë osmane, të ardhura nga Anadolli. Thuhet se këtë shkallë e ndërtoi Skënderbeu kur ushtria e tij nuk mund të depërtonte nëpër një grykë e një shteg tepër të ngushtë. Dikur në fshat kishte 12 mullinj të ujit, ndërsa sot ka mbetur vetëm një.
Rrajca është një fshat historik dhe një fshat i legjendave dhe gojëdhënave për Skënderbeun. Edhe ekzistenca e fshatit lidhet me figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe betejave të ushtrisë së tij. Kjo zonë ka mjaft pasuri kulturore, etnografike, arkeologjike, historike e gastronomike, si pjesë e rëndësishme e identitetit tonë kombëtar. Veshjet popullore të Rrajcës janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare, ndërsa janë të njohura vallet karakteristike të Rrajcës. Karakteristike janë edhe punimet artizanale në dru, në qëndistari etj.
Para 105 vjetëve në Rrajcë është hapur shkolla e parë shqipe, në themelimin e të cilës ka marrë pjesë edhe Themistokli Gërmenji. Mirëpo, nga viti 2022 rreth 430 nxënës të Shkollës së Mesme të Bashkuar (gjimnazi dhe 9-vjeçarja) të fshatit Rrajcë kanë mbetur pa objekt shkollor, për shkak se shkolla është mbyllur pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019. Mësimet në dy turne nxënësit janë të detyruar t’i zhvillojnë nëpër lokale apo objekte private, pa kushte minimale për mësim. Nxënës dhe prindër të këtij fshati kanë protestuar para bashkisë, duke kërkuar ndërtimin e shkollës, ndërsa kanë marrë premtimin se shkolla e re do të ndërtohet gjatë këtij viti.
Rrajcarët janë punëtorë, mikpritës, arsimdashës, njerëz të sakrificës, të cilët prore krenohen me Skënderbeun dhe me betejat e tij të zhvilluara në këtë zonë. Shumë banorë të Rrajcës janë shpërngulur nëpër qytete të vendit dhe shumë të tjerë kanë emigruar jashtë vendit, kryesisht përtej Atlantikut, deri në Argjentinë.
Rrajca është një oazë e paprekur, që ndërthur të gjitha mrekullitë e natyrës në një vend; kulturën, natyrën, legjendat. Gjatë sistemit monist kjo zonë kufitare kishte lëvizje të kufizuar dhe të mbikëqyrur të njerëzve. Pikërisht ky kufizim ka bërë që pyjet të mbroheshin dhe të mbeten të paprekura, duke mundësuar që sot kjo zonë të kthehet në njërën ndër asetet më të bukura turistike në vend.
Zona e Rrajcës me bukuri të jashtëzakonshme natyrore, me pyje të larta të ahut dhe me liqenet akullnajore e kthejnë Rrajcën në një zonë të rëndësishme turistike. Ajo, pos për turizëm, shfrytëzohet edhe për veprimtari sportive, çiklizëm malor, alpinizëm, ecje në natyrë, skitari, peshkim etj.