Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCIV) PEZA – FSHATI MARTIR I ÇETËS DHE I KONFERENCËS SË PEZËS

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCIV)
PEZA – FSHATI HERO I ÇETËS DHE I KONFERENCËS SË PEZËS
Peza është fshat në bashkinë dhe në rrethin e Tiranës. Ndodhet rreth 20 km në jugperëndim të kryeqytetit, Tiranës dhe rreth 30 km në veriperëndim të qytetit të Durrësit. Në Pezë mund të shkohet përmes rrugës së Kavajës, që shkon nga Tirana nëpër Ndroq dhe përfundon Te Plepat, në Plazhin e Durrësit. Në realitet ndodhen tri fshatra me emrin Pezë; Peza e Madhe, Peza e Vogël dhe Pezë-Helmësi. Peza e Madhe është qendër e Njësisë Administrative e nëntë fshatrave të rrethit të Tiranës.
Ndër fshatrat më të vjetër të Shqipërisë është Peza, e cila vlerësohet se është themeluar me ndërtimin e kështjellës së Dorëzit në shek. III p.e.r. Në këtë vendbanim ilir, i quajtur nga banorët “qytezë”, ende gjenden rrënojat e kësaj kështjelle. Për shkak se kjo kështjellë është rrënuar e rindërtuar disa herë, është mbiquajtur edhe si qyteti Feniks.
Pezakët kanë marrë pjesë në kryengritjet e viteve 1336 – 1432, të udhëhequra nga Andrea Topia. Në vitin 1870 në Pezë janë zhvilluar luftime kundër ushtrisë osmane, e cila, pasi dogji dhe plaçkiti fshatin, një numër të madh të banorëve i internoi në Anadoll. Më 5 qershor të vitit 1940, nën udhëheqjen e Myslim Pezës (Hero i Popullit), pezakët kanë formuar çetën partizane të Pezës, njërën ndër formacionet e para antifashiste në Evropë. Myslim Peza ishte një person kryengritës, i arratisur, emigrant, komandant – luftëtar. Pas çlirimit të vendit ka bartur detyra të rëndësishme shtetërore; Zv/kryetar i qeverisë, deputet, zv/kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor etj. Në Pezë janë zhvilluar shumë luftime kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë. Fshati është djegur nga pushtuesit tri herë. Në luftë kanë rënë shumë dëshmorë nga Peza, duke përfshirë edhe Heroinën e Popullit, Mine Peza, e cila mori pjesë aktive edhe në demonstratën para burgut në Tiranë, për të kundërshtuar internimin e të burgosurve antifashistë në Itali. Kënga e mirënjohur për Mine Pezës, pos tjerash, thotë:
T’i shkatërrojmë prangat mizore
hidhet nana si rrufe,
mitralozi n’dorë tradhtare
e rrëzoj nanën përmbi dhe.
Më 16 shtator të vitit 1942 në Pezë u mblodh Konferenca e Pezës, ngjarja më e rëndësishme në historinë e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kjo konferencë kishte qëllim të krijonte një front të përbashkët lufte kundër fashizmit. Konferenca u mbajt në shtëpinë e Myslim Pezës dhe ishte e siguruar nga Çeta e Pezës. Në të morën pjesë 17 përfaqësues të forcave antifashiste, duke përfshirë edhe një misionarë britanikë. Konferenca ka marrë vendim për krijimin e Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar, mobilizimin e popullit në luftë për çlirim, ngritjen e këshillave nacional-çlirimtare në tërë vendin, rreshtimin e Shqipërisë në krah të koalicionit antifashist botëror, krijimin, pas lufte, të Shqipërisë së lirë, të pavarur e demokratike. Për çështjen e rikthimit të Zogut në Shqipëri vendimi të merrej pas lufte, si dhe çështja e Kosovës të zgjidhej pas lufte, sipas të drejtës së popujve për vetëvendosje.
Kur kishin marrë vesh fashistët për mbajtjen e Konferencës, ishin tërbuar. Ekspedita prej rreth 6000 trupave fashiste, të ndarë në gjashtë kolona kanë hyrë në Pezë nga gjashtë drejtime për ta zhdukur fshatin dhe për ta eliminuar Çetën e Pezës. U vranë 15 fshatarë, në mesin e tyre tri gra, dhe u dërguan në Burgun e Tiranës 100 persona. Pastaj, u vodhën e u grabitën shumë bagëti, veshmbathje e gjëra tjera, si dhe u dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit.
Për kontribut gjatë luftës, Unioni Botëror i Krahinave Martire dhe i Paqes të LDB e ka zgjedhur zonën e Pezës anëtare me të drejta të plota dhe e ka shpallur “Zonë martire”.
Popullsia e Pezës tradicionalisht janë marrë me prodhimin e drithërave të bukës, me rritjen e bagëtive të imëta, me kultivimin e ullirit, me vreshtari dhe me perime në sera. Disa trupa të ullinjve janë mijëravjeçarë. Një veprimtari tjetër ekonomike dhe sportive e viteve të fundit është peshkimi në dy liqenet e zonës.
Peza ka një traditë të pasur kulturore e arsimore. Dikur kishte shkollë të mesme bujqësore, shtëpi të kulturës, bibliotekë, muze të luftës dhe të Konferencës së Pezës, spital etj. Sot Peza ka muzeun e rikonstruktuar, monumentin e Dëshmorëve të Pezës, Parkun Përkujtimor të Dëshmorëve, ku prehen 145 dëshmorë të Pezës dhe të fshatrave përreth, të rënë gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, në mesin e të cilëve ishin edhe varrezat e tre dëshmorëve italianë, të rënë në luftë kundër nazistëve gjermanë. Në qendër të fshatit ndodhet parku i madh dhe brenda parkut, shtëpia e vjetër e Myslim Pezës, organizatorit të Konferencës së Pezës. Në Pezë mbahet ngjarja më e madhe kulturore “Peza n’festë”, festë e përvitshme treditore që mbahet për nder të Konferencës së Pezës. Gjithashtu, organizohet panairi i kulinarisë me gatime tradicionale, lojëra fëmijësh, shfaqje cirku, muzikë etj.
Peza është fshat i gjelbëruar piktoresk, fshat me rëndësi historike dhe turistike. Ndërsa, pezakët janë njerëz bujarë, luftëtarë, punëtorë e mikpritës. Zona e Pezës njihet për bukuritë natyrore mjedisore, e pasur me pyje, ara, kodra, liqen, florë e faunë të zhvilluar. Aty gjenden edhe kështjella antike e monumente historike. Peza ka toka të punuara, shtëpi tradicionale të sistemuara bukur, gjelbërim të plotë. Ndaj, fshati është zonë turistike, ku mund të zhvillohen veprimtari të llojllojshme kulturore e sportive; ekspozita, kanotazh, not, peshkim sportiv etj. Në fundjavë Peza mbushet me vizitorë, që kryesisht vijnë nga Tirana për një kafe apo për një drekë në restorantet e fshatit. Fusha e madhe në Pezë javë për javë shndërrohet në një fushë pikniku familjarë. Liqeni i vogël i Fjollës, me sipërfaqe 14 hektarësh, i ndodhur në afërsi të Pezës, është me ujë të pastër dhe me bukuri të rrallë. Mjedise dhe hapësira çlodhëse ka zona Fjollë (liqen) – Dorëzi (kështjellë), si një pikë turistike, historike e kulturore. Prandaj, Peza është e përfshirë në programin qeveritar “100 fshatrat e Shqipërisë”, si njëri ndër 100 fshatrat turistikë të vendit.